Skeda e pasurisë së deklaruar – Anton Pali – Prokuroria e Durrësit
KPK Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar – Anton Pali – Prokuroria e Durrësit

Prokurori Anton Pali i Prokurorisë së Durrësit do të përballet të mërkurën më 8 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bekteshi.

Anton Pali e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2005 si oficer i Policisë Gjyqësore, ndërsa u emërua prokuror në Prokurorinë e Vlorës në vitin 2016. Prej verës së vitit 2023, Pali e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të prokurorit Anton Pali nga viti 2005 deri në fund të vitit 2019. [Kliko skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga prokurori Anton Pali.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2005, prokurori Anton Pali zotëronte pjesë takuese në pasuritë familjare pa një vlerë financiare, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij kap vlerën e 9.5 milionë lekëve.

Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 6.2 milionë lekë, likujditete bankare prej 3 milionë lekësh si dhe një automjet me vlerë 200 mijë lekë.

Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 13.8 milionë lekë, nga të cilat 38% kanë si burim pagën e subjektit, 22% pagat e familjarëve dhe gati 38% kanë si burim shitjen e pasurive të paluajtshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 4 vite, asnjëra prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” burimet financiare për blerjen e një apartamenti, nga të cilat 3 milionë lekë i janë dhënë nga babai përmes një deklarate noteriale.

Subjekti Anton Pali deklaron gjendjen e interesave private për herë të parë në vitin 2005 si oficer i Policisë Gjyqësore dhe pas një shkëputje disavjeçare rikthehet si subjekt deklarues me marrjen e detyrës së prokurorit nga viti 2016 e në vazhdim.

Në deklarimin Para Fillimit të Detyrës në vitin 2016, ai deklaron një apartament të blerë më 28.10.2008 me sipërfaqe 91.8m2 në Durrës, në shumën 6,159,780 lekë, me burim krijimi të ardhurat e shitjes së një objekti 3 katësh ku subjekti zotëronte 1/8 pjesë nga trashëgimia si dhe 3,000,000 lekë të dhëna nga babai, konfirmuar me deklarate noteriale të datës 10.3.2010. Deri në fund të vitit 2019, kjo hua rezulton e pashlyer.

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Deklarata e pasurisë së vitit 2019

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *