Gjyqtarja Mariana Shegani në KPK | Foto : B. Likmeta
Analiza KPK Vendi

Mungesa e burimeve dhe pasaktësitë penalizuan gjyqtaren Mariana Shegani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi se gjyqtarja e Tiranës, Mariana Shegani nuk ka patur burime financiare për pagesën e dy apartamenteve dhe një autoveture. Pasaktësitë në deklarimet e burimeve të krijimit të pasurive, të pretenduara të paqëllimta nga gjyqtarja Shegani, e kanë rënduar pozitën e saj gjatë vlerësimit tërësor. 

Gjyqtarja Mariana Shegani në KPK | Foto : B. Likmeta

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 23 shkurt 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Tiranës Marjana Shegani(Dedi) pasi u gjetën pamundësi financiare për krijimin e disa pasurive, si dhe pasaktësi në deklarime për të cilat subjekti u justifikua se kishin ndodhur nga pakujdesia.

Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Firdes Shulin shprehet në vendimin e zbardhur sëfundmi se gjyqtarja Shegani nuk ka patur mundësi për blerjen e një apartamenti në Tiranë, një apartamenti tjetër në Kavajë dhe të një automjeti, pasi ka rezultuar me balancë negative në vlerën totale 3 milionë e 998 mijë lekë për krijimin e këtyre pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera në vite.

Ndërkohë, gjyqtarja Shegani është vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe aspektin profesional.

Shegani e ka filluar karrierën në vitin 1992 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku edhe ka vazhduar të ushtrojë detyrën për gati tri dekada.

Apartamenti në Tiranë

Komisioni në vendim del në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 113 m2 në Tiranë, të blerë kundrejt vlerës 50 mijë e 820 USD.

Trupi gjykues i KPK shprehet në vendim se e ka arritur këtë përfundim bazuar në deklarimin e pasaktë dhe jo të plotë të burimit të kësaj pasurive, si dhe për shkak të mos justifikimit të burimit të ligjshëm të një huaje të pretenduar nga Shegani.

Si burim të krijimit të kësaj pasurie, gjyqtarja Shegani ka deklaruar një kredi të marrë në korrik të vitit 2003. Por sipas kontratës së shitjes të vitit 2019, pagesa e parë në shumën 10 mijë USD është kryer në tetor të vitit 2002; kësti i dytë në shumën 7 mijë euro është paguar më 15 shkurt 2003; kësti i tretë në vlerën 6 mijë euro është shlyer në tetor të vitit 2003 dhe në dhjetor të 2004-ës është paguar kësti i fundit prej 23 mijë e 329 USD. Vlera totale e paguar, sipas kontratës së shitjes, rezulton në shumën 46 mijë e 329 USD.

Nga hetimi ka rezultuar se kredia është disbursuar pasi ishin shlyer dy këstet e para të apartamentit, konkretisht: shuma 17 mijë e 500 USD në gusht të vitit 2003; në dhjetor të vitit 2004 vlera 24 mijë e 500 USD dhe 10 mijë USD në dhjetor të 2006-ës.

Nisur nga ky konstatim, Komisioni i ka kërkuar Sheganit të shpjegojë se si është kryer likujdimi i kësteve të apartamentit, pasi rezultonte që pjesa më e madhe e kredisë të ishte disbursuar më vonë se koha kur ishin kryer pagesat.

Subjekti i ka qëndruar pretendimit të saj se burim i krijimit të apartamentit ka qenë kredia bankare, ndërkohë që ka shtuar se për dy pagesat e para në shumën 17 mijë USD, është ndihmuar nga motra në shumën 2 milionë lekë. Ajo ka deklaruar se këtë vlerë ia ka kthyer motrës pas disbursimit të kredisë.

Pasi KPK i ka kërkuar sqarime se me kredinë e cilit vit e ka likuiduar motrën e saj, gjyqtarja Shegani ka deklaruar se kthimi i shumës 2 milionë lekë është bërë në harkun kohor 2003 − 2008.

Në përfundim, Komisioni ka vlerësuar të mos e përfshijë në analizën financiare huanë e deklaruar prej subjektit gjatë hetimit administrativ, pasi nuk është pasqyruar prej subjektit, as në deklaratën periodike të vitit 2003 dhe as në atë veting.

Gjithashtu, KPK konstaton se Shengani nuk ka arritur të provojë burimin e ligjshëm të vlerës së dhënë hua nga e motra.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar se Shegani nuk ka patur mundësi financiare në shumën 1 milion e 677 mijë lekë për të paguar dy këstet e para të kësaj pasurie, të kryente investimet e tjera, si dhe të përballonte shpenzimet familjare.

Subjektit i është kaluar barra e provës edhe për mosdeklarimin e huasë në deklaratën vjetore dhe atë veting, si dhe për të justifikuar me dokumentacion justifikues ligjshmërinë e burimit të shumës që ka marrë nga motra.

Shegani ka pohuar se mosdeklarimi i ndihmës financiare të marrë nga motra ka qenë një pakujdesi e paqëllimtë në deklaratën periodike 2003, pasi edhe kredia është disbursuar pjesërisht po atë vit, prej dhe nga është likuiduar një pjesë e huasë.

Në lidhje me mospërmendjen e ndihmës financiare edhe në deklaratën veting, ajo ka pretenduar se mangësia është krijuar për shkak të kohës së hershme të marrjes së huasë.

Trupi gjykues shprehet se, për një gjykim objektiv të kësaj çështje, e vlerësoi këtë situatë edhe nën kontekstin e pretenduar nga gjyqtarja Shegani, duke analizuar bazuar në dokumentacionin e vënë në dispozicion prej saj.

Për shkak se ka rezultuar se familjarët e subjektit, nuk kanë patur mundësi t’i jepnin hua shumën 2 milionë lekë, si dhe për shkak të mosdeklarimit të këtij transaksioni si dhe shlyerjes ndër vite, Komisioni ka vendosur në përfundim që të mos e konsiderojë huan e pretenduar dhe si pasojë balanca negative për krijimin e kësaj pasurie ka mbetur e pandryshuar.

Apartamenti në Kavajë dhe pakujdesitë

Gjyqtarja Shegani rezultoi në pamundësi financiare edhe për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 87.50 m2 në Kavajë, të porositur në mars të vitit 2008 kundrejt vlerës 35 mijë euro +  335 mijë lekë.

Si burim krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 45.5 m2 në Kavajë dhe pagat.

Komisioni konstaton se subjekti ka deklaruar me saktësi marrëdhënien kontraktore të shitjes së banesës me sipërfaqe 45.5 m2, nga e cila është përfituar shuma prej 27 mijë euro, që ka shërbyer si një prej burimeve të apartamentit të porositur në Kavajë në vitin 2008.

Ndërkohë, KPK ka analizuar edhe investimin e kryer për këtë pasuri, të deklaruar për herë të parë nga subjekti në vitin 2003. Shegani ka deklaruar se e ka blerë këtë pasuri pas vitit 1990 për shumën 2.6 milionë lekë dhe si burim krijimi ka shënuar kursime nga paga dhe ndihma nga anëtarët e familjes. Ndërsa në kontratën e shitblerjes së vitit 2002, vlera është në shumën 3.6 milionë lekë.

Subjekti ka sqaruar se vlera reale e apartamentit është 3.6 milionë lekë, ndërsa shuma 2.6 milionë ka qenë një lapsus nga ana e saj.

Lidhur me kontributin e familjarëve, Shegani ka sqaruar se ka si burim të ardhurat e siguruara prej nënës së bashkëshortit nga një marrëdhënie qiraje 500 USD në muaj me një subjekt gjerman gjatë periudhës 1994-1998, në total në vlerën 24 mijë USD.

Komisioni ka vendosur të mos i konsiderojë në analizën fiananciare të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga qiraja, pasi nuk është provuar me dokumentacion marrëdhënia e qirasë, vlera e mujore, si dhe nuk ka rezultuar që të ishin paguar detyrimet tatimore në atë periudhë.

Ndërkohë, në analizë është përfshirë një shpenzim në shumën 500 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 1996.

Në përfundim, ka rezultuar se gjyqtarja Shegani ka qenë në pamundësi financiare në shumën 1 milion e 354 mijë lekë për të investuar në këtë pasuri.

Pamundësi financiare ka rezultuar edhe për blerjen e një autoveture në janar të vitit 2014, kundrejt shumës 18 mijë euro, si burim krijimi së të cilës, Shegani ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një makine tjetër dhe nga pagat.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka vërtetuar dot pagesën e këstit të parë më 3 janar të 2014-ës kundrejt shumës 10 mijë euro, pasi nuk ka deklaruar gjendje cash në vitin 2013, si dhe nuk ka kryer ndonjë tërheqje nga llogaritë bankare përpara likuidimit të kësaj shume.

Pretendimi i Sheganit se ka pasur gjendje cash në fund të vitit 2013 dhe me të ka paguar këstin e parë prej 10 mijë nuk është konsideruar prej KPK. Sipas Komisionit, një shumë e tërhqeur nga subjekti në tetor të vitit 2013, nuk korrespondon me këstin e paguar. “Data e tërheqjes me datën e përdorimit të saj relativisht pasqyrojnë një periudhë kohore të largët”, konstaton trupi gjykues.

“Subjekti pretendon se ka pasur jo vetëm shumën prej 915.000 lekësh të tërhequr nga llogaria e saj bankare, por edhe shuma të tjera nga të ardhurat nga pagat e vitit 2013 të bashkëshortit, por pa e cilësuar saktësisht se sa mund të ketë qenë kjo gjendje”, vëren Komisioni dhe konstaton se subjekti nuk e ka deklaruar saktë gjendjen e saj të likujditeteve.

Në përfundim të analizës financiare, duke mos përfshirë gjendjen cash të pretenduar, por duke marrë në konsideratë të ardhurat nga shitja e automjetit, Shegani ka rezultuar në pamundësi financiare, në shumën 966 mijë lekë për shlyrjen e çmimit të mjetit të blerë në në vitin 2014.

Gjatë analizimit të një pasurie tjetër, një apartamenti me sipërfaqe 102.98 m2 në Pogradec, Komisioni vëren se subjekti nuk ka deklaruar burimin  e krijimit në vitin 2015 kur është blerë kjo pronë, si dhe gjendjen cash në fund të vitit 2014 në shumën 2 milionë lekë, vlerë që bashkëshorti rezultonte ta kishte tërhequr në dhjetor të 2014-ës.

Shegani edhe në këtë rast ka shpjeguar se mungesa e deklarimit ka ardhur si pasojë e pakujdesisë. “Trupi gjykues, për të mos rënë në përsëritje, konkludon se subjekti në tërësi në këtë vendimmarrje karakterizohet nga disa pasaktësi, për të cilat rast pas rasti është arsyetuar dhe ku disa prej tyre nuk mund të anashkalohen në vlerësimin tërësor bazuar në analizën specifike të fakteve dhe, për rrjedhojë, në pasojën që passjell”, vëren Komisioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *