Prokurorja Manjola Kajana dhe avokatja e saj, para seancës në Kolegjin e Apelimit. Foto:Edmond Hoxha
KPA Lajme Në Fokus

Kreditë dhe adresat, KPA çel hetimin gjyqësor ndaj prokurores Manjola Kajana

Palët lexuan pretendimet para Kolegjit, ndërsa ranë dakord që çështjet e ngritura të rihetoheshin. Komisioneri pretendon se Kajana mund të gjendet në konflikt interesi, por prokurorja ka kundërshtuar këto pretendime.

Prokurorja Manjola Kajana dhe avokatja Romina Zano, para seancës në Kolegjin e Apelimit. Foto:Edmond Hoxha

Komisioneri Publik, Florian Ballhya i qëndroi ankimit të tij ndaj vendimit të konfirmimit në detyrë të prokurores Manjola Kajana, duke pretenduar se Komisioni nuk ka kryer hetim të plotë mbi një gjendje të mundshme të konfliktit të interesit, për pasaktësi e deklarime kontradiktore dhe për ligjshmërinë e burimeve. Prokurorja Kajana i kundërshtoi shkaqet e Komisionerit, por u shpreh dakort për çeljen e hetimit dhe verifikimin e gjithë fakteve.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, vendosi premten më 6 mars, të çelë hetimin gjyqësor lidhur ankimin e kryer nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ndaj vendimit të Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurores Manjola Kajana, e cila është përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Trupa gjykuese e Kolegjit e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Luan Daci relator dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz e Ardian Hajdari anëtarë e morën vendimin pas kërkesave për riçelje të hetimit të kryer nga Ballhysa i cili u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe të prokurores Kajana që i kundërshtoi ato.

Duke përmendur rëndësinë e veçantë të prokurorit të SPAK, Komisioneri Ballhysa theksoi se pas verifikimit të situatës faktike të dala nga hetimi administrativ i Komisionit, vendimi për konfirmimin në detyrë të Kajanës përmban shkaqe për t’iu nënshtruar rivlerësimit në Kolegj.

Ballhysa evidentoi mungesë të hetimit mbi gjendjen e mundshme e konfliktit të interesit midis Kajanës dhe funksionit të magjistratit lidhur me përfitimin e një trajtimi preferencial në marrjen e një kredie; për ligjshmërinë e aplikimit të përfitimit të statusit si i pastrehë nga bashkëshorti në Fier kur ajo ishte prokurore atje; për deklarimet e pasakta dhe kontradiktore në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës dhe për çështje të tjera të lidhura me burimet e ligjshme të të ardhurave të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të.

Prokurorja Kajana u paraqit në KPA e shoqëruar nga përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja, Romina Zano. Në seancën e të premtes, kryesuesja Mulaj u bëri me dije palëve, se në KPA ishin depozituar dy denoncime në adresë të prokuores Manjola Kajana.

Kajana u konfirmua nga KPK në detyrë më 19 qershor, por vendimi i Komisionit u apelua në Kolegjin e Posaccëm të Apelimit.

Konflikti i Interesit

Për evidentimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit, Komisioneri analizon aplikimin e kryer nga bashkëshorti i Kajanës për përfitimin e statusit si i pastreh në Bashkinë e Fierit, ndërsa prokuroria e këtij rrethi po hetonte një kallëzim ndaj kësaj bashkie për kryerjen e veprimeve të paligjshme nga ana e funksionarëve saj pikërisht në dhënien e kredive lehtësuese.

Komisioneri evidentoi se gjatë periudhës 2012-2014 kur prokuroria e Fierit po hetonte për këtë çështje dhe e ka dërguar dosjen për gjykim, funksionarë të organit të hetimit kanë aplikuar si të pastrehë dhe janë shpallur përfitues të kredive të buta. Ballhysa theksoi se mes përfituesve ishte edhe bashkëshorti i prokurores Kajana.

“Kjo periudhë përkon me kohën gjatë së cilës edhe bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit, në cilësinë e kryefamiljarit, rezulton se ka ndjekur procedurat administrative dhe është përfshirë në listën e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Fier për përfitimin nga programi social i strehimit (kredi e butë), ndërsa subjekti i rivlerësimit kryente funksionet e prokurores pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier”, pohoi Ballhysa.

Ballhysa u ndal edhe në një kredi të përfituar nga bashkëshortët Kajana në degën e BKT-Fier. Sipas tij, rezulton se në kredinë e disbursuar në mars të 2014-ës është aplikuar normë interesi bono thesari, në dukje preferenciale krahasuar me normat e interesit të aplikuara nga kjo bankë në aneksin bashkëlidhur kontratës së kredisë. “Edhe në këtë rast, nuk rezulton që Komisioni të ketë hetuar mbi gjendjen e mundshme të konfliktit të interesit midis subjektit të rivlerësimit në funksionin e prokurorit, në drejtim të përfitimit të kësaj norme preferenciale”, theksoi Ballhysa.

Ai kërkoi të verifikohet nëse prokurorja Kajana ka kryer veprime hetime ndaj Bashkisë së Fierit apo zyrtarëre të kësaj të fundit dhe nëse Kajana gjatë periudhës tetor 2009-korik 2013 kur ka shërbyer pranë Prokurorisë së Durrësit dhe të Fierit ka hetuar zyrtarë të Bashkisë së Fierit apo Bankës Kombëtare Tregëtare, ku ka marrë kredinë.

Që në fillim të fjalës, prokurorja Manjola Kajana u shpreh dakort për çeljen e hetimit gjyqësor dhe verifikimin e gjithë shkaqeve të paraqitura nga Komisioneri Ballhysa.

Kajana tha se nuk kishte hetuar asnjëherë zyrtarë të Bashkisë së Fierit apo punonjës të BKT-së në këtë qytet. “Theksoj se në korrik të vitit 2012, kur është regjistruar kallëzimi penal për të cilin është vendosur mosfillimi, unë isha me detyrë prokurore në Durrës. Procedimi tjetër është nisur më datë 30 tetor 2012, ndërsa bashkëshorti e ka kryer aplikimin në fillim të muajit”, sqaroi Kajana.

Ajo shtoi se nuk kishte pasur dijeni për këto procedime, duke argumentuar se hetimi është sekret dhe prokurori i çështjes ka detyrim ta ruajë.

“Për të arritur në konkluzionin se kam cënuar besimin e publikut duhet që çështja të shikohet në tërësi. Fakti se ILDKPKI nuk ka konstatuar dhe nuk ka marrë ansjëherë masë për konflikt interesi tregon se qëndrimi i Komisionerit Publik është i padrejtë”, theksoi Kajana. Ajo depozitoi si prova vërtetime të Prokurorisë së Fierit që sipas saj vërtetonin se nuk kishte hetuar zyrtarë të Bashkisë së Fierit apo punonjës të BKT-së.

Statusi si i pastrehë

Ballhysa evidentoi faktin se në listën emërore të familjeve të pastreha të miratuar nga Këshilli i Bashkisë Fier më datë 30 tetor 2012 të cilat kishin aplikuar për të përfituar kredi me kushte lehtësuese, figuronte edhe emri i bashkëshortit të prokurores Kajana.

Ballhysa tha se bazuar në legjislacionin përkatës, përfituesi nuk duhet të ketë banesë në pronësi, por në dosjen e KPK ka rezultuar se në qershor të vitit 2012 familja Kajana ka përfituar nga Enti Kombëtar i Banesave një apartament banimi në qytetin e Durrësit.

Sipas Komisionerit, sipërfaqja e banesës në Durrës është mbi normën e përcaktuar për përfituesit e statusit si të pastrehë, ndërkohë që për vitin 2012 të ardhurat mesatare mujore të familjes Kajana janë në shumën rreth 232 mijë lekë. Gjithashtu, në emër të prokurores dhe bashkëshortit të saj kanë rezultuar depozita bankare në vlerën totale 5.7 milionë lekë.

Sipas Komisionerit ata nuk kishin të drejtë të përfitonin kredinë dhe deklarimi i Kajanës se ata nuk e kishin përfituar kredinë, nuk mjafton për të konkluduar mbi ligjshmërinë e aplikimit. “Vetë subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se: ‘…Kjo kontratë nuk u ekzekutua nga ana e bankës, për shkak se siç na njoftoi banka, pas lidhjes së kontratës, Bashkia e Fierit nuk kishte më kuota në dispozicion për këtë kategori kredish”, argumentoi Ballhysa.

Kajana theksoi se pavarësisht aplikimit për të përfituar një kredi të butë për të blerë një apartament, realisht nuk kanë përfituar nga subvencionet shtetërore dhe se nuk kanë pasur asnjë lehtësi fiskale që ka dëmtuar interesat e shtetit.

Ajo shpjegoi se bashkëshortit i lindte e drejta, pasi apartamenti 40 m2 kishte vetëm një dhomë ndenjeje 17 m2, një koridor, banjon dhe ballkonin. Sipas Kajanës në një apartament të tillë nuk mund të jetonin dy familje të përbëra nga katër persona gjithsej dhe se për këtë arsye kishin jetuar me qira. Ajo theksoi se në dokumentacionin e këtij apartamenti evidentohet disa herë cilësimi si “kabinë plazhi”. Kajana shpjegoi se i ishin drejtuar me kërkesë drejtorisë së Strehimit në Ministrinë e Fiancave për të marrë informacion zyrtar në lidhje me përcaktimin e sipërfaqes minimale për banim ndërsa shtoi se Ministria e Financës kishte konkluduar se banesa në Durrës nuk i plotësonte nevojat për strehim të familjes së tyre dhe se u lindte e drejta për të aplikuar për strehim.

Prokurorja Kajana shpjegoi se në atë kohë, bashkëshorti i kishte ndërprerë marrëdhëniet e punës dhe kishin vendosur të jetonin në Fier, pranë vendit të saj të punës. Ajo depozitoi si prova të reja, shkresën e Ministrisë së Financave.

Më pas u ndal në pretendimin e Komisionerit lidhur me të ardhurat e konsiderueshme në kohën e aplikimit. Sipas Kajanës, në muajin tetor kur bashkëshorti kishte aplikuar, të ardhurat familjare përbëheshin vetëm nga paga e saj, pasi bashkëshorti e kishte ndërprerë marrdhënien e punës që në fillim të muajit shtator 2012. Ajo sqaroi se pas dorëheqjes, bashkëshorti kishte përfituar pagesën e dy muajve.

Ajo shtoi se bashkëshorti i saj kishte kryer një aplikim si të gjithë qytetarët e thjeshtë dhe se ka pritur si gjithë të tjerët që të vlerësohet nga bashkia. “Dua të theksoj se ne nuk jemi favorizuar as padrejtësisht dhe as ligjërisht”, tha Kajana dhe sqaroi se vlera që kishin në bankë nuk mund të shërbente për blerjen e një apartamenti për shkak të nevojave të familjes.

Për kredinë e marrë në BKT, Kajana e konsideroi si një hua bankare në respektim të dispozitave përkatëse ligjore interesat e të cilës vijonte ti paguante.

Lidhur me kërkesën e Komisionerit për administrimin e gjithë praktikës së aplikimit për kredinë e butë në Bashkinë e Fierit, Kajana tha se i ishin drejtuar dy herë këtij insitutcioni me kërkesë për të njëjtën gjë, por se dokumenacioni i serviur nuk kishte qenë i plotë. Ajo dorëzoi si prova përgjigjet e Bashkisë Fier dhe kërkoi që të mundësohej marrja e dokumentacionit të plotë nga Kolegji.

Deklarime të pasakta dhe ligjshmëria e burimeve

Për shkakun tjetër të ankimit, atë të deklarimeve të pasakta dhe kontradiktore të prokurores Kajana në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës, Komisioneri Ballhysa pohoi se mbeten të paqarta lëvizjet e gjendjeve civile dhe deklarimit të banesave, në funksion të përfitimit nga privatizimi i Entit të Banesave për apartamentin në Durrës të vjehrrit të subjektit, ashtu dhe për përfitimin e të drejtës së kredisë si familje e pastrehë në qytetin e Fierit.

“Evidentimi i pasaktësisë dhe i kontradiktave të këtyre deklarimeve, së bashku me rezultatet e hetimit mbi veprimet e kryera në funksion të përfitimit nga statusi i të pastrehëve për qëllime përfitimi financiar, janë sjellje të subjektit të rivlerësimit që duhen vlerësuar në raport me detyrën”, kërkoi  Ballhysa.

Lidhur me pasaktësitë dhe deklaratat kontradiktore në pasqyrimin e adresave të banimit, Kajana shpjegoi se kishte nisur të jetonte me bashkëshortin e saj në tetor të vitit 2009. Ajo tha se familja ka jetuar me qira dhe jo në garsonierën e privatizuar në 2012-ën.

Kajana sqaroi se kur kishin shkuar me familjen për të jetuar në vitin 2012, kishin zhvendosur edhe gjendjen civile në këtë bashki dhe se ndryshimi ishte kryer për shkak të punësimit të saj. “Deri në korrik 2013 kishim dy adrresa derisa blemë apartamentin në Yzberisht”, sqaroi ajo duke shtuar se kishte dhënë shpjegime të qarta për adresat e banimit.

Kajana theksoi se ishte kryer tre herë kontrolli i pastërtisë së figurës për të dhe se nuk kishte dalë asnjëherë me probleme. “Në asnjë rast ligji nuk penalizon subjektin për pasaktësi kur ato janë të paqëllimshme”, pohoi ajo.

Komisioneri nga ana e tij evidentoi mungesë të hetimit të KPK edhe pë burimet e ligjshme të të ardhurave të bashkëshortit të prokurores Kajana për vitet 2013 – 2014. Sipas tij, një pjesë e të ardhurave për këtë priudhë nuk duhet të llogariten si burime të ligjshme në analizën financiare pasi nuk janë kryer pagesat e detyrimeve tatimore.

Kajana theksoi se edhe sipas kontratës së punësimit ka qenë e përcaktuar se detyrimet tatimore do të paguheshsin nga punëdhënësi dhe se ata nuk kanë qenë në dijeni se nuk është kryer. Ajo sqaroi se pagesa është kryer më vonë, por se Drejtoria Rajonale e Tatimeve Dibër nuk u ka dhënë informacion dhe kërkoi që Kolegji të kërkonte informacion lidhur me këtë gjë.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të lejojë administrimin e provave, të paraqitura nga Kajana dhe në funksion të hetimit të shkaqeve të ankimit, vendosi të kërkojë: administrimin e një dosjeje gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier lidhur me hetimin e gjykimin e zyrtarëve të Bashkisë Fier për abuzimin me kreditë e buta, si edhe informacion pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Bashkisë së Fierit dhe Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Dibër.

Trupi gjykues u vuri në dispozicion palëve në proces dy denoncime të depozituara pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndaj prokurores Kajana dhe caktoi seancën e radhës më datë 26 mars 2020, ora 9:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *