Prokurorja Enkeleda Osmani (Xhengo) dhe përfaqësuesi i saj ligjor, Julian Mërtiri pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA

Vendimi i KPA për Enkeleda Osmanin u bazua në parimin e objektivitetit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA rrëzoi një pjesë të shkaqeve të ngritura në ankimin e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa ndaj konfirmimit të prokurores së Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo), duke paraqitur arsyetim të ndryshëm mbi faktet e administruara gjatë hetimit administrativ dhe gjykimit në shkallën e dytë të vetingut. Bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, Kolegji i çmoi balancat negative të mbetura në tre vite të pamjaftueshme për të sjellë penalizim, duke lënë në fuqi konfirmimin në detyrë të Xhengos.

Osmani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK në korrik të vitit 2020, por vendimi për konfirmimin e saj u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik, pasi sipas tij nuk kishte prova të mjaftueshme që të ardhurat e bashkëshortit të deklaruara në deklaratat vjetore ishin me burim të ligjshëm.

Ankimi i Komisionerit u përqëndrua kryesisht në burimet e krijimit të dy apartamenteve, një automjeti, si dhe në mbulimin e shpenzimeve në dy vite. Në përfundim ai kërkoi shkarkimin nga detyra të Xhengos.

KPK arriti në konkluzionin se nuk kishte paqartësi apo dyshime në lidhje me një apartament me sipërfaqe 111.87 m2 në Tiranë; se subjekti e ka deklaruar saktë këtë pasuri; si dhe ka pasur burime të ligjshme financiare për krijimin e saj.

Komisioneri ngriti pretendime se sipas analizës financiare për vitet 2006, 2007 dhe 2008, subjekti dhe bashkëshorti nuk mbulojnë me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe insvestimet e kryera për këtë pasuri.

Sipas Ballhysës, përfundimet e KPK-së nuk janë të bazuara në prova, në ligjin e zbatueshëm dhe në jurispudencën e Kolegjit. Ai pretendoi se Xhengo nuk arriti të provojë të ardhurat e bashkëshortit nga punësimi në një shoqëri, të deklaruara në vitet 2006-2008 në shumën totale 2 milion e 560 mijë lekë.

Ballhysa konstatoi se nuk provohej që punësimi të jetë rregulluar me një kontratë midis palëve; se vlera e deklaruar e pagës nuk është kaluar nëpërmjet sistemit bankar; si dhe se nuk është provuar për këtë periudhë marrja e shumave të deklaruara në asnjë nga mënyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Po ashtu, ka rezultuar se detyrimet tatimore nuk janë paguar në kohë dhe sipas shumave të deklaruara, por janë paguar gjatë procesit të rivlerësimit.

Bazuar në këto konstatime, Komisioneri Publik vlerësoi se të ardhura të ligjshme nga punësimi i bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në këtë shoqëri, duhej të konsideroheshin vetëm të ardhurat neto, të konfirmuara nga institucionet shtetërore. Ai konkludoi se subjekti gjendej në kushtet e pamundësisë për justifikimin e një pjese të të ardhurave që kanë shërbyer si burim për krijimin e kësaj pasurie.

Subjekti i cilësoi të pabazuara pretendimet e Ballhysës, duke këmbëngulur se provat që ka dorëzuar gjatë hetimit administrativ në Komision, si dhe gjatë gjykimit në Kolegj, dëshmojnë qartë për ekzistencën e marrëdhënies së punës dhe pagën që ka përfituar bashkëshorti i saj, pavarësisht faktit se është lidhur në mënyrë verbale.

Sipas Xhengos, bazuar në legjislacionin e kohës, përgjegjësia ligjore për përllogaritjen, mbajtjen dhe derdhjen e detyrimeve tatimore bie mbi punëdhënësin. Ajo pretendoi se bashkëshorti ka qenë në kushtet e padijenisë absolute për mospagimin e detyrimeve tatimore nga punëdhënësi, pasi paga është marrë gjithmonë e plotë – ose është tërhequr me çeqe bankare, ose është dhënë me mandatpagesë.

Subjekti kundërshtoi pretendimet e Komisionerit se vlera e pagës nuk ka kaluar nëpërmjet bankës, duke theksuar se detyrimi pagesave nëpërmjet sistemit bankar, është parashikuar si detyrim në vitin 2015, ndërkohë që periudha kohore e ankimuar është 2006-2008.

Kolegji vëren se subjekti i ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit për periudhën 2006-2008. Për të provuar marrëdhënien e punës së bashkëshortit të saj si inxhinier ndërtimi, ajo ka depozituar një sërë dokumentesh të shoqërisë në fjalë, ku ka gjurmë të personit të lidhur.

Ndërkohë, për të vërtetuar pagesat e kryera nga shoqëria ndaj bashkëshortit të saj, subjekti ka paraqitur mandatpagesat për disa muaj. Gjithashtu, ka paraqitur të dhëna bankare lidhur me tërheqje shumash, të kryera referuar çeqeve bankare të emetuara nga shoqëria punëdhënëse.

Po ashtu, ka dorëzuar në deklaratë noteriale të punëdhënësit, i cili deklaron se bashkëshorti subjektit ka qenë i punësuar si inxhinier ndërtimi në periudhën korrik 2002 deri në gusht 2008, me pagë 80 mijë lekë në muaj, që një pjesë është shlyer me para në dorë dhe pjesa tjetër me çeqe bankare. Punëdhënësi ka sqaruar se deklarimi i pagës në organet shtetërore dhe pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është bërë duke iu referuar pagës minimale.

KPA i ka rrëzuar si të pabazuara pretendimet e Komisionerit se ishte e pamundur që të vlerësoheshin të ardhurat reale të bashkëshortit të subjektit nga punësimi.

Kolegji çmon se u provua egzistenca e marrdhënies së vazhdueshme të punës së bashkëshortit të subjektit në këtë shpoqëri, si dhe mungesa e dijenisë së tij lidhur me faktin se kontributet ishin derdhur për pagën bruto minimale dhe jo për vlerën e rrogës së pasqyruar në deklarimet periodike. Ndërkohë, për një vit ka rezultuar se punëdhënësi nuk kishte shlyer detyrimet.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti i saj nuk mbulojnë me të ardhura të ligshme pagesat për apartamentin dhe shpenzimet e investimet e tjera të kryera në vitet 2006 dhe 2008, duke rezultuar e bilanc negativ në shumën totale 739 mijë lekë.

KPA vëren se kjo pamundësi e shtrirë në dy vite, është afektuar tërësisht nga mënyra e përllogaritjes së të ardhurave nga pagat e përfituara nga bashkëshorti i subjektit në një shoqëri ku ka punuar, që është dhe pretendimi thelbësor i Komisionerit Publik lidhur me këtë pasuri.

“Duke vlerësuar se e ardhura e përllogaritur si e përfituar nga personi i lidhur, […], nuk është e ardhura reale, por e ardhura e përfituar më së paku prej tij, trupi gjykues evidenton se nuk përjashtohet mundësia që paga e përfituar të ketë qenë në vlerën e deklaruar në deklaratat periodike dhe atë të rivlerësimit, e në këtë rast mungesa e burimeve të ligjshme për periudhën objekt kontrolli, do të ishte dukshëm më e ulët sesa ajo e rezultuar nga analiza financiare”, arsyeton KPA për në analizën e apartamentit në Tiranë.

Komisioneri Publik ka kundërshtuar edhe konkluzionet e Komisionit për një apartament banimi në Golem në Kavajës dhe për një automjet të llojit “Audi A2”. Ndryshe nga KPK që nuk ka gjetur probleme, Komisioneri Publik ka ndarë qëndrim të ndryshëm përsa i përket mbulimit me burime të ligjshme të shumës së paguar nga subjekti prej kursimeve cash deri në vitin 2011.

Sipas Ballhysës, mbetet i pabazuar pretendimi i subjektit mbi përdorimin e kursimeve në cash të deklaruara në deklaratën periodike të vitit 2010, si burim për krijimin e pasurive dhe në mbulimin e shpenzimeve deri në prill të 2011-ës, për sa kohë që nuk është pasqyruar pakësimi i këtyre likujditeteve.

Komisioneri konstatoi se deklarimet e subjektit gjatë hetimit administrativ mbi posedimin dhe ndryshimin e likuiditeve në cash deri në vitin 2011, nuk përputhen me deklaratat e saj vjetore.  Bazuar në këto argumente, ai konkludoi se subjekti gjendet me balancë negative në vlerën 849 mijë lekë për blerjen e këtyre pasurive.

Xhengo i cilësoi pretendimet e Ballhysës të pabazuara dhe kërkoi që të mos merren kë konsideratë këto shkaqe ankimi. Ajo parashtroi se mosdeklarimi i burimit të krijimit dhe pakësimit të gjendjes në cash në deklaratën periodike të vitit 2011 duhet konsideruar si pasaktësi. Duke iu referuar praktikës së Kolegjit, ajo theksoi se pasaktësitë në deklarimet periodike, që nuk janë të shoqëruara me mungesë të burimeve të ligjshme, nuk mund të konsiderohen si shkak që sjell penalizim.

Kolegji vëren se pamundësia financiare e konstatuar prej Komisionerit është afektuar tërësisht nga moskonsiderimi i shumës prej 1 milion lekësh kursime në cash.

“…Trupi gjykues konstatoi se subjekti i rivlerësimit, […], megjithëse nuk ka deklaruar sipas detyrimit ligjor pakësimin e kursimeve në cash, ajo ka deklaruar se burimi i krijimit të pasurisë ‘apartament banimi në {***}, Kavajë’ dhe ‘automjet, tip Audi A2’ janë të ardhurat dhe kursimet”, konstaton KPA.

Sipas KPA-së, megjithëse shuma e akumuluar e kursimeve në cash nuk është deklaruar e pakësuar nga në deklaratën periodike të pasurisë të vitit 2011, rezulton të jetë identifikuar në të njëjtin deklarim si burim krijimi për apartamentin në Golem të Kavajës dhe për automjetin. Po ashtu, Kolegji vëren se edhe në deklaratën “veting”, është saktësuar se kursimet në cash janë përdorur si burim krijimi për apartamentin në Golem.

Për rrjedhojë, Kolegji e konsideron si pasaktësi, mosdeklarimin e pakësimit të kursimeve në fund të vitit 2011, duke çmuar se nuk përfaqëson realisht ecurinë e situatës financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personit të lidhur për këtë vit. Për të arritur në këtë konkluzion, KPA është bazuar dhe në rezultatin e analizës financiare, nga ka rezultuar se subjekti ka pasur mundësi të krijonte kursimet cash në fund të vitit 2010 dhe t’i përdorte ato për krijimin e këtyre dy pasurive në 2011-ën.

Në përfundim, Kolegji ka vlerësuar ta përfshijë shumën e deklaruar si të kursyer në të ardhurat e përdorura për blerjen e pasurive në vitin 2011, duke konkluduar bilanc pozitiv.

Kolegji, ashtu si Komisioneri, ka vlerësuar se subjekti ka pamundësi financiare në vitin 2015. Megjithatë, balancat negative në tre vitet 2006, 2008 dhe 2015, në vlerën totale 981 mijë lekë, janë vlerësuar bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, duke u çmuar si të pamjaftueshme për të cënuar vendimin e Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurores Enkeleda Osmani (Xhengo).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *