Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtari Ahmet Jangulli shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkodrës, pas konstatimit se nuk kishte burime të mjaftueshme për pasurinë, dyshimeve për favorizim dhe zvarritjeve të proceseve gjyqësore. Jangulli i kundërshtoi gjetjet e KPK-së.

Gjyqtari Ahmet Jangulli gjatë shpalljes së vendimit të shkarkimit nga detyra.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ahmet Jangulli të premten, pasi hetimi administrativ zbuloi probleme në të tre kriteret e rivlerësimit. Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkodrës ishte i pranishëm në sallë, kur kryesuesja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari lexoi vendimin e ndërprerjes së karrierës së tij në drejtësi.

Ahmet Jangulli ka ushtruar funksionin e gjyqtarit prej më shumë se dy dekadash dhe para emërimit në Gjykatën Administrative të Shkodrës, ka punuar si kryetar i Gjykatës së Bulqizës dhe gjyqtar në Dibër.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 3 tetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për mungesë burimesh të ligjshme për kursimet me vlerë 12 milionë lekë, favorizim të një pale në proces, zvarritje të përsëritura të gjykimit dhe në disa raste, mungesë të etikës.

Gjyqtari Jangulli i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe pretendoi se analiza financiare nuk kishte marrë parasysh pagën e bashkëshortes notere. Ai kundërshtoi gjithashtu gjetjet e DSIK-së për një rast të dyshuar korrupsioni dhe u ankua që Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk e kishte dëgjuar, kur më parë ndërmori një procedim disiplinor ndaj tij.

“Kam pasuri modeste me burime të ligjshme,” tha Jangulli në seancën dëgjimore.

Gjatë hetimit administrativ, gjyqtarit i kishte kaluar barra e provës për një automjet “Mercedes Benz” me vlerë 1.1 milionë lekë, të përfituar nga shkëmbimi i makinës së tij të blerë për 570 mijë lekë në vitin 2005 si dhe huatë me vlerë 12 milionë lekë që gjyqtari Jangulli u ka dhënë pa interes personave të afërm të tij.

“Nga analiza financiare rezulton se subjekti nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare për të blerë automjetin në vitin 2005,” tha relatorja Bekteshi. Ajo shtoi gjithashtu se Jangulli dhe bashkëshortja e tij kanë mungesë burimesh financiare të ligjshme për kursimet me vlerë 12 milionë lekë, të cilat më pas u janë dhënë hua tre personave të ndryshëm.

Dyshimet mbi pasurinë u pasuan në seancë nga raporti i DSIK-së, përmes së cilit gjyqtari Jangulli konsiderohet i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Hetimi administrativ për kriterin e aftësive profesionale ishte gjithashtu penalizues për gjyqtarin Jangulli, ndaj të cilit u tha se kishte pasur 16 ankesa në KLD për zvarritje të gjykimit apo mungesë të etikës në sallën e gjyqit; gjashtë prej të cilave ishin arkivuar dhe 10 të tjera ishin verifikuar në të shkuarën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *