Prokurori Erjon Shqarri pas shpalljes së vendimit. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

Diskriminimi gjinor, ONM rekomandon pezullimin dhe riedukimin e prokurorit Erjon Shqarri

Vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkuan Komisionerit Publik të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Erjon Shqarri.

Rekomandimi që u publikua të mërkurën nga Komisioneri Publik, është fokusuar te problemet e gjetura në hetimin e një rasti përndjekjeje në vitin 2016. Rasti kishte të bënte me denoncimin e një vajze ndaj ish-të fejuarit. Çështje që ishte pushuar nga Shqarri.

Shqarri arsyetoi në seancën dëgjimore se viktima dhe i kallëzuari kishin qenë në komunikim me njëri tjetrin. Ai tha në seancë se viktima kishte bërë më shumë telefonata ndaj të kallëzuarit. Në përgjigjen me shkrim të cituar nga ONM, Shqarri këmbëngul se për të pasur një rast përndjekje  refuzimi i viktimës duhet të jetë kategorik dhe i hapur.

Por qëndrimet e Shqarrit janë të gabuara sipas ONM-së dhe krijojnë premisa për të justifikuar krimet seksuale dhe bien në kundërshtim me Konventën e Stambollit. “Kjo mund të çojë në justifikime të dhunës seksuale vetëm se viktima nuk e ka shprehur hapur refuzimin. Kjo është e papranueshme”, thuhet në rekomandim.

ONM shprehet se Shqarri e keqinterpreton ligjin dhe e keqkupton dhunën me bazë gjinore dhe sipas vëzhguesve ai duhet të pezullohet dhe të ndjekë një trajnim 1 vjeçar.

“Në këndvështrimin e ONM pas një analize dhe vlerësimit të saktë të provave në dispozicion, trupat e vetingut duhej të vendosnin për pezullimin e subjektit për një vit nga detyra me detyrimin për të ndjekur trajnimin në Shkollën e Magjistraturës”, thuhet në rekomandim.

ONM vë në dukje se gabimi i Shqarrit është i rëndë dhe si i tillë kërkon marrjen e masave.

Vëzhguesit kritikojnë ashpër edhe vendimin dhe arsyetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Sipas vëzhguesve trupa e përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Roland Ilia anëtar dhe Genta Tafa Bungo relatore, shfaqi mendësi patriarkale.

Vëzhguesi thotë se KPK e bazoi arsyetimin e saj në faktin që viktima nuk kishte apeluar çështjen. ONM shprehet se në raste kur përballen me mosbesim është e pritshme që viktimat të tërhiqen nga kallëzimi. “Për më tepër, nëse dikush bën një denoncim dhe, atëherë, ajo nuk besohet, si mund të pritet në mënyrë të arsyeshme që ajo (viktima) të apelojë vendimin e pushimit të hetimit?”, thuhet në rekomandim.

Vëzhguesit arsyetojnë se pretendimi që viktima të ishte e pranishme në proces po ashtu është i pa bazuar dhe diskriminues, pasi kjo përgjithësisht sjellë riviktimizim dhe është në dëm të viktimës. Vëzhguesit thonë se as prokurori dhe as KPK nuk e kishin analizuar situatën me syrin e viktimës.

“Në të gjitha rastet e ngacmimeve, fokusi është te perceptimi i viktimës, jo te dhunuesi. Dhe, shumë shpesh, viktimat janë vërtet të nënshtruara, për sa i përket gjendjes mendore, sepse ato rrallë kanë forcën për të kundërshtuar shkelësi/përndjekësit e tyre, si në rastet e dhunës në familje, që ndodh shpesh në një shoqëri patriarkale si ajo shqiptare ose, të paktën, segmente të saj që duket se mbështeten nga arsyetimi dhe konkluzionet e KPK-së”, thuhet në rekomandim.

Erjon Shqarri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Tropojës në vitin 2015 dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Vlorës. Ai u konfirmua në detyrë më 9 prill pas një seancë të shkurtër dëgjimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *