Ish-prokurori i Apelit Tiranë, Edmond Hyka | Foto: BIRN/Edmond Hoxhaj
Analiza KPA Veting

KPA: Komisioni i mohoi Edmond Hykës të drejtën e mbrojtjes

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të drejta një pjesë të shkaqeve të ankimit të ish-prokurorit të Apelit Tiranë, Edmond Hyka kundër vendimit të Komisionit që e shkarkoi për probleme në kriterin e pasurisë, por nuk janë konsideruar të mjaftueshme për rikthimin e tij në sistemin e drejtësisë.

KPA ka korrigjuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me kohën e pakët që i është dhënë subjektit për sigurimin e provave në funksion të gjetjeve dhe barrës së provës, që konsiderohet si mohim i të drejtës për një mbrojtje efektive, e për rrjedhojë shkelje e rëndë procedurale.

Me provat e reja të dorëzuara në Kolegj, Hyka ka përmbysur një pjesë të rezultateve të analizës financiare për pasuritë, por balancat negative që kanë mbetur të pajustifikuara me burime të ligjshme janë çmuar shkarkuese.

Megjithëse subjekti nuk është penalizuar në shkallën e parë për profesionalizmin, ai ka ngritur shkak në ankim edhe për këtë kriter, lidhur me një çështje për të cilën Komisioni ka konstatuar konflikt interesi. Pretendimi i Hykës në këtë rast është gjetur i drejtë nga Kolegji.

Hyka u shkarkua nga detyra më 20 dhjetor 2019, pasi KPK konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për dhuratat nga prindërit në shuma të mëdha, në blerjen e një apartamenti si dhe për investimet në bono thesari. Sipas Komisionit, prokurori Hyka rezultoi me pasaktësi, mospërputhje në deklarime dhe deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë ndër vite. Ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin mori notë minimale kualifikuese.

Mohimi të drejtës për mbrojtje

Në vendimin e arsyetuar të KPA thuhet se Hykës i është cenuar e drejta për proces të rregullt ligjor, pasi nuk i është garantuar një mbrojtje efektive.

Sipas KPA, kjo situatë është krijuar si pasojë e caktimit nga Komisioni të afateve kohore të paarsyeshme, brenda të cilave subjekti duhej të përgatiste mbrojtjen e interesave të tij të ligjshëm. Bazuar në këtë konstatim është vendosur shqyrtimi i çështjes në seancë gjyqësore publike, duke i garantuar Hykës të drejtën për t’u dëgjuar dhe mbrojtur para trupit gjykues të Kolegjit, lidhur me shkaqet e ngritura në ankim.

“[…]Me të drejtë subjekti i rivlerësimit pretendon se Komisioni i ka përcaktuar afate shumë të ngushta kohore, si dhe nuk duket të ketë marrë parasysh faktorë të tjerë të cilët rezultojnë të kenë qenë prezentë për shkak të tërmetit të ndodhur më datë 26 nëntor 2019 dhe pasojave që ai solli, qofshin këto të natyrës psiko-emocionale, të lidhura me subjektin e rivlerësimit si banor i qytetit të Durrësit, apo të natyrës operacionale/funksionale të lidhura me strukturat shtetërore dhe/apo private ku mund dhe duhej të drejtohej subjekti i rivlerësimit, me qëllim përmbushjen e detyrimit ligjor për të paraqitur dokumentacion justifikues”, konstaton KPA.

Trupi gjykues vëren një rast kur, edhe pse Komisioni ka dhënë një shtyrje prej 5 ditësh, ky afat nuk është dhënë në funksion të kërkesave të mëparshme për të cilat Hyka ka kërkuar më shumë kohë, por për një pyetësor të ri ku janë shtuar edhe kërkesa të tjera specifike.

“Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se në afatin e shtyrë prej 5 ditësh, dy prej tyre rezultuan ditë feste kombëtare (28 dhe 29 nëntor 2019) dhe, për rrjedhojë, ditë pushimi zyrtar dhe dy ditët pasuese (30 nëntor dhe 1 dhjetor 2019) ditë pushimi javor (fundjavë) duke e bërë tërësisht të pamundur përpjekjen e subjektit të rivlerësimit për të mbledhur dokumentacion provues[…]”, citohet në vendim.

Kolegji vëren se komunikimet e KPK i janë dërguar subjektit përtej orarit zyrtaër megjithëse korrespodenca është mbajtur në adresat zyrtare, që është vlerësuar si një faktor shtesë në vonesën e marrjes dijeni nga ana e Hykës.

Trupi gjykues e gjen tërësisht të pajustifikuar sjelljen e Komisionit në drejtim të përcaktimit të afateve kohore dhe e vlerëson të drejtë dhe të bazuar pretendimin e subjektit për cenim të së drejtës së tij për mbrojtje efektive. Sjellja e Komisionit vlerësohet se ka cënuar në thelb të drejtën e subjektit për proces të rregullt ligjor, që është çmuar si shkelje e rëndë procedurale.

Me vendimin e kalimit të çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore publike, Kolegji vlerëson se ka zgjidhur të gjitha pretendimet e Hykës lidhur me shkeljet e kryera nga KPK në kuadër të procesit të rregullt ligjor.

Shkaqet për pasurinë

Sipas Komisionit, Hyka nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të shumave 5 milionë lekë dhe 35 mijë euro të deklaruara si të trashëguara nga babai i tij në vitin 2009. Në analizën e burimeve të këtyre likujditeteve, KPK nuk konsideroi deklarimet për të ardhurat e përfituara nga nëna e Hykës prej aktivitetit tregtar në vitet 1992-1994, të ardhurat e prindërve nga pensioni dhe qiradhënia e një lokali, si dhe aro të siguruara nga shitja e një apartamenti në pronësi të tyre.

Hyka e kundërshtoi vlerësimin e Komisionit për pasuritë e fituara si rrjedhojë e trashëgimisë duke pretenduar se kishte dorëzuar prova të mjaftueshme për të ardhurat e prindërve, konkretisht për të ardhurat nga shitja e apartamentit në vlerën 1 milion lekë; për pensionet e tyre dhe të ardhurat nga qiradhënia e dyqanit në pronësi të prindërve. Për të ardhurat nga aktiviteti privat i tyre, Hyka ka shpjeguar se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion të mjaftueshëm.

Trupi gjykues shprehet se ka mbajtur në konsideratë qëndrimin konsistent të subjektit se të ardhurat e tij administroheshin nga i ati dhe se ato janë bërë pjesë e të ardhurave familjare dhe për këtë arsye ka vlerësuar të shqyrtojë dhe të verifikojë mundësinë e prindërve të tij për të krijuar me burime të ligjshme shumat e deklaruara si të trashëguara në vitin 2009.

Lidhur me pretendimin mbi të ardhurat e krijuara nga shitja e apartamentit nga prindërit, Hyka i ka bashkëlidhur ankimit kontratën noteriale të shitblerjes së kësaj pasurie. Në vendim thuhet se subjekti provoi para Kolegjit pamundësinë e tij për ta dorëzuar këtë provë në Komision gjatë periudhës së hetimit administrativ, për shkak se gjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore si pasojë e tërmetit të ndodhur më datë 26 nëntor 2019, nuk funksiononte Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës.

Në këto kushte, KPA ka vlerësuar se të ardhurat nga shitja e apartamentit duhet të përfshihen në analizën financiare.

Kolegji ka gjetur se Hyka, pa fajin e tij, nuk ka mundur të dorëzojë në Komision edhe dokumentet për të ardhurat e prindërve nga pensionet dhe i ka përfshirë ato në analizë. “Komisioni nuk kishte paraqitur asnjë analizë konkrete të të ardhurave dhe shpenzimeve të prindërve të subjektit, nga ku subjekti i rivlerësimit do të mund të kuptonte që këto të ardhura nuk ishin përfshirë në analizën e kryer nga Komisioni”, konstaton trupi gjykues i KPA.

Po ashtu, Hyka ka arritur të provojë të ardhurat nga qiradhënia e dyqanit nga prindërit, por nuk ka vërtetuar ato të krijuara nga aktiviteti privat i tyre.

Trupi gjykues konstaton se pretendimi i subjektit për ushtrimin e aktivitetit privat nga e ëma e tij mbështetet vetëm nga fakti se ajo figuron e regjistruar si subjekt privat për periudhën 1992 deri në vitin 1999, por nuk është gjetur dosja fizike e të dhënave.

“Trupi gjykues çmoi se ishte e pamundur të përllogaritej nëpërmjet metodave alternative shuma e këtyre të ardhurave, sa kohë nuk u gjet asnjë e dhënë e dokumentuar, e cila të lidhej me ushtrimin e aktivitetit privat të pretenduar nga e ëma e subjektit të rivlerësimit dhe të mund të orientonte drejt një niveli të caktuar xhiroje vjetore”, argumenton Kolegji.

Po ashtu, Kolegji ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër lidhur me moskonsiderimin nga Komisioni të të ardhurave të prindërve nga interesat bankarë prej depozitave në vitet ’90.

Nga analiza e kryer në Kolegj është përmirësuar rezultati financiar për mundësinë e të ardhurave të prindërve, nga 93 mijë lekë e konstatuar në KPK në vlerën afro 5.9 milionë lekë.  Megjithatë, duke vlerësuar se mundësia e kursimit nga këto të ardhura ka qenë rreth 3.3 milionë lekë, KPA konkludon se prindërit e Hykës nuk mund të justifikonin vlerat 5 milionë lekë dhe 35 mijë euro të dhuruara në 2009-ën.

Bazuar në këtë rezultat janë kryer edhe vlerësimet për mjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme për pasuritë për të cilat subjekti ka deklaruar se janë krijuar me likujditetet e dhuruara nga prindërit, nga ka rezultuar pamjaftueshmëri.

KPA ka rrëzuar një pjesë të shkaqeve të tjera të ankimit për për pasurinë, ndërkohë që nuk ka gjetur të drejtë një konkluzion të Komisionit për deklarime të pasakta të subjektit, pasi nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” vitin e krijimit de facto të pasurive, por ka shënuar vetëm vitin e krijimit de jure të tyre. KPA e vlerëson si deklarim të paplotë.

Profesionalizmi

Hyka ka kundërshtuar si të gabuar edhe një konkluzion të Komisionit në kriterin profesional, lidhur me mosdeklarimin e heqjes dorë në një çështje penale në vitin 2018, me palë administratorin e një pallati ku ka blerë një apartament në 2005-ën. Megjithëse kjo gjetje nuk është konsideruar penalizuese prej Komisionit, subjekti pretendon se nuk është gjendur në kushet e konfliktit të interesit në përfaqësimin e kësaj çështje.

Kolegji konstaton se marrëdhënia e interesit së cilës i referohet Komisioni në vendim, mes subjektit të rivlerësimit dhe z. I. Ç., ka lindur si pasojë e marrëdhënies juridike të shitblerjes së një apartamenti në Durrës, që ka përfunduar me regjistrimin e kalimit të pronësisë nga shitësi tek Hyka, në vitin 2005. Për rrjedhojë është konkluduar se në këtë rast subjekti nuk ka pasur detyrimin ligjor për të hequr dorë, ashtu si ka konkluduar KPK.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *