Prokuori Hysen Keta duke dalë nga KPA | Foto : V. Karaj
Analiza Veting

‘Pamundësi objektive’: Debati në Kolegj për konfirmimin e Hysen Ketës

Vendimi i arsyetuar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për rivlerësimin kalimtar të drejtuesit të Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta dominohet nga debate mes trupës gjykuese lidhur me burimet dhe analizën financiare, ndërsa një përgjigje e organeve tatimore si dhe pranimi i pretendimeve të subjektit nga shumica sollën përmbysjen e vendimit KPK-së dhe konfirmimin e Ketës në detyrë.

Përmes një vendimi të ndërmjetëm, Kolegji përsëriti marrjen e një prove lidhur me të dhënat që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo Rajonale Tiranë zotëronin për aktivitetin e subjektit si avokat, të ardhura të cilat nuk u konsideruan më parë të ligjshme nga KPK.

Kjo vendimarrje e Kolegjit rezultoi të ishte “çelësi” që i hapi derën Ketës për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë.

Në përgjigjen e tyre të re për KPA, organet tatimore thanë se ishin në “pamundësi objektive” për të siguruar informacion.

“Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë…informon Kolegjin se administrata tatimore është në pamundësi objektive për vënien në dispozicion të të dhënave mbi regjistrimin e subjektit tatimor ‘Hysen Keta’ si person fizik dhe të pagesave për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 1994 – 1998, pasi për shkak të kohës së largët, nuk disponohen të dhëna të plota në arkivin e institucionit….,” citohet përgjigja e Tatimeve në vendim.

Shumica e trupit gjykues, e përbërë nga kryesuesi Sokol Çomo dhe anëtaret Albana Shtylla e Ina Rama e konsideruan këtë si provë për të marrë në konsideratë të ardhurat e subjektit nga avokatia, çka solli justifikimin e një pjesë të burimeve financiare të deklaruara për investimet e kryera në ndërtimin e një banese 3-katëshe.

Shumica e argumenton këtë vendimarrje me faktin se nga aktet në dosjen e Komisionit, nuk rezultonte që organet tatimore t’i kishin dhënë Ketës një përgjigje shteruese për mungesën e të dhënave lidhur me të ardhurat nga avokatia. Për të marrë përgjigje të reja nga organet tatimore, Kolegji vendosi vijimin e shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore publike.

Bazuar në përgjigjen e fundit të Tatimeve, shumica vlerëson se subjekti dhe organet e rivlerësimit gjenden në kushtet e pamundësisë për të kontrolluar vërtetësinë e deklarimeve të Ketës dhe të burimeve të ligjshme të të ardhurave nga avokatia.

Shumica ka marrë në konsideratë edhe faktin se investimi është kryer përpara se Keta të fillonte detyrën e prokurorit dhe nuk ka gjetur shkaqe penalizuese.

Anëtaret në pakicë, relatorja Rezarta Schuetz dhe gjyqtarja Natasha Mulaj shprehen se nuk janë dakort me zgjidhjen e çështjes nga ana e shumicës.

“Shumica pranoi pretendimet deklarative të subjektit se në vitet 1994-1998 ka përfituar 4 milionë lekë.. pavarësisht se 7 akte zyrtare të gjeneruara nga administrata tatimore ndër vite pasqyronin qartë që për këtë individ  mungojnë të dhënat…,thuhet në mendimin paralel të pakicës, të cilat këmbëngulin se të ardhurat e subjektit nga avokatia nuk provohen.

Schuetz dhe Mulaj sjellin në vëmendje faktin se në asnjë prej përgjigjeve zyrtare, për asnjë magjistrat të rivlerësuar nga Kolegji, në asnjë rast nuk rezulton që organet tatimore t’i jetë referuar “pamundësisë objektive” për shkak të “kohës së largët”, apo të pamundësisë së konfirmimit për shkak të mënyrës së ruajtjes së të dhënave ndër vite.

“Përgjigjja e dytë, dërguar Kolegjit nga DRT më 6 janar 2022, papritmas, përtej afatit 15-ditor të përcaktuar me ligj, dhe në mënyrë të pashpjegueshme, zhbën përgjigjen e mëparshme nga ky institucion, dhe për herë të parë në historinë e korrespondencës zyrtare nga Administrata Tatimore, referon një situatë faktike të panjohur, të paraportuar, të paprecedentë në procesin e rivlerësimit deri më tani, por me pasoja vendimtare në favor të subjektit të rivlerësimit Hysen Keta”, theksojnë Mulaj dhe Schuetz.

Pakica argumenton gjithashtu se ekzistenca e “pamundësisë objektive” për shkak të kohës, nuk shpjegon cilat janë shkaqet e kësaj pamundësie, nëse ato vlejnë vetëm për këtë subjekt apo pasqyrojnë një problem madhor të administratës tatimore, që ndikon edhe mbi subjekte rivlerësimi, duke sjellë si shembull rastet e Fatos Lulos, Gani Dizdarit dhe Alma Bratit lidhur me vlerësimin e të ardhurave nga avokativa në vitet ‘90.

Në vijim, pakica vëren se aktet zyrtare të mbërritura me kërkesë të Kolegjit, tregojnë se subjekti kishte qenë i pasinqertë në pretendimin e tij për mungesën e përgjigjeve nga autoritetet për të provuar të ardhurat e pretenduara, pasi ka rezultuar e kundërta.

Në mendimin e pakicës thuhet se Keta ka qenë i pasaktë edhe për mënyrën e fitimit të pasurisë truall ku është ndërtuar banesa, pasi nga aktet e administruara rezulton se një pjesë ta ketë blerë nga institucionet shtetërore, ndryshe nga sa pretendon në deklaratën “veting” se pasuria ishte tërësisht e trashëguar.

Edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka paraqitur një opionion për rastin, përmes së cilit komenton mënyrën e interpretimit të “pamundësisë objektive”.

Sipas ONM, një interpetim shumë i gjerë i përcaktimit ligjor për pamundësinë e dokumentit që justifikon ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive, do të bënte të pamundur në këtë proces dhe në çështjet e ardhshme dallimin midis rrethanave “të jashtëzakonshme”, ku dokumentet nuk disponohen për arsye konkrete, nga çështjet kur dokumentet nuk janë të disponueshme sepse nuk kanë ekzistuar kurrë që në fillim.

ONM konstaton se nuk plotësohen kushtet e parashikuara në pikën 2 të nenit 32 të ligjit nr. 84/2016 për “pamundësinë objektive” dhe shprehet se pretendimet për të ardhurat nga avokatia duhet të konsiderohen të paprovuara.

Trupa e KPA është ndarë edhe për investimin e kryer nga Keta për një shtesë pa leje në një tjetër banesë gjatë viteve 2006-2011. Për këtë pasuri, Komisioni kishte çmuar se subjekti nuk ka deklaruar vlerën reale të ndërtimit, si dhe ka mungesë financiare të të ardhurave për investimet pasi nuk janë provuar me dokumentacion ligjor të ardhurat nga dhënia me qira e një shtëpie.

Gjatë hetimit administrativ në Komision, Keta ka paraqitur disa mandate bankare, të derdhura nga një shoqëri, që përbëjnë pagesa të kryera çdo tre muaj në vlerën 460 mijë lekë, me përshkrimin “pagesë qiraje për 3 muaj”, për periudhën maj 2006 – shtator 2007.

Shumica e trupës së Kolegjit vlerëson se këto dokumente provojnë marrëdhënien e qirasë dhe e cilëson qëndrimin e Komisionit për të mos konsideruar këto të ardhura të pabazuar në ligj. Në vijim, shumica argumenton se qiramarrësi ka qenë person juridik dhe se pagimi i detyrimeve tatimore nuk i përkiste subjektit.

Sipas pakicës, subjekti pretendon të ardhura të konsiderueshme nga qiraja, por nuk depozitoi asnjë akt shkresor që të jepte qoftë edhe indirekt detaje për qiranë e paguar dhe detyrimet kontraktore të marra përsipër nga palët.

“Në kushtet kur subjekti nuk provoi në asnjë formë që qiramarrësit ishin persona juridikë dhe jo individë, subjekti dështoi të përmbushte detyrimin ligjor për të provuar ligjshmërinë e burimeve të këtyre të ardhurave”, vlerëson pakica.

Në vijim, Mulaj dhe Schuetz sjellin në vëmendje faktin se ndërtimi pa leje i shtesës përbënte në atë kohë vepër penale, megjithëse kjo rrethanë nuk është trajtuar si penalizuese në KPK dhe në Kolegj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *