Seanca e prokurorit Bilbil Mete ne KPA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Vendi

Prokurori në pension i kërkon KPA-së t’i heqë njollën e largimit nga drejtësia

Ish-prokurori Bilbil Mete i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ta rishikojë vendimin e KPK-së që e ka njohur largimin  e tij nga drejtësia si dorëheqje, duke theksuar se ai kishte dalë në pension.

Seanca e prokurorit Bilbil Mete ne KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit të martën mbajti seancën dëgjimore për ankimin  e ngritur nga ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Bilbil Mete i cili konteson klasifikimin e largimit të tij nga sistemi i drejtësisë si dorëheqje, duke insistuar se kishte mbushur moshën e pensionit dhe nuk e gëzonte më statusin e magjistratit.

“Dorëheqja ime është një mirazh i krijuar nga KLP,” tha ish-prokurori gjatë fjalës së tij përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.  “Unë si subjekt i rivlerësimit pensionist mund të japë dorëheqjen vetëm nga sigurimet shoqërore,” theksoi ai.

Trupa gjykuese e KPA-së përbëhet nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, si dhe Ardian Hajdari, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 10 dhjetor 2020, të ndëpresë procesin e rivlerësimit për subjektin dhe i hoqi të drejtën për t’u emëruar në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Sipas KPK-së Mete “ka dhënë dorëheqjen nga sistemi pas 2 vitesh hetimi administrativ” dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka njohur përfundimin e statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes.

Mete e kundërshton përcaktimin se ai ka dhënë dorëheqjen, ndërsa insiston se Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shkelur rëndë ligjin me vendimin e tij.

“Vendimi i KLP-së është i kundraligjshëm,” tha ai. “Vendimi i KLP-së është në kufijtë e veprës penale,” shtoi Mete.

Ndaj vendimit të KLP-së subjekti ka bërë ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, por gjykata ka vendosur në favor palës së paditur. Mete theksoi gjatë seancës se ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të gjykatës.

Ai deklaroi se nuk ishte paraqitur në seancën dëgjimore të KPK-së pasi e kishte konsideruar veten pensionist dhe jo dikush që ishte larguar nga drejtësia me dorëheqje.

“Nuk pranoj të njollosem padrejtësisht me vendime të paligjshme,” theksoi ai.

Me vendim të ndërmjetëm Kolegji mori në administrim provat e paraqitura nga Mete dhe vendosi ta mbyllë shqyrtimin gjyqësor. Vendimi për ankimin e tij do të shpallet me datë 23 mars, ora 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *