Prokurori Gjon Kodra në KPK | Foto: BIRN/Edmond Hoxhaj
Lajme

ONM kërkon shkarkimin e prokurorit Gjon Kodra

Vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkuan Komisionerit Publik të martën të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Gjon Kodra.

ONM në rekomandim thotë se “shqyrtimi i duhur i të gjithë elementëve do të rezultojë me shkarkimin e subjektit”. Bazuar në rekomandim, vëzhguesit kërkojnë që Kodra të rihetohej në të tre kriteret.

Prokurori Kodra u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Olsi Komici relator dhe Xhensila Pine anëtare.

Por sipas ONM, vendimi i KPK nuk mund të qëndrojë. ONM shprehet në rekomandim se është “e pamundur që një subjekt të konfirmohet në detyrë kur ka disa çështje që nuk janë adresuar në mënyrën e duhur”. Sipas rekomandimit, çështjet kanë të bëjnë me pasurinë, figurën dhe profesionalizmin (sa i përket etikës dhe konfliktit të interesit).

Në kriterin e pasurisë sipas ONM prokurorit i mungojnë 35 mijë euro të përdorura në blerjen e një apartamenti. Pretendimi i subjektit se këto para ishin kursimet e bashkëshortes para martese dhe që ishin mbajtur në Itali nuk provohej sa kohë që këto nuk ishin deklaruar para fillimit të detyrës dhe në deklarimet pasuese vjetore.

“Duke pasur parasysh sa më sipër ONM dëshiron të vërë në dukje se nuk ka asnjëlloj prove për ekzistencën e 35 mijë eurove dhe si e tillë kjo shumë nuk duhej të konsiderohej si burim i ligjshëm në blerjen e pasurisë në fjalë”, thuhet në kërkesën për ankim.

ONM shprehet në rekomandim se argumentet e subjektin në këtë pikë nuk qëndronin dhe se ai nuk mund të justifikohej thjeshtë duke thënë se “nuk kishte dijeni për kursimet e bashkëshortes para martese”.

ONM po ashtu ka dalë në konkluzion të ndryshëm edhe sa i përket dyshimeve për konflikt interesi. Sipas rekomandimit KPK ka vlerësuar se Kodra nuk ishte në konflikt interesi kur hetoi kallëzimin e administratorit të kompanisë nga e cila kishte blerë apartamentin. KPK ka arsyetuar se marrëdhënia financiare mes palëve kishte përfunduar në vitin 2008 dhe kallëzimi që Kodra kishte hetuar është bërë në vitin 2010.

Por vëzhguesit vënë në dukje se në deklarimet e vetë subjektit ky i fundit pranon se për shkak të punimeve që ai ka kryer në apartament marrëdhëniet financiare me kompaninë nuk ishin përfunduar dhe kishin vijuar edhe në vitin 2010.

ONM ngre dyshime në rekomandim se punimet shtesë që Kodra pretendon janë zëvendësimi i dyerve dhe vetrata. Vëzhguesve u rezulton se nga i gjithë transaksioni, Kodra ka përfituar 11 metra katrorë sipërfaqe shtesë në apartament në vitin 2017, ndërsa ka pasur një detyrim mes kompanisë edhe tij prej 4752 eurosh edhe në vitin 2010.

“Ndryshe nga përfundimet e arritura nga KPK, duket se marrëdhëniet e interesit mes subjektit dhe (administratorit të kompanisë) nuk kishin përfunduar në vitin 2008, por vazhduan në vitin 2010 dhe më tej edhe në vitin 2016 kur u finalizuar kontrata e shitjes”, thuhet në rekomandim.

Vëzhguesit thonë se sa i përket kësaj pike ata bien dakord me KPK vetëm sa i përket natyrës deklarative të pretendimeve të Kodrës, se kishte vënë në dijeni eprorin për lidhjet e tij me administratorin.

ONM citon në rekomandim këtë përfundim të Komisionit: “Pretendimi i subjektit të rivlerësimit se ka treguar kujdesin e duhur duke njoftuar drejtuesin e tij lidhur me marrëdhënien e miqësisë me kallëzuesin, mbetet në kuadër deklarativ dhe i paprovuar”.

Në rekomandim po ashtu pretendohet se një gjetje e vëzhguesit të çështjes e datës 8 nëntor 2021, nuk u shqyrtua dhe nuk është marrë në konsideratë nga KPK dhe as u mor si bazë në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes.

Vëzhguesit kërkojnë apelimin e çështjes nga Komisionerët Publikë dhe shkarkimin e Kodrës pas rivlerësimit të këtyre gjetjeve.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *