Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një procesi. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA Veting

Dhurata Haveri dështoi të përmbyste në KPA balancën negative për pasuritë

Ish-gjyqtarja e Apelit të Krimeve të Rënda, Dhurata Haveri arriti të bindë Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për një pjesë të burimeve financiare që kishin shërbyer për krijimin e dy pasurive, por nuk arriti të përmbysë gjithë balancën negative, ç’ka solli largimin e saj përfundimtar nga sistemi i drejtësisë.

Në vendimin e arsyetuar të KPA-së renditen argumentet ku janë bazuar një pjesë e pretendimeve të Haverit, si dhe rastet kur konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë gjetur të drejta, duke sjellë si pasojë lënien në fuqi të shkarkimit të këtij subjekti rivlerësimi.

Dhurata Haveri u shkarkua nga detyra prej KPK më 29 shtator 2019, pasi u konstatua mungesë e burimeve të ligjshme për disa asete të deklaruara, si dhe se kishte fshehur kostot e shkollimit të vajzës. Vendimi i Komisionit u ankimua nga Haveri, e cila ngriti pretendime mbi procesin e rregullt ligjor dhe se kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive e kryerjen e shpenzimeve. Ajo e cilësoi analizën e KPK-së të padrejtë dhe të paqartë.

Ndër të tjera, Haveri kërkoi në KPA që të administrohej si provë dëshmia e një të afërmi për një hua që kishte marrë prej tij për blerjen e një apartamenti, që u bë shkak për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë dëgjimore. Sipas KPA, Komisioni nuk kishte asnjë lloj vendimarrje lidhur me kërkesën e subjektit për pyetjen e huadhënësit në cilësinë e dëshmitarit, duke e vlerësuar këtë situatë si mangësi të hetimit adminisrativ në shkallën e parë. Kolegji i rrëzoi pretendimet e tjera të Haverit lidhur me procesin e rregullt ligjor gjatë hetimit administrativ në KPK.

Rezultatet e përmbysura

Hetimi administrativ nga Komisioni është përqendruar në disa pasuri, përfshirë një apartament me sipërfaqe 135.9 m2 blerë për çmimin 69 mijë e 309 euro në Tiranë në vitin 2004; një apartament 75.6 m2 në Shkodër i shitur për 2 milionë lekë, vlerë që është deklaruar si burim krijimi për apartamentin në kryeqytet; apartament banimi 115 m2 i blerë në vitin 2011 në Shkodër; apartament tjetër me sipërfaqe 95 + 14.3 m2 i blerë në vitin 2015 dhe një garazh në ish-komunën Farkë.

Ndryshe nga Komisioni, KPA vlerëson se Haveri arrin të provojë burimet financiare të ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 135.9 m2 në kryeqytet dhe të garazhit 14 m2 në Farkë të Tiranës.

Për apartamentin me sipërfaqe 135.9 m2, subjekti ka pasqyruar si burime në deklaratën periodike dhe atë “veting”, të ardhura nga shitja e një apartamenti në Shkodër me vlerë 2.6 milionë lekë, huamarrje nga familjarë emigrantë dhe kursime nga paga me vlerë 15 mijë euro.

Sipas Komisionit, apartamenti në Shkodër është shitur për 2 milionë lekë dhe jo 2.6 milionë lekë siç pretendon subjekti, si dhe nuk është e provuar që bashkëpronarët e tjerë kanë hequr dorë nga pjesa takuese.

Gjithashtu, nga verifikimi i akteve, KPK ka konkluduar se të ardhurat nga shitja e apartamentit në Shkodër nuk mund të jenë përdorur si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë, pasi pagesa e këstit të fundit prej 12 mijë euro, është kryer në datën 14 qershor 2004, ndërsa të ardhurat sipas aktit të shitjes së apartamentit në Shkodër vijnë më pas, më 28 qershor 2004. Në analizën financiare të Komisionit është konstatuar balancë negative në vlerën 3 milionë lekë në krijimin e këtij aseti.

Trupi gjykues i Kolegjit vëren llogaritje të gabuara në analizën financiare të Komisionit për të ardhurat e subjektit në vite. Po ashtu, shpenzimet jetike janë vlerësuar në masë më të ulët nga Komisioni, duke vlerësuar të drejtë pretendimin e Haverit se në periudhat tranzitore 1997-1998, minimumi jetik lidhej vetëm me nevojat ekzistenciale të ushqimit dhe jo të privilegjeve të tjera. Për rrjedhojë, shpenzimet jetike për periudhën 1991-1999 janë përllogaritur në masën 30% dhe jo në masën 70% si i ka konsideruar KPK.

Kolegji ka konsideruar në analizë vlerën 2 milion lekë nga shitja e apartamentit në Shkodër për blerjen e banesës në Tiranë. Në vendim evidentohet se në kontratën e shitjes së apartamentit në Shkodër është shënuar se pagesa ishte kryer më parë, por pa u përcaktuar një datë konkrete. “Kjo pagesë mund të jetë bërë edhe para ose në datën 14.06.2004, kur është bërë pagesa e këstit të fundit për apartamentin me sipërfaqe 135,9 m2…,” argumenton Kolegji.

Në vijim, është konkluduar se apartamenti në Shkodër është përdorur në mënyrë të pandërperë nga bashkëshorti i subjektit, edhe pse certifikata rezultonte në bashkëpronësi me familjarët e tij që sipas KPA, nuk kanë jetuar në këtë shtëpi dhe nuk kanë shfaqur asnjë interes në drejtim të pronësisë.

Kolegji konsideron si bindëse edhe shpjegimet për përfitimin e shumës 600 mijë lekë nga shitja e mobiljeve të apartamentit në fjalë, pasi ka rezultuar e pasqyruar në deklaratat periodike.

Duke i konsideruar këto të ardhura si burime të ligjshme, në analizën e kryer në KPA, gjyqtarja Haveri ka rezultuar me balancë pozitive në blerjen e apartamentit me sipërfaqe 135.9 m2 në Tiranë.

Shpjegimet dhe provat e subjektit e kanë përmbysur edhe konkluzionin e Komisionit për mungesën e burimeve për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 14 m2 në Farkë të Tiranës, çmimin e të cilit e ka shlyer në 2014-ën.

Sipas KPK, subjekti kishte pasur pjesërisht mundësi për të kryer pagesat në 2014-ën, pasi nuk mbulonte me burime të ligjshme një pjesë të gjendjes cash në vlerën 900 mijë lekë të deklaruar në 2013-ën.

Por, nga analiza e kryer në Kolegj, Haveri rezulton me mundësi kursimi në shumën 900 mijë lekë dhe për rrjedhojë është konkluduar se kishte mundësi për blerjen e garazhit në Farkë.

Balancat negative penalizuese

Kolegji vlerëson se nuk janë të mbështetura pretendimet e ish-gjyqtares Haveri për analizën financiare të viteve 2006, 2007, 2009, 2011, 2014 dhe 2015, nga për rrjedhojë ajo është gjetur në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 111.5 m2 në Shkodër; një automjeti; një apartamenti me sipërfaqe ndërtimi 95 m2 + 14,3 m2 në Farkë; si dhe shpenzimet e kryera në këto vite, ku ndër të tjera është konstatuar pamundësi për të justifikuar me burime financiare të ligjshme edhe shlyerjen e kredisë së marrë për pagesën e një pjese të çmimi të apartamentit me sipërfaqe 135.9 m2 në Tiranë.

Si burim për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 111.5 m2 në Shkodër në vitin 2011 për çmimin 4.7 milionë lekë, subjekti ka deklaruar një hua të marrë nga një i afërm në shumën 5 milionë lekë. Ky i fundit u thirr si dëshmitar në KPA, ku shpjegoi marrdhënien e huasë dhe burimet e krijimit të shumës që i kishte dhënë gjyqtares Haveri.

Në një prej seancave publike në KPA, i afërmi i Haverit pasqyroi formimin e tij profesional si inxhinier topograf, profesion që tha se e kishte ushtruar prej vitit 1979 kur ishte diplomuar pranë Fakultetit të Inxhinerisë së Ndërtimit në Tiranë. Ai deklaroi se kishte qenë gjatë gjithë kohës i punësuar në institucione shtetërore, derisa në vitin 1996 kishte vendosur së bashku me dy kolegë të regjistronin një shoqëri private që ofronte shërbime në fushën e topografisë, prej nga kishte siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se i afërmi i subjektit, ka zotëruar depozita në vlera të konsiderueshme në vitet 1999 dhe 2000. Por,trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se nga dokumentet e administruara gjatë hetimit administrativ në Komision, rezulton se z. V. V ka pasur cilësinë e drejtuesit teknik në shoqërinë e krijuar dhe se në këtë cilësi nuk rezultojnë të dokumentuara të ardhura të ligjshme të përfituara prej tij.

“Subjekti i rivlerësimit, znj. Dhurata Haveri, por dhe z. V. V me dëshminë e tij, në cilësinë e personit tjetër të lidhur, nuk provuan me dokumentacion llojin e marrëdhënies juridike të vendosur ndërmjet tij dhe shoqërisë “{***}”, si dhe të ardhurat të cilat do të përfitoheshin bazuar në këtë marrëdhënie juridike”, konstaton Kolegji duke argumentuar se dokumentet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, si fatura dhe situacione, referojnë në aktivitetin ekonomik të shoqërisë, por jo të ardhura të përfituara nga i afërmi i saj, z. V. V..

Po ashtu, nuk janë konsideruar të ardhurat e V.V. nga ekzekutimi i një vendimi gjyqësor, pasi pjesa më e madhe e vlerës është përfituar pas dhënies së huasë.

Duke mos e përfshirë në analizë huan 5 milionë lekë, me argumentin se nuk është arritur të provohet burimi i ligjshëm i kësaj vlere, Kolegji arrin në përfundimin se ish-gjyqtarja Haveri ka qenë në pamundësi për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 111.5 m2 në Shkodër duke rezultuar me balancë negative në shumën 2.3 milionë lekë.

Si burime financiare për blerjen e apartamentit me sipërfaqe ndërtimi 95 m2 + 14.3 m2 në Farkë, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga puna dhe një kredi në shumën 5 milionë lekë. Kolegji vlerëson se për pagesën e kryer në vitin 2014 rezulton i provuar burimi i ligjshëm nëpërmjet kredisë bankare, ndërsa në 2015-ën ka rezultuar balancë negative në shumën 323 mijë lekë.

Nga verifikimi edhe i shpenzimeve të tjera për këto vite kanë rezultuar pamundësi financiae në vlerën totale rreth 1.9 milion lekë.

Haveri është gjetur në pamundësi edhe për blerjen e një automjeti si dhe ka rezultuar me balanca negative në mbulimin e investimeve dhe shpenzimeve për vitet 2006, 2007, 2009, 2011, 2014 dhe 2015. Nga analiza financiare e përgjithshme e kryer në Kolegj, balanca negative e Komisionit në vlerën 8.8 milionë lekë është reduktuar në 5.2 milionë lekë, shumë që është vlerësuar e mjaftueshme për të lënë në fuqi vendimin e shkarkimit të Haverit nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *