KPA lë në fuqi shkarkimin e Artan Brocit

KPA lë në fuqi shkarkimin e Artan Brocit

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit la në fuqi vendimin e shumicës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e Artan Brocit.

Artan Broci pas seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve në Tiranë më 27 korrik 2017. Foto: BIRN

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit la në fuqi në mënyrë unanime të premten vendimin e marrë me shumicë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të shkarkuar gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Artan Broci.

Trupa e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Ardian Hajdari relator, Albana Shtylla, Luan Daci, Sokol Çomo, anëtarë, vendosi në dhomë këshillimi që vendimi për shkarkimin e Brocit ishte i drejtë. “Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” të ligjit nr.84/2016, vendosi në mënyre unanime: Lënien në fuqi të vendimit nr.53, datë 31.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Broci”, thuhet në vendimin që është përfundimtar.

Broci u shkarkua me shumicë votash nga KPK më 31 korrik të vitit që shkoi. Dy anëtaret e trupës Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja argumentuan se gjyqtari Artan Broci “nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë” si dhe ka marrë notë negative në kriterin e aftësive profesionale, duke “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

Sipas vendimit të shumicës, hetimi administrativ për gjyqtarin Broci ka zbuluar raste ku ai ka bërë deklarime të pamjaftueshme dhe kontradiktore, ka mungesë burimesh financiare të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të rremë lidhur me vlerën reale të blerjes së një shtëpie në plazhin e Durrësit. Shkarkimi i gjyqtarit Broci motivohet gjithashtu nga bindja e dy anëtareve të trupit gjykues se ai ka pasuri të fshehur të padeklaruar dhe se në të paktën në dy raste, gjendej në situatën e konfliktit të interesit.

Anëtarja e tretë e trupës Xhensila Pine ishte në pakicë në këtë rast arsyetoi se Broci nuk ndodhej në asnjë nga rastet e parashikuara në nenin 61 të ligjit 84/2016 për shkarkimin nga detyra. Pine ka argumentuar se gjyqtari Broci ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e pasurisë së tij dhe se nuk kishte qenë në konflikt interesi.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i dha të drejtë shumicës duke lënë në fuqi vendimin për shkarkim. KPA ka prishur vetëm një nga vendimet e shkarkimit të KPK-së për shkelje të procedurës, por edhe në atë rast Apeli pas një rigjykimi gjeti të njëjtat shkelje dhe doli me të njëjtin vendim.  KPA ka prishur katër vendime konfirmimi të KPK-së duke shkakuar magjistratët që ishin konfirmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *