Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Vlorë, Hysen Saliko,| Foto : LSA
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Hysen Salikos

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të enjtes më 30 mars 2023 vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, Hysen Saliko. Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e Salikos vendosi ta rrëzojë atë, duke e larguar përfundimisht këtë subjekt rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.

Ish-gjyqtari Hysen Saliko u shkarkua nga detyra me shumicë votash prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 3 gusht 2020, me argumentin se nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor të ardhurat e siguruara nga bujqësia dhe bletaria gjatë dy dekadave të fundit, që janë deklaruar prej tij si burime për krijimin e pasurive. Gjithashtu, shumica përbërë nga kryesuesja Genta Tafa Bungo dhe anëtarja Etleda Çiftja, vlerësoi se Saliko kishte cënuar besimin e publikut gjatë dhënies së konsulencës juridike kundrejt pagesës, ndërkohë që ushtronte detyrën e gjyqtarit.

Relatoria e çështjes Suela Zhegu në pakicë, ndryshe nga koleget e saj, çmoi se gjatë hetimit u provuan të ardhurat që gjyqtari Saliko pretendoi se i kishte përfituar nga puna e familjes në fermën e fshatit të lindjes.

Hysen Saliko e filloi karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Deri në vitin 2006, Saliko ushtroi funksionin e kryetarit të Gjykatës Kolonjë dhe në vitin 2006 u transferua si inspektor në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2010, ai u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë, pozicion që e mbajti deri në shkarkimin nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *