Prokurori Bledar Bejko pas vendimit për riçeljen e hetimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Veting

Komisionerja Publike kërkon shkarkimin e Bledar Bejkos në Kolegj

Institucioni i Komisionerit Publik njoftoi pasditen e të mërkurës më 3 gusht ankimin e ushtruar kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Durrësit, Bledar Bejko. Komisionerja Irena Nino i kërkon Kolegjit që të ushtrojë kontroll në konkluzionet e Komisionit dhe të shkarkojë prokurorin Bejko për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Prokurori Bledar Bejko u konfirmua në detyrë më 26 maj 2022. Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin. Bejko iu nënshtrua dy seancave dëgjimore, me pyetje kryesisht mbi pasurinë dhe profesionalizmin.

Bledar Bejko e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, ai u transferua në Prokurorinë e Fierit dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësit.

Shkaqet për pasurinë

Sipas ankimit të Ninos, Bejko ka shënuar në deklaratën “veting” blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 96.5 m2 në Tiranë në vitin 2008 kundrejt vlerës 87 mijë euro. Si burime krijimi ka deklaruar një transfertë 47 mijë euro nga prindërit e tij që rridhte nga shitja e një apartamenti që ata zotëronin, për çmimin 90 mijë euro; dy kredi konsumatore në shumat 4000 euro dhe 5000 euro të shlyera para afatit; si dhe një kredi e marrë për blerje apartamenti në shumën 30 mijë euro. Në vitin 2008 ka deklaruar si burim shumën 57 mijë euro të dhënë nga prindërit dhe pjesa tjetër nga kredia 30 mijë euro.

Komisioni i kaloi fillimisht barrën e provës për pamundësi financiare në shumën 2.8 milionë lekë për investimin e kryer në këtë pasuri, me argumentin se nuk ishte provuar pagesa e tatimit të fitimit të siguruar nga shitja e apartamentit prej prindërve. KPK konstatoi se ishte kryer deklarim i pasaktë për vlerën e dhënë prej prindërve, pasi në vitin 2008 ishte shënuar 57 mijë euro, ndërsa në deklaratën “veting” vlera 47 mijë euro. Po ashtu, u evidentua se nuk ishin deklaruar në vitin 2008 dy kreditë konsumatore, si dhe ishte kryer deklarim i pasaktë për burimin e përdorur për shlyerjen e tyre pasi në deklaratën “veting” është shënuar se ishin paguar me shuma të dhëna nga prindërit e bashkëshortes, ndërsa gjatë hetimit administrativ Bejko ka shpjeguar se kishin burim të ardhurat e prindërve të tij.

Prokurori Bejko ka deklaruar se prindërit i kanë dhënë shumën 57 mijë euro, ku vlera 47 mijë euro me transfertë bankare nga i ati, ndërsa pjesa tjetër i është dhënë cash për shlyerjen e kredive konsumatore. Ai ka këmbëngulur se shënimi në deklaratën “veting” se për shlyerjen e kredive konsumatore kanë shërbyer të ardhurat e prindërve të bashkëshortes, ka qenë një lapsus.

Në përfundim Komisioni është bindur nga shpjegimet e subjektit dhe ka konkluduar se prindërit e tij kanë pasur mundësi për dhënien e shumës 57 mijë. Pasaktësitë në deklarime të pashoqëruara me mungesa financiare janë vlerësuar se nuk mund të sjellin penalizimin e Bejkos.

Komisionerja Nino e cilëson përfundimin e KPK-së të pambështetur në prova dhe në legjislacionin e vetingut të magjistratëve. Sipas saj, subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2008 një kontratë sipërmarrje me shoqërinë ndërtuese, pagesën e një shume 20 mijë euro në prill të atij viti, si dhe burimin e asaj vlere. Nino shton se kjo marrëdhënie kontraktuale nuk është pasqyruar nga subjekti as në deklaratën “veting”, megjithëse shuma e kthyer nga kjo shoqëri ka shërbyer për blerjen e apartamentit që ai zotëron aktualisht.

Në ankim konstatohet edhe mosdeklarimi i marrjes së kredive konsumatore në vitin 2008 dhe i shlyerjes së tyre të parakohshme. Nino vëren se burimi që ka shërbyer për shlyerjen e kredive konsumatore është bërë i ditur për herë të parë në deklaratën “veting” dhe është i ndryshëm nga sa ka shpjeguar Bejko gjatë hetimit administrativ.

Nino ndan qëndrim të ndryshëm me Komisionin edhe për blerjen e një automjeti nga subjekti në vitin 2007 në Gjermani, transaksion për të cilin Bejko ka deklaruar se e ka kryer për llogari të një shoku dhe se nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi.

Komisioni i ka kaluar Bejkos barrë prove për mospërputhjet e çmimit të blerjes së mjetit në Gjermani në shumën rreth 2 milionë lekë dhe shitjen nga ana e tij për 500 mijë lekë. Po ashtu, KPK ka konstatuar se shuma 2 milionë lekë që i është dhënë subjektit me anë të një deklarate noteriale nga blerësi i mjetit para se Bejko të shkonte në Gjermani, ishte më e madhe nga sa lejohej të mbahej me vete në kalimin e pikës kufitare.

Bejko ka këmbëngulur se mjeti ka kushtuar 2 milionë lekë dhe se shënimi i vlerës 500 mijë lekë në kontratën e shitjes ka qenë një lapsus. Lidhur me shumën e kaluar në pikën kufitare, subjekti ka shpjeguar se rezulton e faktuar se ai ka udhëtuar me bashkëshorten me të cilën në atë periudhë ishin në bashkëjetesë dhe se vlera ka qenë e ndarë në dy pjesë, ku secili kishte me vete më pak nga sa ishte kufiri i deklarimit.

Ndryshe nga Komisioni që është bindur nga shpjegimet e Bejkos, komisionerja vlerëson se ai nuk ka arritur të provonte të kundërtën e barrës së provës në këtë rast. Sipas saj, Bejko nuk ka deklaruar blerjen e mjetit në vitin 2007 dhe as burimin e krijimit. Pretendimi se shuma 500 mijë lekë në kontratën ishte lapsus, konsiderohet prej Ninos në nivel deklarativ.

“Deklarimet e subjektit se e ‘kam blerë këtë automjet vetëm për të ndihmuar shokun tim’, bien ndesh me përmbatjen e kontratës, kur referohet se palët nuk njihen”, konstaton Nino dhe vlerëson se qëndrimi i subjektit gjatë hetimit administrativ e bënë deklarimin e tij për këtë pasuri të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Komisionerja i kërkon Kolegjit që të kontrollojë konkluzionin e Komisionit edhe për një mjet tip Benz, të deklaruar nga subjekti se e ka marrë në përdorim për ta provuar, por që ia kanë vjedhur pas dy ose tre ditëve në vendin që e kishte parkuar poshtë shtëpisë. Bejko ka kryer kallëzim penal për vjedhjen e mjetit.

Duke ju referuar shpjegimeve të subjektit, Nino vëren se bazuar në aktet e hetimit administrativ rezulton se Bejko i ka paguar një shtetasi të panjohur prej tij, të takuar në mënyrë rastësore në një lavazh, një vlerë monetare 1 milion lekë, për të marrë në përdorim një makinë në gjendje jo të mirë dhe me targa të huaja. “Pra, pa dokumentacionin përkatës. Përkundrejt deklarimeve të subjektit se mjeti ishte marrë për provë, nga metariali kallëzues rezulton se subjekti, në cilësinë e pronarit, për aq pak ditë ka investuar duke instaluar një sistem alarmi, i cili siguronte dyert dhe bllokonte motorrinon, si dhe këtë mjet e përdornin familjarët e tij”, vëren Nino duke iu referuar deklarimeve të Bejkos.

Bazuar në aktet e administruara nga Komisioni, komisionerja e konsideron si qasje të pakujdeshme veprimin e kryer nga Bejko në blerjen e këtij mjeti.

Nino kërkon edhe verifikimin e disa transaksioneve bankare të kryera nga bashkëshortja e subjektit në llogaritë e babait të tij. Bejko ka shpjeguar se bashkëshortja i ka kryer veprimet për lehtësi, pasi është punonjëse banke dhe ka theksuar se ajo nuk ka pasur asnjë të drejtë mbi llogaritë e babait të tij.

Në përfundim KPK ka vlerësuar se subjekti i ka shpjeguar bindshëm burimet e krijimit të këtyre transaksioneve, ndërsa Nino konstaton se rezultatet e hetimit bien ndesh me deklarimet e prokurorit Bejko.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK nuk ka gjetur fillimisht probleme për prokurorin Bejko, por pas rishikimit të të dhënave ka siguruar informacione sipas të cilave, kur  subjekti ka ushtruar detyrën në Prokurorinë e Durrësit, dyshohet se është përfshirë në veprime korruptive – konkretisht për lehtësimin e pozitës së të pandehurve duke ndryshuar cilësimin e veprës penale kundrejt mitës. Në përfundim DSIK ka konstatuar papërshtatshmëri.

Për një prej çështjeve të referuara nga DSIK, ka rezultuar se një denoncuese ka kryer kallëzim penal ndaj Bejkos për korrupsion në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku dhe është regjistruar procedim penal. Çështja është pushuar në tetor të vitit 2020 me vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Komisionerja Nino vëren se çështjet e hetuara si rezultat i informacioneve të DSIK-së, janë vlerësuar prej KPK të lidhura me kriterin profesional dhe është arritur në konkluzionin se Bejko ka arritur nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës.

“Komisioneri Publik, ndryshe nga sa ka arsyetuar Komisioni, çmon se në rastet e referuara në raportin e DSIK-së, që ngrenë dyshime për veprime korruptive, paraqesin rrethana të ndryshme nga ato të verifikimit të aftësive profeisonale të subjektit. Në këtë kontekst, në konsideratë dhe të jurispudencës së Kolegjit, është e pamundur që në kuadër të vlerësimit të figurës, të zbatohen standartet e kontrollit të aftësive profesionale”, vlerëson Nino dhe kërkon që të dhënat e administruara nga organet ligjzbatuese të analizohen në raport me gjetjet e tjera për të konkluduar nëse ka elemente të cilat mund të ndikojnë në cënimin e besimit të publikut tek drejtësia, por pa i nxjerrë ato nga kriteri i kontrollit të figurës.

Në kriterin profesional, Nino analizon një sërë çështjet të hetuara nga prokurori Bejko, të verifikuara dhe prej Komisionit, i cili nuk ka konkluduar probleme penalizuese. Komisionerja konstaton çështje ku sipas saj rezulton se subjekti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor në drejtim të zgjidhjes së çështjes, duke treguar mangësi profesionale.

Në përfundim, Nino vlerëson se konstatohen mangësi për kriterin e pasurisë dhe probleme në kontrollin e figurës dhe të aftësive profesionale. “Si dhe në raport me sjelljen e pakujdesshme të subjektit të rivlerësimit në marrdhënie me të tretë, arrin në përfundimin se qëndrimi i Komisionit…, nuk është i mbështetur në një vlerësim të drejtë të fakteve, provave dhe legjislacionit të zbatueshëm”, shprehet Nino në ankim dhe kërkon shkarkimin nga detyra të prokurorit Bledar Bejko.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *