Ish-gjyqtarja Brunilda Malo | Foto: LSA
Analiza KPA Veting

KPA e gjeti të drejtë shkarkimin e Brunilda Malo (Orhani) për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA ka gjetur gjatë shqyrtimit të ankimit të ish-gjyqtares së Apelit Korçë, Brunilda Malo(Orhani) se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK nuk e ka kryer kontrollin për pasurinë në përputhje me legjislacionin për vetingun e magjistratëve, me qëllim verifikimin e mundësisë së subjektit dhe të personave të lidhur për të justifikuar me burime të ligjshme pasuritë e deklaruara në pronësi, përdorim apo posedim.

Në vendimin e arsyetuar të KPA për këtë subjekt rivlerësimi renditen disa raste kur në analizën financiare në Komision janë përfshirë vlera për të cilat nuk është provuar burimi i ligjshëm. Megjithatë, në zbatim të jurispudencës së mëparshme të KPA për mospërkeqësimin e pozitës së subjekteve të rivlerësimit gjatë shqyrtimit të ankimit të kryer prej tyre, nuk janë ndryshuar balancat negative të konkluduara nga Komisioni.

Ish-gjyqtarja Brunilda Malo (Orhani) u shkarkua nga detyra më 7 nëntor të vitit 2019, pasi KPK konkludoi balancë negative në shumën 21 milionë lekë për mbulimin me burime të ligjshme të investimeve dhe shpenzimeve të kryera në vite.

Ky bilanc negativ rezultoi pasi subjekti nuk arriti të provonte ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit nga veprimtaria e tij tregtare gjatë periudhës 2002-2012. Sipas KPK, Malo ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjafueshëm në kriterin e pasurisë, konkluzion që u gjet i drejtë edhe nga KPA që e la në fuqi shkarkimin e saj.

Vendimi i Komisionit u ankimua nga gjyqtarja Malo, e cila pretendoi se KPK nuk ka zbatuar parimet e procesit të rregullt ligjor, ka bërë konstatimin e gabuar dhe në mënyrë jo të plotë të gjendjes faktike të pasurisë, nuk ka kryer procedurat e vlerësimit për kriterin e figurës dhe të aftësive profesionale, si dhe ka bërë interpretim ligjor të gabuar.

Kolegji i gjeti të pambështetura në fakte dhe në ligj këto pretendime të subjektit.

Analiza e pasurisë

Lidhur me vlerësimin e pasurisë, Malo pretendoi në ankim se KPK kishte arritur në rezultate kontradiktore, të ndryshme me rezultatet e hetimit. Sipas saj, nuk mund mund të ishin objekt verifikimi pasuritë e krijuara para fillimit të detyrës, apo ato që nuk janë krijuar nga vetë subjektet e rivlerësimit.

KPA e vlerëson të pabazuar këtë pretendim të Malos. “[…]Trupi gjykues vlerëson se nuk janë kontradiktore përfundimet në analizën financiare që i përket periudhës 2003 – 2016, por ato janë pasqyrim i vlerësimeve paraprake të Komisionit dhe i ndryshimeve që analiza financiare ka pësuar pasi i kishte kaluar barra e provës subjektit të rivlerësimit”, konstaton Kolegji.

Për shkakun e ankimit se nuk mund të jenë objekt verifikimi pasuritë e krijuara para fillimit të detyrës, apo që nuk janë krijuar nga vetë subjektet e rivlerësimit, trupi gjykues vëren se Malo para vitit 2003 kishte krijuar pasuri dhe likuiditete që janë përdorur për kryerjen e investimeve të tjera që janë pasqyruar dhe në deklaratën “veting”.

Malo ka këmbëngulur në ankim se paligjshmëria e të ardhurave të pretenduara të bashkëshortit nga dividendët për vitet 2002 – 2012, duhej të ishte llogaritur deri në masën e tatimit të papaguar, por jo për të gjithë shumën e të ardhurave nga dividendët. Po ashtu, ka kërkuar që të konsiderohet një shumë 4 milionë lekë e përfituar si shpërblim nga bashkëshorti prej ortakëve të shoqërisë dhe vlera e shitjes së kuotave prej 25%, me pretendimin se nuk ishin të tatueshme.

Në vijim subjekti e ka vlerësuar të palogjikshëm dhe në mungesë totale të një metodologjie rezultatin negativ të arritur në analizën financiare, duke renditur si shkaqe ndër të tjera pretendimet se në vitet 1993 – 1998 ka pasur të ardhura nga blegtoria; se të ardhurat për periudhën 1995 – 2002 janë më të larta nga sa Komisioni i ka llogaritur; se nuk janë përfshirë të ardhurat e përfituara nga lejet e lindjes në vitet 1996, 1997 dhe 2000, si dhe nuk janë konsideruar si të ligjshme të ardhurat e përfituara nga qiraja e një lokali në 2015-ën.

Në vendimin e KPA thuhet se subjekti ka kryer deklarime të ndryshme për të ardhurat e bashkëshortit nga dividendët e shoqërisë ku ai ishte ortak, vlera që Komisioni nuk i ka konsideruar si të ligjshme, me argumentin se nuk është provuar shpërndarja e dividendit dhe që bashkëshorti i saj t’i kishte përfituar pas pagimit të tatimit.

Kolegji vëren se me anë të një shkrese të vitit 2015 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë, DRTK është vërtetuar se fitimet neto të shoqërisë për periudhën 2002-2012 ishin në shumën prej 40 milionë lekësh, pa specifikuar lidhur me shpërndarjen e dividendëve apo pagesën e tatimit për shpërndarjen e dividendëve.

Ndërsa nga një shkresë tjetër të kësaj drejtorie e vitit 2017, ka rezultuar shpërndarje dividendi vetëm për dy periudha tatimore, përkatësisht vitet 2009 dhe 2010 nga 200 mijë lekë.

Për pretendimin se të ardhurat nga dividendët konfirmohen nëpërmjet deklarimeve periodike, trupi gjykues vlerëson ato mund të përdoren si provë duke i vlerësuar në harmoni dhe pajtueshmëri të dukshme me provat e tjera. Por, Kolegji konstaton se në rastin e Malos, deklarimet periodike nuk janë në pajtueshmëri të dukshme me provat e tjera të administruara gjatë hetimit administrativ në Komision.

KPA e gjen të pambështetur pretendimin se paligjshmëria e të ardhurave nga dividendët duhej të ishte përllogaritur deri në masën e tatimit të papaguar dhe jo për gjithë shumën e të ardhurave prej dividendëve. “Trupi gjykues vlerëson se është i pambështetur pretendimi i subjektit të rivlerësimit se pasuri e ligjshme është ajo që do të ngelej nëse tatimi do të ishte paguar, për arsye se kushti i pagimit të detyrimeve tatimore është kumulativ”, argumenton KPA.

I pambështetur në ligj është konstatuar dhe shkaku i ankimit ku kërkohet që vlera 4 milionë lekë e përfituar nga bashkëshorti si dëmshpërblim nga ortakët e shoqërisë, duhet të konsiderohet si e ardhur e ligjshme e përjashtuar nga tatimi. Po ashtu, KPA mban të njëjtin qëndrim edhe për shkakun e ankimit se të ardhurat e bashkëshortit nga shitja e kuotave të shoqërisë në masën 25%, nuk ishin të tatueshme pasi nuk ka asnjë akt ekspertimi.

“Neni 8, pika 1, shkronja “f” e ligjit nr. 8438/1998 i ndryshuar, përcakton si të tatueshme të ardhurat e realizuara nga diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së kuotave që një ortak i shet një personi tjetër”, vëren Kolegji dhe e çmon të pambështetur pretendimin e subjektit.

KPA vëren se pavarësisht se nuk është provuar ligjshmëria e këtyre të ardhurave, Komisioni i ka përfshirë në analizë. Trupi gjykues shprehet se në këto dy raste ka ndjekur jurispudencën e Kolegjit lidhur me standardin e mospërkeqësimit të pozitës së subjektit të rivlerësimit në ankim dhe për rrjedhojë nuk është ndryshuar balanca negative e llogaritur në KPK.

Në lidhje me shkakun e ankimit se të ardhurat në analizën financiare për periudhën 1995 – 2002 janë më të larta nga sa Komisioni i ka llogaritur, trupi gjykues vëren se Komisioni nuk ka përfshirë asnjë shpenzim jetese për familjen e subjektit të rivlerësimit. “Përfshirja e të cilave, sipas pretendimeve të subjektit të rivlerësimit, do të rëndonte diferencën e pajustifikuar me burime të ligjshme për të justifikuar pasuritë e deklaruara”, vlerëson KPA dhe e ka lënë të pandryshuar balancën negative të përllogaritur nga Komisioni edhe në këtë rast.

Të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga blegtoria janë vlerësuar në nivel deklarativ pasi nuk janë shoqëruar me dokumentacion provues dhe për këtë arsye nuk janë konsideruar, ndërsa të ardhurat nga lejet e lindjes janë gjetur të pasqyruara në analizën e KPK-së.

KPA ndryshe nga Komisioni ka pranuar pretendimet e subjektit në një rast duke përfshirë në analizën financiare të vitit 2015 të ardhurat nga shitja e mobiljeve të një apartamenti në shumën 2 milionë lekë. Trupi gjykues vlerëson se dyshimet e Komisionit që kishin nisur nga vlera relativisht e lartë e shitjes së sendeve aksesorë, nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar gjendjen e fakteve dhe rrethanave në mënyrë të ndryshme nga sa pasqyrohet në aktet noteriale dhe shkresat bankare.

“[…]Në kushtet kur bindja e Komisionit lidhur me shitjen e sendeve nuk është shoqëruar me shkaqe pavlefshmërie të veprimit juridik, […] dhe, në kushtet kur palët në kontratë, në përputhje me nenin 660 të Kodit Civil, kanë të drejtë të përcaktojnë lirisht përmbajtjen e saj brenda kufijve të vendosur nga legjislacioni në fuqi”, argumenton KPA, por vëren se konsiderimi kësaj vlere nuk e ka shmangur pamjaftueshmërinë e konstatuar për vitin 2015.

Ndërkohë, pranimi i kësaj shume për mobilimin në shumën 2 milionë lekë sipas pretendimeve të subjektit, ka ndikuar negativisht në analizën e vitit 2005 kur është kryer ai shpenzim.

Po ashtu, moskonsiderimi i shpenzimeve të udhëtimit gjatë viteve 2004-2016 sipas kërkesës së subjektit, të llogaritura në shumën 7.7 milionë lekë, e kanë reduktuar balancën negative nga 19.5 milionë lekë në 12.7 milionë lekë për këtë periudhë, por duke mbetur në pamundësi financiare në vlerë të madhe që është konsideruar si deklarim i pamjaftueshëm.

Kolegji kryen një analizë të detajuar për periudhën 2003-2016, nga konstaton se Komisioni nuk e ka kryer kontrollin për kriterin e vlerësimit të pasurisë për Malon në përputhje me legjislacionin për vetingun e magjistratëve, për të verifikuar mundësinë e subjektit dhe të personave të lidhur për justifikimin me burime të ligjshme të pasurive të deklaruara në pronësi, përdorim apo posedim.

“Kjo mënyrë kontrolli, për rrjedhojë ka sjellë mungesë konkluzionesh nga Komisioni për ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurisë së deklaruar në deklarimin e rivlerësimit të pasurisë, duke devijuar konkluzionet për këtë kriter, bazuar në analizën financiare vjetore për periudhën 2003 – 2016”, vëren KPA duke konkluduar se pavarësisht mënyrës së kryerjes së verifikimit të pasurive të subjektit nga Komisioni, Malo rezulton në pamundësi për krijimin e tyre dhe mbulimin e shpenzimeve.

“Për sa i përket tërësisë së pretendimeve të subjektit të rivlerësimit lidhur me rezultatin negativ të të ardhurave me shpenzimet e kryera, trupi gjykues vëren se totali i të ardhurave për periudhën 1995 – 2016, rezulton në shumën prej 38.103.705 lekësh, totali i shpenzimeve në vlerën prej 25.120.844 lekësh, dhe në kushtet kur pasuritë e krijuara për këtë periudhë janë në vlerën prej 27.535.998 lekësh, raporti i pasurive të subjektit të rivlerësimit me pasuritë e konsideruara të ligjshme, është në vlerën 1,99”, citohet në vendim.

Në përfundim KPA konkludon se gjyqtarja Malo deri në momentin e dorëzimit të deklaratës “veting” ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, pasi nga analiza financiare rezulton se gjendet në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara dhe shpenzimet e kryera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *