Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Komisioneri Publik dhe Artan Madani ballafaqojnë konkluzionet në Kolegj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa tha se provat e reja nuk e ndryshonin situatën e drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, ndërsa Artan Madani pretendoi se kishte qenë i sinqertë në deklarime dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta

Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa dhe drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Artan Madani paraqitën të enjten konkluzionet përfundimtare në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke u qëndruar parashtrimeve të tyre të mëparshme.

Artan Madani u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i kualifikimit më 1 korrik 2019, por po përballet tashmë në Kolegj me kërkesën e komisionerit për shkarkimin e tij nga detyra.

Çështja ndaj Madanit është fokusuar kryesisht në blerjen e një apartamenti 146 m2 dhe një garazhi në vitin 2000 në qytetin e Durrësit, kursimet cash dhe një fond investimi, për të cilat Komisioneri pretendon se deklarimet janë kontradiktore dhe të pasakta dhe se Madanit i mungojnë burimet e ligjshme për blerjen e tyre.

Komisioneri Ballhysa konstatoi se provat e reja të depozituara nga Madani për të provuar të ardhurat e kunatit, i cili i ka dhuruar 300 mijë lekë në vitin 2002 dhe 500 euro në 2007-ën, provonin si ai kishte pasur burime të mjaftueshme dhe të ligjshme për dhënien e këtyre shumave.

Por sipas Ballhysës, këto prova nuk e ndryshojnë konstatimin për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të burimit të krijimit të apartamentit dhe garazhit në qytetin e Durrësit.

Po ashtu, Komisioneri Ballhysa i qëndroi konstatimit se prokuori Madani ka kryer deklarim të pamjaftueshëm edhe për një fond investimi në shumën 5.5 milonë lekë dhe për gjendjen cash.

Në përfundim të fjalës së tij, komisioneri Florjan Ballhysa kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Madanit.

Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Madani, avokati Klodian Skënderaj tha para Kolegjit të enjten se se subjekti i rivlerësimit ka qenë bashkëpunues dhe i sinqertë gjatë gjithë procesit. Skënderaj e cilësoi të pavërtetë pretendimin e Komisionerit se Madani i kishte deklaruar dhurimet nga kunati vetëm pas kalimit të barrës së provës.

Në vijim, avokati Skënderaj u ndal më gjatë në mënyrën e deklarimit të apartamentit dhe të garazhit, si dhe të burimeve financiare që kanë shërbyer për krijimin e tyre.

Ai këmbënguli se nuk qëndronte konstatimi i Komisionerit se subjekti kishte banuar në atë apartament që prej vitit 2000, pasi nuk ishin kushtet e nevojshme për jetesë. Sipas Skënderjat, Ballhysa kishte arritur në këtë qëndrim pa marrë parasysh historikun e pallatit ku gjendet apartamenti.

Avokati Skënderaj sqaroi se fillimisht subjekti e kishte deklaruar apartamentin dhe garazhin si një pasuri të vetme, pasi kështu e kishte konsideruar, ndërkohë që në vitin 2016 kishte dhënë shpjegime në ILDKPKI për garazhin. Sipas Skënderajt, vlera e blerjes së apartamentit ka qenë 1 milion e 950 mijë lekë, pasi ka qenë në gjendje karabinaje dhe ka pasur probleme për formalizimin e objektit.

Gjithashtu, ai solli në vëmendje se kishin dorëzuar kontrata të tjera shit-blerje për apartamente me sipërfaqe më të mëdha e çmime më të ulëta.

Ai shtoi se në deklarimin e vitit 2004 i ishte dhënë rëndësi vlerës reale të këtyre pasurive që pas investimeve të kryera, kishin arritur në total në shumën 5.5 milionë lekë.

Përfaqësuesi i Madanit këmbënguli se prindërit e subjektit kishin pasur mundësi t’i jepnin atij vlerën 1.5 milionë lekë si pjesë takuese në momentin që ka ndërprerë bashkëjetesën me familjen e origjinës.

Ai deklaroi se edhe prindërit e bashkëshortes kishin pasur mundësi që t’i jepnin asaj vlerën 350 mijë lekë, që përfaqësonte pajën, si dhe dhurimin e një shume 1 milion lekë. Skënderaj solli në vëmendje se kishin arritur të provonin edhe burimin e vlerës 300 mijë lekë të dhuruar nga vëllai i bashkëshortes në vitin 2002.

Skënderaj deklaroi se të vetmet investime për krijim pasurie ishin kryer deri në vitin 2004 dhe se subjekti dhe familja e tij kishin bërë gjithë kohës jetë modeste.

“Nuk ka pasur transaksione për pasuri të tjerë apo shpenzime luksi. Të vetmet shpenzime të mëvonshme kanë qenë ato për arsimimin e fëmijëve,” theksoi Skënderaj dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Në fund të seancës, prokurori Madani falënderoi Kolegjin dhe deklaroi se ky proces kishte ndikuar shumë në formimin e tij në aspektin ligjor.

“…jam i qetë për shkak të sinqeritetit tim. Nuk ka asnjë rast për zgjidhjen e ndonjë çështje jashtë ligjit. Në këto 30 vite nuk ka pasur e nuk do të ketë rrethanë për ndryshimin e karakterit tim kundrejt zbatimit të ligjit,” deklaroi prokurori Artan Madani dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Kolegji njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më datë 12 maj, ora 10:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *