Seanca e prokurores Manjola Kajana në KPA | Foto : E. Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

Dokumentacioni si i pastrehë; KPA shtyn seancën ndaj prokurores Manjola Kajana

Komisioneri Publik Florian Ballhysa dhe prokurorja Manjola Kajana e konsideruan të plotë hetimin gjyqësor dhe kërkuan mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, ndërsa KPA vendosi t’i kërkojë përsëri bashkisë së Fierit dokumentacionin e plotë të aplikimit të bashkëshortit të Kajanës si i pastrehë. 

Seanca e prokurores Manjola Kajana në KPA | Foto : E. Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 23 qershor të shtyjë sërish seancën për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj prokurores Manjola Kajana, për shkak se dokumentacioni i kërkuar nga Bashkia e Fierit nuk ishte i plotë.

“Trupi gjykues vendosi t’i rikërkojë Bashkisë Fier dokumentacionin e plotë të aplikimit të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit si i pastrehë”, tha kryesuesja e trupit gjykues të KPA që po shqyrton këtë ankim të Komisionerit, Natasha Mulaj.

Më parë, gjatë parashtrimeve lidhur me provat e administruara, përfaqësuesja ligjore e Kajanës, avokatja Romina Zano, shpjegoi se edhe nga ana e tyre i ishte kërkuar dy herë Bashkisë së Fierit që të vinte në dispozicion dokumentacionin e plotë.

Në fillim të seancës, Komisioneri Florian Ballhysa i konsideroi të plota provat e administruara nga institucionet në funksion të shkaqeve të ankimit – të një dosjeje gjyqësore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier lidhur me hetimin dhe gjykimin e zyrtarëve të Bashkisë Fier për abuzimin me kreditë e buta; informacion pranë Prokurorisë së Përgjithshme nëse prokurorja Kajana ka hetuar ose jo Bankën Kombëtare Tregëtare ku ka përfituar një kredi bankare në 2014-ën; gjithë praktikën e aplikimit të bashkëshortit si i pastrehë në Bashkinë e Fierit; si dhe dokumentacion nga Tatimet për tatimin e pagës së këtij të fundit.

Ballhysa kërkoi që para se të paraqiste parashtrimet dhe konkluzionet përfundimtare, Kolegji të shprehej lidhur me mbylljen e hetimit gjyqësor.

Edhe prokurorja Kajana i konsideroi provat e plota dhe hetimin të gjithëanshëm, si dhe kërkoi mbylljen e hetimit gjyqësor.

Gjatë seancës së të martës, avokatja i paraqiti Kolegjit një qëndrim lidhur me provat e administruara dhe theksoi se nuk rezultonte që prokurorja Kajana të kishte kryer hetime lidhur me çështjen e kredive të buta të Bashkisë Fier; se nuk kishte kryer hetime për BKT-në dhe se dokumentacioni i dërguar nga tatimet vërtetonte ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit të subjektit nga puna si jurist për periudhën 2013-2014.

Prokurorja Kajana u ndal tek dy denoncimet e kryera ndaj saj duke shpjeguar se dy denoncuesit kanë qenë persona të cilët I ka hetuar. Ajo shpjegoi se çështja ndaj denoncueses D.M është përmbyllur me vendim të formës së prerë dhe se ajo është dënuar për veprën penale “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Për denoncuesin e dytë T.D., Kajana shpjegoi se ndaj vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda për ndryshimin e akuzës së “korrupsionit” në “moskallëzim krimi” është ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë dhe se çështja është ende në shqyrtim.

Kajana është përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Ajo mund të emërohet pranë SPAK nëse arrin të kalojë me sukses edhe shkallën e dytë të vetingut.

Në fund Kolegji vendosi të shtyjë seancën për më datë 2 korrik, ora 09:00.

Trupi gjykues i Kolegjit që po shqyrton çështjen e prokurores Kajana arriti të mblidhej vetëm pasi Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi masën e pezullimit për gjyqtarin Luan Daci dhe e riktheu atë në detyrë. Daci është në rolin e relatorit në trupën gjykuese që drejtohet nga Natasha Mulaj dhe me anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Ardian Hajdari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *