Këshilltari ligjor i KLP, Erion Pano pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Erion Pano jep shpjegime për pasurinë dhe shpenzimet e një ndërhyrje kirurgjikale

Këshilltari ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Erion Pano u përball të martën më 22 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative të konstatuara për kursimet që kanë shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti, si dhe për situatën në dukje të trajtimit preferencial nga shoqëria e sigurimeve SIGAL në mbulimin e shpenzimeve për një ndërhyrje kirurgjikale në Itali, bazuar në një policë sigurimi për aksidente, të paguar prej tij vetëm dy ditë përpara se të aksidentohej.

Pano pranoi se kishte pasur pasaktësi në deklarimin e kursimeve deri në vitin 2010, por ai pretendoi se i kishte korrigjuar në deklaratën “veting” dhe në shpjegimet e dhëna gjatë hetimit administrativ, si dhe këmbënguli se, kishte arritur që me argumentet dhe provat e depozituara të kishte përmbysur barrën e provës. Lidhur me pagesën e policës së sigurimit për aksidente vetëm dy ditë para se t’i ndodhte aksidenti, subjekti u shpreh se kjo ishte një koicidencë, por që pasqyronte rrethanat faktike.

Trupa e KPK që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Pano kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit nderkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Erion Pano e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficer i policisë gjyqësore dhe është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2005. Prej vitit 2013 deri në 2018-ën ai ka ushtruar funksionin e zëvendësdrejtuesit në këtë prokurori dhe nga viti 2020 është komanduar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Barra e provës për pasurinë

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 83 m2 në vitin 2011 kundrejt çmimit 61 mijë euro, Pano ka deklaruar dy hua në shumat 10 mijë euro dhe 3 milionë lekë, bono thesari me burim kursimet e tij dhe të bashkëshortes, si dhe gjendjen cash në vite.

Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti është porositur në vitin 2010 nga bashkëshortja e subjektit dhe shlyerja e çmimit është kryer me dy këste, 25 mijë euro në vitin 2010 dhe 36 mijë euro në 2011-ën.

Relatorja Zhegu sqaroi se huadhënësit kishin rezultuar me mundësi financiare për dhënien e shumave 10 mijë euro dhe 3 milionë lekë. Por, është konstatuar balancë negative për krijimin e bonove si dhe mospërputhje të kursimeve cash të deklaruara në vite nga subjekti me shpjegimet që ai ka dhënë gjatë hetimit administrativ. Zhegu nuk bëri të ditur vlerën totale të balancave negative, por nga sa u shpjegua prej subjektit, u mësua se ishte në shumën rreth 3.2 milionë lekë.

Sipas Zhegut, subjekti i ka pranuar pasaktësitë në deklarimet e gjendjes cash dhe ka kërkuar që të konsiderohen shpjegimet e dhëna së fundmi. Bazuar në përllogaritjen e deklarimeve të gjendjeve cash në vite, Komisioni ka gjetur pamundësi financiare në shumën 383 mijë lekë për krijimin e tyre në vitin 2016.

Ndërkohë, nuk janë konstatuar probleme në blerjen e dy garazheve në Tiranë dhe të një trualli po në kryeqytet, ku subjekti rezulton përfitues i 1/3-ës pjesë takuese nëpërmjet trashëgimisë ligjore.

Prokurori Pano u ndal gjatë në shpjegimet e tij lidhur me deklarimet në vite të gjendjeve cash dhe të kursimeve. “Jam i vetëdijshëm se në deklarimet vjetore deri në vitin 2010 ka pasur pasaktësi për gjendjen cash. Por pasaktësitë janë pasojë e një konteksti të caktuar që ka të bëjë me të kuptuarin e mënyrës së deklarimit,” pohoi Pano dhe theksoi se nuk ka pasur qëllim për shmangie apo fshehje nga verifikimi. Ai këmbënguli se nëse do të analizohen të gjithë deklarimet vjetore për kursimet, ato do të rezultojnë në harmoni me deklaratën “veting”.

Pano paraqiti shpjegimet e tij në mënyrë të detajuar për deklarimet e cash-it dhe kursimeve në çdo vit. Subjekti vërejti se një shënim në shpjegimin e dhënë në ILDKPKI në vitin 2013 për mbetjen e një gjendje cash në vitin 2011 kishte të bënte me një gabim formal të personit që kishte hartuar procesverbalin, ndërsa se ai vetë ishte treguar i pakujdesshëm për ta lexuar me vëmendje. Sipas Panos, në vitin 2013 kishte deklaruar pakësimin e gjendjes cash në shumën 1.3 milion lekë, ndërsa nuk kishte deklaruar mbetjen e vlerës 1.5 milionë lekë që ishte shënuar gabimisht. Subjekti argumentoi se nuk mund të mbetej gjendje cash në 2011-ën, pasi ishte paguar kësti i dytë për apartamentin në shumën 36 mijë euro.

Ai vijoi se nuk kishte pasqyruar në deklarimet periodike tërheqjen e bonove të thesarit, pasi nuk i kishte konsideruar si shtim pasurie, por si një lëvizje fizike të kursimeve që dispononte. Pano theksoi se ishte provuar se bonot e thesarit nuk ishin përdorur për krijimin e ndonjë pasurie tjetër, por vetëm për apartamentin.  Subjekti vërejti se në analizë financiare nuk ishte përfshirë paga e bashkëshortes si pedagoge dhe një shpërblim i marrë prej tij. “Kemi pasur burime të ligjshme për krijimin e bonove të thesarit në vlerën 1.9 milionë lekë. Pasaktësitë janë korrigjuar në deklaratën ‘veting’ dhe në shpjegime. Nuk kam pasur qëllim që të fsheh pasuri,” deklaroi Pano dhe solli në vëmendje jurispudencën e KPA-së sipas të cilës, pasaktësitë e pashoqëruara me mungesë të burimeve të ligjshme nuk mund të sillnin penalizim.

Pano theksoi se kishte arritur të vërtetonte se nuk qëndronte balanca negative e konstatuar nga Komisioni në vlerën rreth 3.2 milionë lekë, pasi ai dhe bashkëshortja kishin pasur burime financiare të ligjshme nga pagat e tyre dhe interesat e bonove të thesarit për të krijuar gjithë kursimet që kanë shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të apartamentit dhe shlyerjen e huave.

Po ashtu, Pano kundërshtoi edhe balancën negative të konstatuar për gjendjen e cash-it në vitin 2016. sipas tij, kishin pasur mbartje të gjendjes cash nga vitet e mëparshme dhe rezultonin me balancë pozitive në 2016-ën.

Ai kërkoi që në vlerësimin e burimeve që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë, të zbatohej jurispudenca e KPA-së lidhur me parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Trajtimi preferencial

Subjekti ka deklaruar mbulimin e shpenzimeve shëndetësore në masën 20 mijë euro në vitin 2017 nëpërmjet një police sigurimi të shoqërisë së sigurimeve SIGAL. Zhegu tha se nga hetimi nuk ka rezultuar që të jetë konstatuar ndonjë rast konflikti interesi me shoqërinë, por janë ngritur dyshime për trajtim të mundshëm preferencial. Sipas relatores, subjekti ka shpjeguar se gjithçka është bazuar në policën e sigurimeve që parashikonte mbulimin e shpenzimeve shëndetësore në rast aksidenti.

Prokurori Pano shpjegoi se më 1 prill të vitit 2017 kishte paguar një policë për sigurimin e shëndetit në rast aksidenti pranë shoqërisë SIGAL. Sipas tij, dy ditë më vonë ishte aksidentuar rëndë duke dëmtuar femurin dhe se i nevojitej një ndërhyrje kirurgjikale e specilizuar jashtë shtetit, pasi mjekët i kishin shpjeguar se nuk mund të realizohej në Shqipëri.

Subjekti pohoi se nuk mund të kishte dyshime për trajtim preferencial dhe se shoqëria nuk kishte ngritur ndonjë pretendim për rastin e tij. “Është një marrëdhënie kontraktore sipas legjislacionit në fuqi”, theksoi Pano.

Lidhur me këtë situatë ai u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar Francesco Ciardi, i cili vërejti se policia e sigurimit ishte nënshkruar më datë 1 prill 2017, se më datë 3 prill kishte ndodhur aksidenti dhe gjashtë ditë pas nënshkrimit të policisës së sigurimit ishte marrë trajtimi shëndetësor në Itali. Chiardi e pyeti subjektin nëse zotëronte dokumentacion të vizitave mjekësore të kryera në Shqipëri, pas aksidentit.

Pano e cilësoi situatën si një rastësi interesante.

“Por është fakt i ndodhur. Edhe në rrethin shoqëror e familjar përdoret si ‘anektodë’. Nuk e di nëse ka qenë fati i keq apo fati i mirë. Por isha brenda afatit të siguruar dhe kam paraqitur vërtetim nga shoqëria se nga kontrollet e ushtruara nuk është gjetur diçka specifike për rastin tim”, pohoi Pano dhe shtoi se nuk e di se çfarë dokumentesh mund të ketë lidhur me kryerjen e ekzaminimeve.

Subjekti vërejti se do ta kishte gjetur një mundësi për t’u kuruar. “Bëhej fjalë për shëndetin dhe jo për shpenzim luksi’, pohoi ai.

Figura dhe profesionalizmi

Prokurori Pano mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Po ashtu, nga tre dosjet e përzgjedhura nga subjekti dhe nga pesë të shortuarat në kuadër të rivlerësimit profesional, KPK nuk ka gjetur probleme.

Ndërkohë, Zhegu relatoi se ndaj subjektit janë depozituar në tre prokurori të ndryshme tre kallëzime penale për shpërdorim detyre dhe veprime arbitrare, por është vendosur mosfillimi i hetimeve. Një prej kallëzimeve të depozituara në SPAK është pushuar me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe aktualisht është në gjykim në Gjykatën e Lartë.

Nga hetimi administrativ është evidentuar një vendimarrje e prokurorit Pano për pushim hetimesh që është rikthyer nga gjykata dy here, me arsyetimin se nuk janë kryer hetime të plota.

E njëjta situatë është konstatuar edhe në një prej tre çështjeve të denoncuara nga publiku. Zhegu tha se për një prej çështjeve të hetuara nga subjekti, duket se nuk janë kryer veprimet hetimore të urdhëruara nga gjykata.

Prokurori Pano sqaroi se në trajtimin e këtyre çështjeve kishte urdhëruar policinë gjyqësore që të kryente veprimet hetimore dhe se pas mbledhjeve të provave kishte konkluduar se nuk kishte vepër penale e duhej të pushoheshin.

Ai vërejti se gjykata e kishte shfuqizuar një prej vendimeve të pushimit se nuk ishte kryer ballafaqimi i personit të kallëzuar me kallëzuesin. “Pavarësisht se pyetja e këtij shtetasi nuk është kryer, nuk ka lënë asnjë pasojë”, pohoi Pano dhe pretendoi se nuk qëndronte vendimarrja e gjykatës për hetime të paplota, pasi në vendimin e tij kishte interpretuar vlerën e provave.

Subjekti u shpreh se kishte pasur bindjen se ballafaqimi nuk do të sillte risi dhe se kështu kishte ndodhur. Sipas tij, në vijim gjykata e ka pranuar kërkesën për pushim, edhe pse nuk ka paraqitur arsyetim ligjor për dhënien e një vendimi ndryshe nga hera e mëparshme.

Për çështjen tjetër, Pano sqaroi se personat e kallëzuar ishin marrë të pandehur dhe se ishte kryer bashkim me një dosje që po hetohej nga një prokuror tjetër.

Në përfundim, prokurori Pano kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 nëntor, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *