Prokurori Anton Pali pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Anton Pali përballet me pyetje për pushimin e hetimit për incineratorin e Elbasanit

Prokurori Anton Pali i Prokurorisë së Durrësit u përball të mërkurën më 8 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime për disa çështje të hetuara prej tij, mes tyre dhe për një vendim pushimi lidhur me një kallëzim të kryer ndaj kompanisë që po ndërtonte incineratorin e Elbasanit. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për prokurorin Pali po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Brundila Bekteshin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Anton Pali e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2005 si oficer i Policisë Gjyqësore, ndërsa u emërua prokuror në Prokurorinë e Vlorës në vitin 2016. Prej verës së vitit 2023, Pali e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësit.

Relatorja Bekteshi vërejti se nga hetimi administrativ nuk janë gjetur probleme për një apartament të blerë në vitin 2008 për çmimin rreth 6 milionë lekë, me burim një dhurim nga babai në shumën 3 milionë lekë dhe të ardhurat nga shitja e një objekti tre kate për vlerën 30 milionë e 750 mijë lekë, pasuri në të cilën subjekti gëzonte 1/8-ën pjesë takuese, të trashëguar nga halla e tij.

Sipas Komisionit, halla e subjektit i kishte lënë në trashëgimi prokurorit Pali dhe vëllait të tij gjithë pasuritë që ajo zotëronte, me pjesë takuese ½-ën për secilin.

Objekti tre kate rezulton të jetë përfituar nga babai i subjektit, halla e tij dhe familjarë të tjerë të tyre në vitin 1993 nga Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave. Babai ka përfituar nga shitja e kësaj pasurie vlerën 7.5 milionë lekë që janë konsideruar të mjaftueshme për dhurimin, ndërsa subjekti 3.5 milionë lekë – shuma që janë çmuar se mbulojnë pagesën e çmimit të apartamentit në vitin 2008.

Pali ka rezultuar me mundësi financiare dhe për krijimin e një depozite për djalin që në vitin 2017 ishte në shumën 338 mijë lekë, me burim nga pagat.

Bekteshi pohoi se nuk janë gjetur probleme dhe për pjesën takuese që subjekti zotëron në një apartament të privatizuar nga familja në vitin 1993 si dhe për një sipërfaqe toke të dhuruar nga halla.

Pa probleme kanë rezultuar dhe pasuritë e bashkëshortes, 1/3 pjesë takuese në një apartament të familjes së origjinës, për një apartament me sipërfaqe rreth 25 m2, si dhe për një automjet të blerë në vitin 2013 për shumën 200 mijë lekë.

Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2005-2016, ka rezultuar bilanc pozitiv në çdo vit.

Prokurori Anton Pali mori vlerësim pozitiv edhe për pastërtinë e figurës.

Ndërkohë, Komisioni i ka kaluar bara prove për disa nga çështjet e denoncuara nga publiku, si dhe për një denoncim në media.

Pali kundërshtoi pretendimet e një denoncuesi për veprime jo të drejta të prokurorit mbi pronën e tij. Subjekti shpjegoi se hetimet ishin të plota dhe gjykata e kishte pushuar çështjen. Sipas tij, me pushimin e hetimeve, ka disponuar me kthimin e provave të sekuestruara dhe se nuk qëndronte pretendimi i denoncuesit.

Nga një denoncim tjetër është konstatuar se vendimarrja e subjektit për mosfillim të hetimeve është prishur nga gjykata. Ai deklaroi se edhe pas regjistrimit të procedimit dhe kryerjes së hetimeve, çështja është pushuar dhe është pranuar nga gjykata e shkallës së parë, ndërkohë që pritet të shqytohet në apel.

Subjekti dha shjegime për dy raste të tjerë të ngjashëm, duke theksuar se gjykata sërish e kishte pranuar kërkesën për pushim, prej nga vlerësonte se qëndrimi i tij për mosfillim të hetimeve kisht qenë i drejtë.

Për pretendimet në një denoncim për zvarritje hetimesh, Komisioni konstaton se për katër vjet janë shtyrë hetimet në mënyrë të pajustifikuar. Subjekti deklaroi se kjo çështje ishte trajtuar dhe nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë që kishte vendosur mbylljen e hetimit disiplinor dhe e kishte përcjellë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për t’u konsideruar në vlerësimin profesional. Pali pretendoi se kohëzgjatja kishte qenë objektive si paosjë e ngarkesës së lartë në punë dhe të kompleksitetit të çështjeve.

Si Komisioni, ashtu dhe subjekti u ndalën më gjatë në gjetjet për një vendimarrje të subjektit të trajtuar në media, lidhur me pushimin e hetimeve për incineratorin e Elbasanit në vitin 2017. Sipas Komisionit, duket se subjekti nuk ka kryer veprimet hetimore për kompanitë kontraktore dhe nënkontraktore, si dhe nuk janë hetuar anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

“Është e paqartë se si është konkluduar me pushim të hetimit, kur prokurorja e mëparshme kishte konkluduar se kishte korrupsion aktiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale,” u tha në relatim.

Subjekti tha se ishte bërë pjesë e këtij hetimi kur ishte caktuar përkohësisht për të ushtruar detyrën në Prokurorinë e Elbasanit.

Sipas tij, objekt i hetimit ishte financimi i kompanive që do po ndërtonin incineratorin e Elbasanit, që kishte rezultuar të ishte një kredi dhe buxheti i shtetit. Subjekti tha se në këto kushte nuk mund të kishte indicie apo dyshime për burimet e financimit dhe për rrjedhojë ishte vendosur pushimi.

Pali tha se edhe sipas prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, nuk kishte pasur dyshime për ligjshmërinë e burimeve të financimit të incineratorit të Elbasanit. Ai nënvizoi se vendimarrja e tij ishte lënë në fuqi nga gjykatat.

Në vijim, Pali tha se kur ishin kryer ato hetime nuk kishte pasur indicie për shtetasin L.K., që nga sa u relatua, bëhej fjalë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Sipas subjektit, ky person nuk mund të ishte subjekt i hetimeve të Prokurorisë së Elbasanit.

I pyetur nga kryesuesja Çiftja se përse nuk ishin vijuar veprimet hetimore të deleguara nga kolegia e ndjerë, subjekti tha se ato ishin referuar për tender ndërsa në këtë rast bëhej fjalë për partneritet publik – privat.  Ai këmbënguli se nuk kishte pasur nevojë për kryerje të ekspertimeve, pasi vetë të hetuarit kishin pranuar se i kishin nënshkruar aktet.

Anëtari Hamitaj iu rikthye çështjes së incineratorit të Elbasanit gjatë pyetjeve të tij, duke sjellë në vëmendje pohimin e subjektit se kishte pasur si objekt hetimi pretendimin e kallëzimit. Ai e pyeti nëse një prokuror duhej të bazohej vetëm në dyshimet e kallëzuesit, apo duhej të hetonte më gjerë.

Pali deklaroi se i ishte referuar kallëzuesit, pasi nuk kishte indicie. “Nuk ka kufizim, por nuk kishte asnjë indicie,” pohoi subjekti.

Në përfundim, kryesuesja Çiftja pyeti se si mund të vinte një indicie pa hetuar. “Si vjen indicia, duke ardhur tek dera e të thonë: ‘Erdhëm ne’? Vijnë duke hetuar. Apo ka pasur ndonjë shkak tjetër?, e pyeti ajo subjektin.

Pali tha se nuk kishte pasur ansjë arsye tjetër dhe se ishin bërë gjithë përpjekjet për të gjetur fajësinë. “Detyra e prokurorit është të hetojë brenda një kuadri të caktuar, pa cënuar palët”, tha ndër të tjera prokurori Anton Pali dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 10 maj, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *