Gjyqtari Albert Meça pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Vladimir Karaj.
Analiza KPK Veting

Albert Meça e bindi KPK-në për një hua të deklaruar gjatë hetimit administrativ

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 18 korrik 2022 të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Tiranës, Albert Meça, pasi u bind për ekzistencën e një huaje afatshkurtër të marrë nga daja e tij, ndërsa një balancë negative në të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga honoraret dhe dietat nuk u konsiderua penalizuese. Meça u vlerësua pozitivisht për profesionalizimin dhe pastërtinë e figurës.

Albert Meça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Meça ka shënuar në deklaratën “veting” blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 105 m2 në Tiranë në vitin 2004 kundrejt çmimit 45 mijë euro, me burim të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes.

Ndërsa në vitin 2004, në rubrikën “detyrime financiare…” ka deklaruar një kredi në vlerën 20 mijë euro dhe detyrim financiar ndaj vëllait E.M. në shumën 10 mijë euro.

Në përgjigje të pyetësorit standard të KPK-së, Meça ka deklaruar si burim huanë e marrë nga vëllai në shumën 10 mijë euro si dhe një hua tjetër të marrë nga daja në vlerën 20 mijë euro dhe të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes.

Lidhur me huatë, subjekti ka shpjeguar se nuk kanë hartuar ndonjë akt të shkruar, për shkak të marrëdhënies së posaçme.

Për huanë e marrë nga vëllai, Meça ka deklaruar se e ka shlyer gjatë viteve 2004-2005, me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes nga pagat. Lidhur me huanë e marrë nga daja, ai ka deklaruar se e ka shlyer brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, duke përdorur vlerën 20 mijë euro të marrë kredi po në vitin 2004.

Referuar deklarimeve të subjektit, KPK ka konsideruar dhe analizuar huanë e marrë nga vëllai në shumën 10 mijë euro, atë të dhënë nga daja në vlerën 20 mijë euro, si dhe kredinë për shlyerjen e kësaj huaje. Komisioni vëren se kredia është marrë pas nënshkrimit të kontratës së blerjes së apartamentit.

Për të vërtetuar të ardhurat e ligjshme të vëllait nga puna në Itali, subjekti ka depozituar gjatë hetimit administrativ dokumentacion që është konsideruar prej Komisionit i mjaftueshëm për të provuar mundësinë e huadhënies së vlerës 10 mijë euro. KPK konkludon se edhe gjyqtari Meça ka pasur mundësi për shlyerjen e kësaj huaje, 4000 euro në vitin 2004 dhe 6000 euro në 2005-ën.

Lidhur me huanë e marrë prej dajës në vlerën 20 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burim të ardhurat nga biznesi dhe kursimet e familjes së huadhënësit. Meça ka shpjeguar se këtë shumë e ka shlyer brenda dy muajve, duke përdorur si burim kredinë.

Gjatë hetimit paraprak, KPK nuk ka arritur të sigurojë informacion nga bankat e nivelit të dytë në lidhje me llogaritë bankare të dajës së subjektit dhe shoqërisë që ai zotëron për periudhën përpara vitit 2004. Për rrjedhojë, është vlerësuar se nuk mund të evidentohej saktësisht aftësia huadhënëse e familjes së dajës së Meçës dhe shuma 20 mijë euro nuk është përfshirë në analizën financiare fillestare, duke rezultuar balancë negative në shumën 2.8 milionë lekë për blerjen e apartamentit. Për këto gjetje, KPK i ka kaluar subjektit barrën e provës.

Lidhur me mospërputhjen e në deklarimin e burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e kësaj pasurie, Meça ka sjellë në vëmendje se në 2004-ën, në seksionin e detyrimeve financiare janë evidentuar detyrimet në fund të atij viti, që ishin kredia dhe huaja ndaj vëllait. Ai ka shtuar se ky fakt provohet edhe nga kontrata e kredisë, ku pasqyrohet se qëllimi ka qenë blerja e apartamentit, ku të ardhurat nga pagat kërkohen si kusht thelbësor për përmbushjen e këtij detyrimi dhe dhënien e kredisë.

Subjekti ka pretenduar se në deklaratën “veting” është deklaruar saktësisht pasuria, pasi deri në atë moment nuk ka pasur asnjë detyrim, të cilët ishin shlyer me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes.

Lidhur me huanë e marrë nga daja, subjekti ka parashtruar fillimisht kushtet në të cilat është detyruar të marrë shumën 20 mijë euro. Ai ka shpjeguar se pasi ka nisur procedurat për marrjen e një kredie, banka i ka kërkuar që apartamenti që do të blihej ose një pasuri tjetër e paluajtshme të vendosej si kolateral. Sipas tij, pala shitëse kërkonte pagimin e shumës cash, ose në të kundërt do t’ia shisnin apartamentin një blerësi tjetër dhe për këtë arsye duhej një zgjidhje e shpejtë.

Meça ka pretenduar se fakti se shitësit janë larguar jashtë shtetit një ditë pas shitjes së banesës, konfirmohet me shkresë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar në regjistrin e hyrje-daljeve të shtetasve shqiptarë në vitin 2004.

Në vijim, subjekti ka deklaruar se kur është ndodhur në këto kushte, u ka kërkuar ndihmë familjarëve për të siguruar shumën 20 mijë euro, që i është dhënë nga daja dhe bashkëshortja e tij.

“Kjo shumë është marrë hua vetëm për disa ditë,” ka deklaruar Meça dhe ka kërkuar që kjo situatë të mos konsiderohej si marrëdhënie huaje.

“Faktikisht, si burim financiar për blerjen e pasurisë ‘apartament’ ka shërbyer shuma 20,000 euro e marrë kredi nga banka, ndërsa shuma 20,000 euro e marrë nga familja Ç, është përdorur vetëm disa ditë si mjet për realizimin e disbursimit/lëvrimit fizik të kredisë,” ka argumentuar Meça dhe ka kërkuar që të ndiqet jurispudenca e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në tre vendime.

Për të provuar aftësinë financiare të familjes së dajës, subjekti ka paraqitur në prapësimet e tij mandate tërheqje për periudhat qershor – nëntor 2003 dhe janar – prill 2004, të tërhequra cash, në vlerën 29 mijë euro; një shkresë të vitit 2020 të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që sipas tij vërteton se shoqëria e familjes së huadhënësit ka zhvilluar import-eksport për periudhën 1997-2020; deklaratat e eksportit me anë të së cilave rezulton se vetëm për periudhën janar-prill 2004 shoqëria e dajës ka pasur aktivitet eksporti me shuma të konsiderueshme në vlerë totale rreth 86 mijë euro. Ai ka theksuar se shoqëria e dajës ka realizuar të ardhura totale prej më shumë se një milion eurosh dhe se vlera 20 mijë euro që i është dhënë hua përbën rreth 2% të xhiros.

Ai ka vërejtur se bashkëshortja e dajës është ortake e vetme e shoqërisë dhe administratore e saj, e për rrjedhojë është e mundur që në një moment të caktuar të kishte mundësinë e përdorimit për një afat 35 ditë të një shume sa 2% të xhiros së shoqërisë në vite.

Subjekti ka pretenduar se, edhe në qoftë se do të pranohet se fitimi i shoqërisë “E” sh.p.k. në vitet 2001 – 2004 është riinvestuar apo përdorur nga shoqëria, përsëri rezulton se fitimi i shoqërisë për vitet 1996 – 2000 është rreth 7 milionë lekë, shumë që sipas tij ka qenë e mjaftueshme dhe në dispozicion të administratores së vetme.

Po ashtu, Meça vëren se në atë periudhë operohej me cash dhe subjektet tregtare mbanin gjendje arke shuma të konsiderueshme që i vinin në përdorim për periudha të shkurtra kohore.

Subjekti ka pretenduar se e ka të pamundur të saktësojë nëse shuma që i është dhënë hua ishte plotësisht apo pjesërisht pjesë e fitimit të shoqërisë, e xhiros së shoqërisë, gjendjes së arkës apo kursimeve të familjes së dajës, por ka këmbëngulur se cilido të jetë burimi i shumës që i është dhënë hua, është i ligjshëm.

Megjithëse është rrëzuar pretendimi i Meçës për të mos e konsideruar si marrëdhënie huaje, Komisioni i ka gjetur bindëse provat e reja dhe ka konkluduar se marrëdhënia e huasë është e vërtetë.

Komisioni vlerëson se veprimet financiare të huamarrjes janë kryer midis personave që gjendeshin në një marrëdhenie të veçantë duke e konsideruar këtë fakt si një rrethanë mirëbesimi dhe bindëse, lidhur me mungesën e nënshkrimit të një deklarate noteriale në momentin e dhënies dhe kthimit të huasë.

Po ashtu, është quajtur mbështetës edhe fakti se pala shitëse është larguar nga territori shqiptar vetëm një ditë pasi është nënshkruar kontrata e shitjes.

Duke ju referuar dy vendimeve të Kolegjit, KPK merr në konsideratë pretendimin se huaja është deklaruar është dhënë për një afat 35-ditor dhe menjëherë pas marrjes së kredisë është shlyer. Po ashtu, Komisioni argumenton se subjekti nuk ka pasur detyrimin ligjor për të pasqyruar në deklaratën periodike të vitit 2004 marrjen dhe kthimin e kësaj huaje, për sa kohë është kthyer brenda vitit kalendarik.

Ndërsa deklarimi në pyetësorin standard çmohet si korrigjim i deklarimit të subjektit në deklaratën “veting”, ku nuk e ka pasqyruar huanë dhe bazuar në rrethanat dhe shpjegimet e provat e depozituara nga Meça, vlerësohet se është arritur të provohet ekzistenca formale e marrëdhënies 35-ditore të huasë, si dhe aftësia financiare e familjes së dajës për dhënien e vlerës 20 mijë euro.

“Në vlerësim të përgjithshëm të sa më sipër, për sa kohë nuk mund të përjashtohet përdorimi i përkohshëm nga subjekti i vlerës 20.000 euro, i mjeteve monetare të provuara si të mjaftueshme, të disponuara nga daja dhe aktiviteti i tij në mars 2004, çmon se kjo rrethanë në vetvete nuk mund të mjaftojë për të passjellë penalizimin e subjektit të rivlerësimit,” çmon KPK në vendimin e konfirmimit në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *