Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Entela Prifti-kryetare e Gjykatës së Apelit Korçë

Kryetarja e Apelit të Korçës, Entela Prifti do të përballet më 8 tetor me procesin e vetingut. Si është rritur pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Kryetarja e Apelit të Korçës, Entela Prifti do të përballet më 8 tetor me procesin e vetingut. Si është rritur pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Entela Prifti, kryetare e Gjykatës së Apelit të Korçës do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 8 tetor. Trupa gjykuese që ka kryer hetimin administrativ ndaj gjyqtares Prifti drejtohet nga Firdes Shuli dhe ka si anëtarë Roland Ilian dhe Etleda Çiftjen.

Entela Prifti ushtron prej 10 vitesh detyrën e kryetares së Gjykatës së Apelit të Korçës, që pas emërimit të saj në vitin 2008. Më parë, ajo ka ushtruar detyrën e gjyqtares pranë së njëjtës gjykatë. Në vitin 2011, Entela Prifti ka qenë anëtare e Kolegjit Zgjedhor. Paralelisht me detyrën, ajo ka ushtruar gjithashtu mësimdhënie në degën e universitetit “Kristal” në Korçë për një periudhë disavjeçare.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Entela Prifti nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar e kryetares së Gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Entela Prifti deklaronte pasuri familjare  me vlerë 8 milionë lekë në vitin 2003-viti i parë i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë. Duke iu referuar deklaratës së saj të parë të dorëzuar në ILDKPKI, Prifti zotëronte 1/3 pjesë takuese në dy apartamente si dhe një sipërfaqe toke prej 1 mijë metrash në Voskopojë. Ajo deklaronte gjithashtu se bashkëshorti zotëronte 8% të aksioneve me vlerë rreth 6.5 milionë lekë në kompaninë e ndërtimit Beton Plus si dhe hua në vlerën e 6 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtares Prifti kap shumën e deklaruar të 26 milionë lekëve, ku pjesën kryesore e përbëjnë pasuritë e paluajtshme. Përgjatë 15 viteve të deklarimit, familja e gjyqtares rezulton të ketë blerë dy apartamente të tjera si dhe ka përfituar një njësi me sipërfaqe ndërtimi 519 metra katrorë në Korçë.

Kjo pasuri rezulton të jetë fituar në vitin 2012 nga kompania Beton Plus, në këmbim të 8 për qind të aksioneve që bashkëshorti i gjyqtares zotëronte në këtë kompani dhe ka shërbyer në vitet e mëpasme si një burim i rëndësishëm të ardhurash përmes qerasë.

Vlera monetare e deklaruar për pasuritë e paluajtshme familjare të gjyqtares Entela Prifti është 17.8 milionë lekë. Në fund të vitit 2017, ajo zotëron familjarisht edhe 6.9 milionë lekë likujditete në bankë dhe 1.1 milionë lekë kursime në cash.

Për periudhën deklaruese 2003-2017, gjyqtarja Entela Prifti ka realizuar të ardhura familjare  në vlerën e 59.6 milionë lekëve. Paga e saj dhe e bashkëshortit, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Korçë zënë 68 për qind të të ardhurave. 25 për qind e të ardhurave janë siguruar nga dhënia me qira e pronave të patundshme, ndërsa 5.5 për qind e totalit të të ardhurave e zënë fitimet nga shit-blerja e pronave.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të gjyqtares Entela Prifti, nga të cilat dy prej deklaratave rezultojnë me mungesë burimesh të deklaruara në vlerën e rreth 1.98 milionë lekëve.

BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamur të kuq” transaksionin financiar që solli krijimin e pasurisë  “godinë me sipërfaqe ndërtimi prej 519 metrash katrorë”, e përfituar përmes shkëmbimit të aksioneve me vlerë rreth 6.5 milionë lekë.

BIRN identifikoi gjithashtu se gjyqtarja Entela Prifti ka marrë një kredi bankare prej 70 mijë eurosh në vitin 2011, por nuk është deklaruar qëllimi i marrjes së kësaj kredie apo destinacioni i parave.

Borxhet e deklaruara në vitin 2003 me vlerë 6 milionë lekë janë një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë, pasi në fund të vitit 2017, familja e gjyqtares rezulton të ketë ende pa shlyer 2 milionë lekë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *