Prokurorja Elona Alvora gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
KP Veting

Konkluzionet e KPK për profesionalizmin e Elona Alvorës ankimohen në Kolegj

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të martën më 9 gusht vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurores së Vlorës, Elona Alvora duke kërkuar rikontroll të konkluzioneve të shkallës së parë për kriterin profesional. Në kërkimin përfundimtar, Nino kërkon ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Prokurorja Elona Alvora u konfirmua në detyrë prej KPK më 7 qershor 2022, ndërkohë që u transferuan për inspektim në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje penale të hetuara nga subjekti.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me 31 maj, Alvora u përball me gjetjet për deklarime të kundërta lidhur me vendbanimin, si dhe për zvarritje të hetimeve dhe rrëzimin e vendimmarrjeve të saj nga gjykata.

Komisionerja Nino sqaron se bazuar në legjislacionin për vetingun e magjistratëve lidhur me hetimin profesional, ka marrë në vlerësim ato gjetje dhe konstatime që kanë të bëjnë me natyrën procedurale, me ndikim në efiktivitetin dhe aftësinë e ndjekjes penale, të drejtat procedurale të palëve, respektimin e afateve dhe të drejtës për një procedim e gjykim të drejtë.

Në ankim konstatohet se KPK në arsyetimin e vendimit ku ka disponuar me konfirmimin në detyrë të Alvorës, pasqyron faktin se ka analizuar dhjetë denoncime, por se është ndaluar vetëm në dy prej tyre. Po ashtu, Komisionerja evidenton se Komisioni nuk ka administruar një pjesë të akteve dhe vendimeve gjyqësore mbi të cilat ka vlerësuar për çështjet e hetuara nga subjekti, të denoncuara prej publikut.

Nino e çmon hetimin administrativ të Komisionit për profesionalizmin të paplotë dhe jo shterues. Ajo shton se edhe provat e paraqitura nga subjekti për të kundërshtuar barrën e provës nuk janë bindëse dhe i kërkon Kolegjit që të rivlerësojë gjetjet për gjashtë çështje penale të hetuara nga subjekti.

Sipas ankimit, administratori i një shoqërie e ka denoncuar subjektin në KPK se ajo ka zvarritur me qëllim hetimin për një kallëzim penal të vitit 2020 për veprën penale “shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, por KPK nuk ka dalë në përfundim të shprehur lidhur me këtë denoncim.

Në ankim përshkruhet ecuria e verifikimit të kallëzimit të denoncuesit, prej heqjes dorë të prokurorit të parë që ka verifikuar çështjen, deri në vendimin e Alvorës për vendimin e “mosfillimit të procedimit penal”.

Ky vendim i subjektit është ankimuar nga kallëzuesi, të cilit gjykata i ka dhënë të drejtë duke urdhëruar shfuqizimin e vendimit për “mosfillimin e procedimit…” dhe kryerjen e veprimeve hetimore.

Ndërkohë, ankimi i subjektit kundër vendimit të shkallës së parë është rrëzuar nga Apeli në vitin 2021. Në këto kushte, në janar të vitit 2022, Alvora ka nxjerrë urdhër për regjistrimin e procedimit penal.

Nino vlerëson se është e nevojshme të verifikohet nëse veprimet e ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit në këtë procedim penal janë në përmbushje të standarteve lidhur me aftësinë e saj për të hetuar, për të marrë urdhëra dhe vendime.

Të njëjtin qëndrim Nino mban edhe për një çështje penale për “ndërtim të paligjshëm” dhe “pushtim toke”, të filluar në muajin korrik 2017, që vijon të jetë ende në gjendjen e hetimit paraprak.

Edhe në këtë rast, vendimarrja e prokurores Alvora për “mosfillimin e procedimit penal” është rrëzuar nga gjykata që ka përcaktuar detyra konkrete. Subjekti ka deklaruar në Komision se janë ezauruar mundësitë e momentit fillestar për të kryer veprime hetimore dhe se do të duhet të angazhohen strukturat e rendit me qëllim hapjen e dosjeve policore për të vijuar me grumbullimin e informacionit të mëtejshëm, që sipas saj kanë qenë të pamundura kur është vendosur pezullimi i çështjes.

Komisionerja vëren se në vitin 2017, Alvora ka bashkuar dy procedime dhe çështja është regjistruar për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”. Në vitin 2019 subjekti i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pushim, që është pranuar. Pas ankimit të kryer nga denoncuesi, Apeli ka vendosur ndryshimin e vendimit të shkallës së parë duke konstatuar se prokuroria nuk i kishte kyer të gjitha veprimet hetimore të nevojshme.

Në vitin 2020, Alvora ka nxjerrë urdhër për “rifillimin e hetimit paraprak” me qëllim kryerjen e hetimeve të urdhëruara nga gjykata. Gjatë hetimit administrativ në Komision, subjekti është shprehur se ky procedim është ende në process, pasi nuk po gjendet dokumenti origjinal me qëllim të bëhet ekspertimi i tij për falsitet të plotë apo të pjesshëm.

Komisionerja Nino vlerëson se është e nevojshme të verifikohet nëse veprimet e ndërmarra nga subjekti për këtë çështje penale prej dhjetorit të vitit 2017 e në vijim janë në përmbushje të standarteve profesionale. “…vërehen afate kohore të pajustifikueshme në drejtim të zbatimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë”, konstaton Nino.

Po ashtu, Komisionerja kërkon që të verifikohen veprimet e subjektit në një çështje të filluar në vitin 2015 dhe të përfunduar me vendim të formës së prerë në 2021-in. Në ankim sqarohet se denoncuesja ka kryer kallëzim në vitin 2015 për veprën penale “ndërtim i paligjshëm” që është regjisruar si procedim nga subjekti për “pushtim toke”.

Në vitin 2016, Alvora e ka pushuar procedimin, por në 2017-ën gjykata ka pranuar ankimin e kallëzueses dhe është urdhëruar prokuroria që të vijojë hetimin. Vendimi është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit dhe në vitin 2018, subjekti ka vendosur të rrifillojë hetimet, por i është drejtuar sërish gjykatës me kërkesë për pushimin e procedimit penal.

Vendimarrja e subjektit është rrëzuar sërish nga gjykata në 2019-ën, kur është urdhëruar kryerja e veprimeve procedurale, mes të tjerave edhe formulimi i akuzës sipas kallëzimit të kryer në 2015-ën, për “ndërtim të paligjshëm në tokë të tjetrit”.

Pasi vendimi ka marrë formë të prerë, subjekti ka rifilluar hetimet për “ndërtim të paligjshëm” dhe ka ngritur akuzë ndaj një shoqërie tregtare. Në vitin 2019, Alvora i është drejtuar gjykatës me kërkesë për gjykim për procedimin penal të vitit 2015, me të pandehur administratorin e një kompanie të akuzuar për veprën penale “ndërtim i paligjshëm në tokë të tjetrit”.

Administratori është shpallur i pafajshëm në vitin 2021 dhe ky vendim ka marrë formë të prerë, pasi nuk është ankimuar nga prokuroria.

Komisioni ka konstatuar probleme dhe për një çështje tjetër penale të vitit 2015 të hetuar nga subjekti. Në ankim thuhet se KPK ka gjetur se nuk janë kryer veprimet hetimore të plota dhe shteruese lidhur me detyrat e lëna nga gjykata, si dhe nuk është respektuar afati. Megjithatë, Komisioni vlerëson se kjo çështje është ende në shqyrtim dhe se nuk mund të kryhet rivlerësim.

Komisionerja Publike vlerëson ndryshe, duke arsyetuar se kjo çështje e vitit 2015 nuk duhet të nxirrej jashtë juridiksionit rivlerësues. “Rasti objekt ankimi, paraqet situata të cilat të marra së bashku, shoqëruar dhe me një hetim të mangët, ndikojnë pozitën e subjektit të rivlerësimit në drejtim të vlerësimit profesional”, vlerëson Nino.

Sipas komisioneres, subjekti është shprehur e rishprehur mbi çështjen disa herë prej vitit 2015 deri në 2021-in, si detyrim nga vendimmarrjet e gjykatave përkatëse të cilat kanë konstatuar gjithnjë hetime të paplota dhe kanë vendosur detyra konkrete për hetimin e çështjes.

Sipas saj, riçelja e hetimit në Kolegj do të evidentonte veprimet dhe mos veprimet e subjektit të rivlerësimit që kanë ndikuar në mungesën e hetimeve, vonesat e tejzgjatura kohore dhe përfundimit të hetimit penal, si dhe mos respektimin në kohë të detyrave të lëna nga gjykata.

“Këto rrethana të konstatuara disa herë edhe nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm penal, vlerësojmë se duhen parë si mangësi lidhur me aftësinë profesionale dhe ato organizative të subjektit të rivlerësimit,” çmon Nino.

Në KPK janë administruar dy denoncime të kryera ndaj Alvorës në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë. Lidhur me ankesat me burim Prokurorinë e Përgjithshme dhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, Komisioni ka arritur në përfundimin se mangësitë e konstatuara janë të pashoqëruara me probleme të tjera dhe në raport me ngarkesën e çështjeve të hetuara nuk janë të mjaftueshme për t’i çmuar si cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët apo një mënyrë pune e papajtueshme me funksionin e prokurores.

Në përfundim, Nino e çmon hetimin e Komisionit në kriterin profesional të mangët dhe të pambështetur në prova dhe vlerëson të nevojshëm riçeljen e hetimit administrativ nga ana e Kolegjit për të konkluduar nëse veprimet dhe mosveprimet e subjektit përbëjnë mangësi profesionale apo model pune të tillë. Komisionerja kërkon ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *