Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Arben Smaçi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Vendi

KPK: Prokurori Arben Smaçi kreu deklarim të rremë për çmimin e apartamentit

Procesi i vetingut për prokurorin e Shkodrës Arben Smaçi zbuloi se ai kishte kryer deklarim të rremë për çmimin e një apartamenti në Tiranë, që pretendonte se e kishte blerë në shumën 50 mijë euro, në të njëjtën ditë që shitësi e kishte blerë vetë për 90 mijë euro.

Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Arben Smaçi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Shkodrës, Arben Smaçi u shkarkua nga detyra më 21 korrik 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ka kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme për pasurinë. Gjithashtu, u konklduan mungesa financiare në vlera të mëdha për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve në vite. Rivlerësimi për prokurorin Smaçi u përfundua vetëm në kriterin e pasurisë.

Smaçi e ka filluar karrierën në vitin 2010 në prokurorinë e Durrësit dhe në vitin 2011 është emëruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në vendimin e arsyetuar të KPK vlerësohet më së shumti mbi një apartament që Smaçi ka pretenduar se e ka blerë kundrejt çmimit 50 mijë euro, ndërkohë që shitësi e kishte porositur këtë banesë të njëjtën ditë, kundrejt vlerës 90 mijë euro.

Në deklaratën veting, subjekti ka pasqyruar një kontratë premtim shitje për blerje apartamenti me sipërfaqe 123.3 m2 në Tiranë për shumën 50 mijë euro. Si burim të çmimit Smaçi ka deklaruar të ardhurat nga paga; kursimet e realizuara ndër vite nga paga si prokuror dhe bursa e e Shkollës së Magjistraturës në shumën totale 3 milionë lekë; interesat bankare; të ardhurat e sjella nga vëllai në Angli dhe gjatë kohës që ka qenë emigrant ilegal në Greqi; si dhe një hua në shumën 20 mijë euro. Ai ka deklaruar se gjithë vlerën 50 mijë euro e ka shlyer në vitin 2015.

Komisioni ka hetuar mbi origjinën e kësaj prone prej nga ka rezultuar se më datë 15 maj 2015, pala investitore, shoqëria H. sh.p.k. ka marrë përsipër të ndërtojë për shtetasin Xh. B. apartamentin në fjalë për çmimin e përgjithshëm 90 mijë euro që do të shlyhej në llogaritë bankare të përcktuara nga sipërmarrësi.

Po në të njëjtën ditë, si dhe menjëherë pas aktit të sipërpërmendur, është lidhur kontrata për premtim shitje midis blerësit Xh.B., i cili në kontratën e dytë ka qenë në cilësinë e shitësit dhe prokurorit Arben Smaçi premtues blerës, si dhe me pëlqimin e shoqërisë ndërtuese për kalimin e të drejtave pronësisë së këtij apartamenti kundrejt shumës 50 mijë euro.

“Siç vërehet në kontratën e shitjes së pasurisë, çmimi i shitjes së pasurisë te blerësi i parë shtetasi Xh. B. është 90.000 euro, ndërsa vlera e paguar nga subjekti i rivlerësimit si blerës i dytë, te po ky shtetas, është 50.000 euro”, konstaton KPK.

Komisioni ka verifikuar edhe vlerën e pasurisë prej nga ka rezultuar se sipas çmimeve të referencës apartamenti duhej të kushtonte rreth 1.1 milion lekë më shumë.

Pretendimet e subjektit se shitësi kishte përfituar disa apartamente pasi ishte pronar i një pjese të truallit ku ishte ndërtuar kompleksi; se ishte në një pozocion të pafavorshëm dhe i vetmi dhe i fundit në llojin e vetë, nuk janë gjetur bindëse prej Komisionit.

Trupi gjykues vëren se subjekti nuk është i qartë në deklarimet e tij që janë konsideruar edhe të pavërteta. Nga informacionet që Komisioni ka marrë prej shoqërisë ndërtuese është mësuar se vlera 90 mijë euro e apartamentit është likujduar në rrugë bankare. Vlera 55mijë e 310 euro i është likujduar shoqërisë H. sh.p.k. nga Xh.B. nëpërmjet shtatë pagesave, ku 50 mijë euro kanë qenë ato që ka dhënë subjekti në momentin e kontratës së premtim shitjes. Ndërkohë, ka rezultuar se subjekti ka likujduar po për llogari të shoqërisë ndërtuese edhe shumën 34 mijë e 960 euro nëpërmjet gjashtë pagesave të kryera cash.

“Subjekti ka kryer depozitime cash në llogarinë e shoqërisë “H.” sh.p.k. në vlerën totale prej 34.960 euro, me përshkrim pagesa për të blerë apartamentin me nr. ***, e cila së bashku me shumën prej 50.000 euro likuiduar në vitin 2015 shtetasit Xh. B. (i cili ia ka kaluar shoqërisë në vitet 2016 – 2019), përbejnë vlerën prej 84.960 euro”, konstaton Komisioni dhe vlerëson se vlera e dokumentuar e paguar nga subjekti për blerjen e pasurisë është 84 mijë e 960 euro, që është e përafërt me vlerën 90 mijë euro.

Komisioni ka verifikuar edhe pretendimet e tjera të Smaçit. Nga krahasimi i 11 kontratave të tjera ka rezultuar se çmimet e tyre për m2 kanë qenë gati dyfishi i çmimit të deklaruar nga subjekti, duke iu referuar vlerës 50 mijë euro. Gjithashtu, është rrëzuar pretendimi se apartamenti është blerë lirë për shkak të pozicionit të keq, pasi dy apartamente të tjera pranë atij të subjektit janë blerë me çmim për m2 rreth dy herë më të lartë.

Është gjetur i pavërtetë edhe pretendimi tjetër i Smaçit se një nga shkaqet e shitjes më lirë ka qenë se apartamenti i tij është shitur i fundit. Komisioni ka gjetur se rreth një muaj e gjysmë më vonë është lidhur një tjetër kontratë sipërmarje midis shoqërive.

KPK nuk ka konsideruar se Smaçi ka kryer fshehje të shumës 40 mijë euro të paguar mbi vlerën e pretenduar 50 mijë euro, pasi një pjesë e pagesave është kryer pas plotësimit të deklaratës veting. Megjithatë në përfundim, Komisioni çmon që subjekti ka kryer deklarim të rremë të çmimit te blerjes së apartamentit.

Nga analiza financiare e kryer mundësinë e pagesës së shumës 50 mijë euro në vitin 2015 ka rezultuar balancë negative në shumën 4 milionë lekë, ndërsa për likujdimin e shumës 31 mijë e 965 euro në vitin 2016 është konstatuar balancë negative 5.3 milionë lekë. Nga analiza e përgjithshme financiare për periudhën e rivlerësimit, ka rezultuar balancë negative në shumën 7.3 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *