Gjqytari Astrit Kalaja | Foto: Edmond Hoxhaj
KPA Veting

KPA njihet me konkluzionet për çështjen e Astrit Kalasë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA mbylli të martën hetimin gjyqësor lidhur me ankimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit të Shkodrës, Astrit Kalaja, pasi u njoh me parashtrimet dhe konkluzionet e palëve.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi shkaqeve të ngritura prej tij duke kërkuar shkarkimin e gjyqtarit Kalaja për deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme për dy prej pasurive të tij, ndërsa subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Viktor Gumi i konsideruan të pabazuara në fakte pretendimet në ankim.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi gjyqtarin Kalaja më 20 dhjetor të vitit 2019 me votat e kryesuesit të trupës Olsi Komici dhe relatorit Lulzim Hamitaj. Ndërsa anëtarja Brunilda Bekteshi votoi kundër.

Ashtu si në ankim, edhe gjatë parashtrimeve Komisioneri Publik Florian Ballhysa argumentoi se gjyqtari Kalaja ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 109,5 m2, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë ku gjendet dhe një ndërtim informal përdhes 60 m2.

Për blerjen e apartamentit në vitin 2009 Kalaja ka deklaruar si burim një kredi bankare prej 3 milionë lekësh, e garantuar fillimisht me hipotekën e një apartamenti të mëparshëm, por e zëvendësuar me një depozitë prej 3.3 milionë lekësh të ofruar nga shtetasi R.P.. Ky transaksion nuk është deklaruar në vite nga subjekti, por është pasqyruar vetëm në deklaratën veting.

Shumica e trupës së KPK e konsideroi mosdeklarimin e kësaj vlere dhe përdorimin për garantimin e kredisë si një “veprim juridiko-bankar të veçantë”, por Komisioneri Ballhysa e vlerëson një marrëdhënie huaje duke argumentuar se kjo shumë ka kaluar në pronësinë e subjektit.

Sipas Komisionerit, nuk mund të merret i mirëqënë edhe konkluzioni i KPK-së se huadhënësi ka pasur mundësi për kursimin e vlerës 3.3 milionë lekë, nga të ardhurat e siguruara prej shitjes së një objekti në vitin 1996. Ai deklaroi se nga verifkikimi i të ardhurave të R.P. dhe i llogarive bankare nuk është provuar mundësia e huadhënies.

Ballhysa pretendoi se shuma e cila është lënë si garanci është përdorur nga subjekti që prej vitit 2008, kur është një pagesë në shumën 35 mijë lekë. Po ashtu, Ballhysa tha se vlera e mbetur në këtë llogari pas shlyerje së kredisë rezulton të jetë tërhequr nga subjekti rivlerësimit. Komisioneri konstatoi se Kalaja e ka disponuar lirisht këtë shumë dhe se nuk rezulton që në dokumentacion huadhënësi të jetë përcaktuar si dorëzanës.

Duke iu referuar jurispudencës së Kolegjit, Ballhysa theksoi se subjekti ka pasur detyrimin për ta deklaruar marrjen e huasë; mbartjen e detyrimit në vite dhe shlyerjet, e për rrjedhojë gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.

Parashtrimet e Kalasë u paraqitën në Kolegj nga avokati Viktor Gumi. Ky i fundit solli në vëmendje se burimi i këstit të parë të apartamentit që zotëron subjekti, ishte kredia në shumën 3 milionë lekë, për të cilën ishte vendosur fillimisht kolateral banesa e mëparshme. Ai sqaroi se zëvendësimi i garancisë për kredinë ishte kyer pasi blerësi i apartamentit të mëparshëm kishte kërkuar që të hiqej si kolateral pasuria që do të blinte.

Sipas Gumit, ishte e provuar me dokumentacion se transferta e vlerës 3.3 milionë lekë e shtetasit R.P. në llogarinë e subjektit kishte pasur si qëllim vendosjen si garanci për kredinë e marrë. Ai theksoi se me veprimin e dytë bankar ku ishte depozituar përfundimisht vlera në fjalë, përcaktohej saktë qëllimi i shumës si kolateral, pasi ishte vendosur se nuk mund të prekej nga subjekti apo nga shtetasi R.P. veçmas, por vetëm nëse do të ishin të dy të pranishëm.

Për shumën e tërhequr pas shlyerjes së kredisë, Gumi vërejti se ajo ishte kryer së bashku me shtetasin R.P., pasi kështu ishte edhe e përcaktuar. “Mandati është i firmosur si nga subjekti ashtu dhe nga shtetasi R.P. dhe Komisioneri Publik bënë dhe në këtë rast intepretim të pjesshëm”, pohoi Gumi.

Avokati solli në vëmendje dhe një deklaratë të vitit 2007 të shtetasit R.P., të nënshkruar prej tij edhe në praninë e subjektit. Gumi deklaroi se kjo deklaratë ishte kërkuar nga banka në funksion të garancisë së kredisë. Sipas tij, nga dokumentacioni bankar rezulton se veprimet në llogarinë e kolaterialit të kredisë janë kryer nga vetë banka, pasi nuk figuron në asnjë vend emri i gjyqtarit Kalaja.

Gumi këmbënguli se pas depozitimit në llogarinë përkatëse kjo vlerë nuk është disponuar asnjëherë nga subjekti dhe as nga shtetasi R.P. , por vetëm nga banka. Sipas avokatit, banka ka kryer veprim në këtë llogari pa pyetur subjektin apo shtetasin R.P. dhe kjo vërteton se vlera 3.3 milionë lekë është disponuar vetëm nga banka.

“Banka nuk e ka vendosur shtetasin R.P në cilësinë e dorëzanësit për të kryer vetë veprime sa më lehtë mbi vlerën, që të mos i duheshin miratime. Kjo shumë nuk është deklaruar në vite se nuk ishte hua”, pohoi avokati i Kalasë.

Lidhur me mosdeklarimin e shlyerjes së vlerës 3.3 milionë lekë, ai theksoi se kjo nuk ka ndodhur pasi nuk ka qenë marrëdhënie huaje, si dhe vlerat e dhëna në vite nga subjekti kanë qenë më të vogla nga sa ishte detyrimi për tu deklaruar.

Gumi kundërshtoi Komisionerin edhe lidhur me konstatimin për pamundësinë e shtetasit R.P. për kursimin e vlerës 3.3 milionë lekë. Sipas tij, edhe në KPK subjekti ka dorëzuar dokumente për shitjen e objektit në ’96-ën dhe për depozitat bankare që vërtetojnë se ka pasur mundësi për mbulimin e shumës së vendosur si garanci për kredinë.

Komisioneri konstatoi pamundësi të subjektit dhe për pagesën e këstit të dytë në vitin 2009 me burim një pjesë të të ardhurave të përfituara nga shitja e apartamentit të mëparshëm. Sipas tij, subjekti ka qenë kontradiktor në deklarimet për kursimet në vitet 2008 dhe 2009 dhe për rrjedhojë nuk ka pasur mundësi të shlyente këstin e dytë të apartamentit me burimet e deklaruara. Për shkak të mosdeklarimit të gjendjes cash, Komisioneri konstatoi pamundësi dhe për shlyerjen e parakohshme të kredisë.

Lidhur me pagesën e këstit të dytë me të ardhura nga shitja e apartamentit të mëparshëm, Gumi shpjegoi se pagesat nga blerësi janë kryer në vitin 2008, megjithëse kontrata e shitblerjes është nënshkruar në 2007-ën. Sipas tij, kjo vërtetohet dhe nga dokumentet bankare për kryerjen e pagesave.

Mosdeklarimin e shtesave Gumi e cilësoi si një gabim njerëzor. Sipas tij, subjekti ka konsideruar se deklarimi i gjendjes cash është pasqyruar nga veprimet e kryera. “Mund të konsiderohet si gabim njerëzor, përderisa mbuloj me burime të ligjshme të ardhurat dhe kursimet. I kam konsideruar si të deklaruara në momentin që janë fituar. Kësti i dytë rezulton të jetë paguar me burime të ligjshme dhe disponibiliteti i të ardhurave me burime të ligjshme i mbulon pasaktësitë”, citoi Gumi pretendimet e gjyqtarit Kalaja.

Avokati e cilësoi rastin e Kalasë si unik dhe u shpreh se nuk qëndron referimi i vendimeve të tjera të KPA-së nga ana e Komisionerit, pasi në ato çështje subjektet kishin rezultuar me mungesë burimesh të ligjshme.

“Për periudhën 2003-2016 të ardhurat janë të mjaftueshme për insvestimet dhe shpenzimet e kryera. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit analiza rezulton me balancë pozitive”, pohoi Gumi.

Ai këmbënguli se balanca negative e vitit 2009 nuk ka të bëjë me mungesën e burimeve, por me moskonsiderimin e balancës pozitive të vitit 2008 për shkak të mosdeklarimit të të ardhurave nga shitja e apartamentit të mëparshëm.

Ballhysa parashtroi konstatime të ngjashme për pamundësi burimesh edhe për blerjen e tokës në Velipojë në vitin 2013 në vlerën e 1.8 milionë lekëve. Sipas Komisionerit, subjekti nuk ka deklaruar gjendje cash në vitin 2012 dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si burim për blerjen e kësaj pasurie në 2013-ën, vlera 2 milionë lekë e tërhequr nga banka prej Kalasë një vit më parë.

Në përfundim, Komisioneri Ballhysa e konsideroi përfundimet e Komisionit për këto dy pasuri të pambështetura në interpretimin e ligjit dhe këmbënguli se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe se duhet shkarkuar.

Ashtu si për vitet 2008-2009, edhe për periudhën 2012-2013 avokati Gumi theksoi se subjekti ka pasur disponibilitet të mjaftueshëm me burime të ligjshme për blerjen e tokës. Ai vërejti se mungesa e konstatuar nga subjekti vjen si pasojë e moskonsiderimit të gjendjes së likujditeteve në vitin 2012 për shkak të mosdeklarimit të tyre. Sipas Gumit, mosdeklarimet e shtesave dhe pakësimeve në vite kanë ardhur si pasojë e mënyrës së kuptimit të legjislacionit për deklarime, ashtu si thuajse në rastet e gjithë subjekteve të tjerë të rivlerësimit.

Në fund të seancës, Kolegji Vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të paraqesin konkluzionet përfundimtare. Komisioneri Publik dhe Kalaja u shprehën se kishin të njëjta prova dhe qëndrime dhe u dakordësuan me mbylljen e shqyrtimit të çështjes.

“Gabimet për mosdeklarimet janë pasaktësi të natyrës njerëzore, shpresoj të konsiderohen të tilla”, përfundoi gjyqtari Kalaja. KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më 27 janar, në orën 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *