Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtari i Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja ngel në veting

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra për gjyqtarin Lubonja, pas konstatimeve në seancën dëgjimore se ai kishte mungesë burimesh financiare dhe mijëra dollarë dhurata nga SHBA.    

Gjyqtari Sotiraq Lubonja gjatë seancës dëgjimore të KPK-së | Foto nga : Besar Likmeta

Gjyqtari i Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja “ngeli” në veting të hënën, pasi hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konstatoi probleme me pasurinë e tij dhe dhuratat e përfituara nga familjarët.

Në seancën e shkurtër të shpalljes së vendimit, kryetarja e trupit gjykues, Suela Zhegu deklaroi se Komisioni vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Sotiraq Lubonja është anëtari i shtatë i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që shkarkohet  për shkak të problemeve të zbuluara gjatë procesit të rivlerësimit. Nga 11 anëtarët e zgjedhur me short të KED në fund të vitit 2017, vetëm dy anëtare e kanë kaluar me sukses vetingun, ndërkohë që procesi vazhdon edhe për dy anëtarët e fundit.

Seanca dëgjimore me gjyqtarin Lubonja u zhvillua më 3 tetor, ku ai u përball me rezultatet e hetimit për pasurinë e tij. Sipas KPK-së, gjyqtari kishte deklaruar shtëpi banimi me sipërfaqe 61 m2 në Korçë, por nuk kishte deklaruar shtesat pa leje që sipas Komisionit i kishin kushtuar 6.37 milionë lekë dhe për të cilat, gjyqtari Lubonja nuk kishte burime të mjaftueshme.

Relatorja nënvizoi gjithashtu gjatë seancës se subjekti ka deklaruar gati 4 milionë lekë dhurata nga e ëma e ndjerë gjatë periudhës që ajo ka qenë pensioniste, për të cilat kjo e fundit nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme. Gjithashtu, në vitin 2005 vjehrri me banim në SHBA, ka bërë një depozitë në emër të bashkëshortes së subjektit me vlerë 25,000 USD. Vjehrri, në vite të ndryshme ka bërë dhurata ndaj djemve të subjektit me vlerë 11,000 euro dhe 5000 USD. Ai gjithashtu i ka dhuruar çiftit Lubonja pensionin e tij në Shqipëri në vitin 2015 dhe 2017 me vlerë 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë.

Sipas KPK-se gjyqtari Lubonja dhe familja e tij kanë ndërmarrë udhëtime të shpeshta në SHBA, të cilat janë vlerësuar me një kosto prej 3.7 milionë lekë dhe sipas gjyqtarit janë paguar nga vjehrri dhe kunati. Gjithashtu KPK ka mësuar se djemtë e gjyqtarit gjatë këtij viti kanë porositur një apartament 3+1 dhe garazh në Tiranë, me vlerë 79 mijë euro, plus 5 mijë euro për garazhin. Kjo porosi është akoma në proces vlerësimi nga Komisioni.

Në fjalën e tij përpara Komisionit gjyqtari Lubonja u justifikua për dhuratat në vlerë të lartë të marra nga e ëma e ndjerë, duke u shprehur se ato ishin kursimet familjare ndër vite, ndërkohë që kërkoi konfirmimin në detyrë.

“Nëna administronte pasurinë e shtëpisë. Këto para janë kursime nga paga ime dhe e bashkëshortes,” tha ai.

Gjyqtari Lubonja gjithashtu shtoi se vlerësimi i KPK-së për koston e udhëtimeve të tij në SHBA nuk ishte real.

“Me 100 USD në Amerikë ha bukë sa të duash,” tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *