Gjyqtari i Vlorës, Laurent Fuçia.
KP Lajme

ONM kërkon që profesionalizmi i Laurent Fuçisë të vlerësohet nga Kolegji

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u kërkoi Komisionerëve Publikë më 25 prill që të ankimojnë pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Vlorës, Laurent Fuçia. Sipas ONM-së, Fuçia nuk arriti të përmbyste barrën e provës për shumicën e gjetjeve në kriterin profesional.

Laurent Fuçia u konfirmua në detyrë nga KPK më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritursa në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme dhe në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta. Për rrjedhojë, në vlerësimin tërësor të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, në përfundim u konkludua se Fuçia është i aftë profesionalisht.

Por ONM vlerëson ndryshe, ndërsa çmon se vlerësimi i saktë i provave të çështjes dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor përkatës, do t’i japë bazë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rrëzojë vendimin e Komisionit. ONM kërkon rishikim gjyqësor për të gjithë shtyllën e vlerësimit të aftësive profesionale.

Lidhur me një ankesë të Prokurorisë së Përgjithshme për mosrespektim formal të ligjit në revokimin e një mase arresti dhe shuarjen e masës të një personi të kërkuar për ekstradim, ONM vlerëson se pavarësisht justifikimeve të subjektit për paqartësinë e dispozitës ligjore, është e qartë se interpretimi i tij i gabuar ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së dy procedurave të ndara, atë të zbatimit të masës së sigurisë dhe vendimarrjes për ekstradimin.

Në vijim, ONM parashtron një vendim të Fuçisë, duke theksuar se pjesa e dytë e arsyetimit rrëzon të parën. “Është flagrante dhe e pashpjegueshme,” vlerëson ONM dhe evidenton vendimarrje të nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe pa marrë parasysh faktet e çështjes.

ONM konstaton se sjella e subjektit gjatë një gjykimi ngre dyshime për integritetin. Po ashtu, në rekomandim theksohet se shkeljet procedurale mbeten.

“Komisioni dështoi të zbatonte standardet e sakta për vlerësimin e aftësisë profesionale … dhe bëri një referencë selektive e të paplotë të standardeve paraprake,” citohet në rekomandimin e ONM-së, që e konsideron të nevojshëm shqyrtimin e çështjes nga KPA për të vlerësuar nëse Fuçia ka aritut nivelin minimal për profesionalizmin, sipas parashikimeve të legjislacionit për vetingun e magjistratëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *