Gjyqtari Gentian Marku pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Gentian Marku përballet me vetingun

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkodrës, Gentian Marku u përball të martën me disa pyetje kryesisht sa i përket transaksioneve me tokën e marrë nga familja e tij përmes ligjit 7501 dhe iu kërkuan shpjegime mbi një prej denoncimeve që ishte marrë ndaj tij.

Trupa që shqyrtoi çështjen ndaj Markut kryesohej nga Suela Zhegu, me relatore Brunilda Bekteshi dhe me anëtare Firdes Shuli. Vëzhguese ndërkombëtare ishte Elka Ermenkova.

Marku siç u tha në seancë ishte njëkohësisht gjyqtarë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative në Shkodër dhe gjyqtar i deleguar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Pukë.

Gjatë relatimit u vu në dukje se Marku i ishte nënshtruar rivlerësimit në të tre kriteret. Gjyqtari kishte kaluar pa probleme rivlerësimin në kriterin e figurës, ndërsa Bekteshi tha se i ishin kërkuar shpjegime sa i përket disa gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe denoncimeve të bëra në kriterin e profesionalizmit.

Gjatë relatimit nuk u tha nëse ishte kaluar apo jo barrë prove gjyqtarit në lidhje me gjetjet. Bekteshi tha se kishte të qartë se problemet e gjetura, përfshi pamjaftueshmëri burimesh financiare në disa transaksione, i përkisnin një periudhe para fillimit të detyrës.

Vetë Marku tha se vlerësonte hetimin e thelluar nga Komisioni, por këmbënguli se ky i fundit kishte tejkaluar parashikimet ligjore duke iu referuar hetimit të pasurive para fillimit të detyrës.

Bekteshi vuri në dukje dhe u përfshi më pas edhe në debat me Markun në lidhje me një pasuri tokë arë dhe një pasuri tjetrë truall që siç doli ishte kaluar nga babai te subjekti përmes një kontrate shitblerje. Relatorja tha se ishte e paqartë pse ishte zgjedhur ajo formë dhe i kërkoi Markut shpjegime mbi procesin.

Gjyqtari tha në seancë se forma ishte zgjedhur për shkak se pjesëtimi në natyrë i pronës nuk kishte qenë i mundur. Ai tha se të gjitha të ardhurat e tij, përfshi ato për krijimin e kësaj pasurie ishin menaxhuar nga babai dhe se ishte ky i fundit që kishte zgjedhur edhe mënyrat se si ishin bërë transaksionet.

Marku u pyet po ashtu në lidhje me një apartament, i cili ishte blere në vitin 2010, ishte shitur një vit më vonë, blerë sërish po prej tij dhe shitur së fundmi. Bekteshi tha se ndër të tjera ishte hetuar një hua që gjyqtari kishte marrë nga vjehrra dhe për burimet e kësaj të fundit.

Si edhe pasuria arë edhe kjo pasuri ishte vënë para fillimit të detyrës. Nga relatimi doli se KPK kishte hetuar mbi huanë e dhënë prej vjehrrës, pasi rezultonte që një pjesë e parave ishin marrë nga një llogari bankare, për të cilën subjekti kishte deklaruar se ishte e përbashkët mes vjehrrës dhe vëllai të saj.

Bekteshi tha se nuk u gjetën të dhëna që llogaria prej të cilës ishin marrë 800 mijë lekë ishte me dy emra. Në seancë, Marku tha se ky kishte qenë deklarimi i vjehrrës dhe se ai nuk kishte hetuar mbi vërtetësinë e tij. Por në seancë u tha se vëllai i vjehrrës kishte sjellë edhe një deklaratë noteriale në të cilën konfirmohej marrëdhënia mes tij dhe motrës së tij.

Bekteshi vuri në dukje se ishin hetuar edhe pasuri të tjera të subjektit, por nuk ishin gjetur probleme. Ajo pranoi në seancë se ishte marrë në shqyrtim pretendimi i subjektit mbi të ardhurat e tij dhe bashkëshortes dhe se ishte vënë re një gabim njerëzor.

Bekteshi ndaloi gjatë më pas në pyetje në një prej denoncimeve të bëra ndaj Markut. Ajo këmbënguli se gjyqtari nuk e kishte sqaruar si duhet denoncuesen në lidhje me vendimin e marrë për të pushuar një padi të saj.

Bekteshi këmbënguli se Marku duhej të sqaronte se pse nuk e kishte marrë në shqyrtim çështjen në fjalë dhe arsyetimin e tij se kjo çështje ishte në gjykim në shkallë më të larta të gjyqësorit.

Marku këmbënguli se vendimi i tij ishte sqarues dhe se çështja ishte ndërkohë duke u shqyrtuar në disa gjykata të tjera.

Debati mes tij dhe Bekteshit u ndërpre nga vëzhguesja ndërkombëtare, Ermenkova, e cila tha se gjyqtari ishte shprehur me vendim sa i përket rastit dhe se ajo nuk e shikonte të arsyeshme kërkimin e shpjegimeve mbi këtë çështje.

Marku pranoi disa probleme në lidhje me afatet që ishin gjetur në kriterin e profesionalizmit, por tha se një pjesë kishin të bënin me kohën kur ai ishte duke bërë praktikën. Marku këmbënguli se plotësonte kushtet për konfirmim në detyrë në të tre kriteret. Seanca për vendimin u caktua në 28 janar në orën 9.45.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *