Komisioneri Publik Lajme

ONM i kërkon Komisionerit Publik të apelojë konfirmimin e Artur Malajt

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i kërkoi Komisionerit Publik të apelojë në Kolegjin e Posaçëm vendimin e KPK-së për Artur Malaj,  kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Përfaqësuesja e misionit ndërkombëtar  ngriti edhe gjatë seancës dëgjimore dyshime mbi pasurinë e gjykatësit i cili pavarësisht këtyre u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gjyqtari i Gjykatës Administrive e Apelit, Artur Malaj duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, në Tiranë më 31 korrik 2018. Foto: LSA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i kërkoi Komisionerit Publik të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjykatësit Artur Malaj, njëkohësisht kandidat për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Komisioneri Publik njoftoi të premten për kërkesën nga ONM, e cila sipas kushtetutës mbikëqyr procesin e vetingut mbi gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa i është dhënë e drejta të paraqesë prova të saj dhe po ashtu të bëjë pyetje në seancat dëgjimore të KPK-së.

Në rastin Malaj, vëzhguesja e ONM pati shprehur dyshimet për pasuritë e gjykatësit dhe të afërmve të tij gjatë seancës dëgjimore, por KPK në vendimin e saj më 3 gusht vlerësoi se ato nuk ishin të mjaftueshme për të shkarkuar anëtarin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë dhe e konfirmoi atë. Por ONM, e cila më herët po ashtu ka kërkuar apelim për kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja,  gjykatësit Xhezair Zaganjori, Gentian Medja dhe prokurorin Genti Osmani, i kërkoi Komisionerit të apelojë rastin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

“Sot, më datë 10.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Artur Malaj”, njoftoi institucioni i Komisionerit Publik (KP), i cili bën apelimin dhe mbron interesin publik në procesin e vetingut.

Komisioneri Publik po ashtu njpoftoi se vendimi për të apeluar apo jo rastin do të merret pasi të jetë zbardhur vendimi i KPK-së në fillim të shtatorit. “Do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, njoftoi Komisioneri Publik.

Procesi i vetingut është duke shqyrtuar aktualisht listën prioritare me 57 subjekte që janë kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë, KLGJ, KLP dhe KED si dhe ata që kanë pozicione të larta. Deri tani KPK ka mbajtur 48 seanca dëgjimore, ka shkarkuar 27 subjekte dhe ka rikonfirmuar në detyrë 21 subjekte. Nga radhët e prokurorëve 9 janë shkarkuar dhe 12 janë konfirmuar në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *