Prokurori Dritan Nushi | Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza KPK Veting

KPK u nda në vlerësimin e pasurisë së prokurorit Dritan Nushi

Prokurori i Tiranës, Dritan Nushi u konfirmua në detyrë më 31 janar, pasi shumica e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë e figurën dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Dy komisionerët në shumicë, kryesuesja Firdes Shuli dhe relatori Olsi Komici shprehen se konkluduan për pasurinë dhe duke arsyetuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit. Sipas tyre, subjekti ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive të deklaruara dhe nuk ka në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht. Po ashtu, vlerësojnë se Nushi nuk është përpjekur të fshehë apo të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij.

Komisionerja Xhensila Pine në pakicë vlerëson ndryshe, duke çmuar se Nushi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë dhe ka votuar për shkarkimin e tij. Pine konstaton mungesë të koherencës në deklarimet e subjektit lidhur me vendbanimet e pasuritë në përdorim. Sipas saj, subjekti duhej të provonte burimin e ligjshëm të pasurive për të vërtetuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se nuk ndodhej në kushtet e fshehjes së tyre. 

Pine gjen probleme në deklarimin e një automjeti në përdorim, në pronësi të motrës së tij. Sipas saj, nga aktet e administruara gjatë hetimit administrativ, konfirmohet përdorimi i këtij automjeti prej subjektit të rivlerësimit edhe në kohën e plotësimit të deklaratës “veting” dhe se ai kishte pasur detyrimin për ta deklaruar këtë marrëdhënie. Ajo vlerëson se Nushi ka bërë deklarim të pasaktë pasi nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” përdorimin e këtij automjeti, si dhe nuk ka provuar burimin e ligjshëm të kësaj pasurie për të vërtetuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se nuk gjendej në kushtet e fshehjes. 

KPK është ndarë dhe në vlerësimin e banesave në përdorim të prokurorit Dritan Nushi. Subjekti ka deklaruar përdorimin pa akt të banesës së vjehrrit në Tiranë. Ai ka shënuar në deklaratën “veting” marrëdhënien e huapërdorjes pa kundërshpërblim të kësaj pasurie. Për rrjedhojë, KPK ka vlerësuar që vjehrrin dhe vjehrrën e subjektit t’i konsiderojë si persona të tjerë të lidhur duke kërkuar të provohet burimi i ligjshëm i krijimit të kësaj banese. 

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi financiare e prindërve të bashkëshortes për blerjen e apartamentit, megjithatë KPK ka mbajtur në konsideratë faktin se kjo është një pasuri e krijuar para martesës së subjektit të rivlerësimit dhe para se ai të emërohej në detyrën e prokurorit, si dhe se nuk ka asnjë lidhje me familjen e tij të origjinës. 

Në përfundim, KPK ka arritur në përfundimin se nuk gjendet asnjë element prej nga mund të ngrihen dyshime për pasuroi të fshehur apo të investuar nga ana e subjektit dhe për rrjedhojë, duke mbajtur në konsideratë edhe parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, Nushi nuk është ngarkuar me përgjegjësi për bilancin negativ të vjehrrit dhe vjehrrës së tij. 

Nushi ka konfirmuar për Komisionin përdorimin nga vjehrri dhe vjehrra të një shtese + papafingo në apartamentin e tyre në Tiranë, por ka nënvizuar se ai dhe familja e tij nuk kanë pasur asnjë përfitim prej asaj pasurie dhe as e kanë përdorur. 

Nisur nga fakti se shtesa është ndërtuar kur subjekti dhe bashkëshortja e tij banonin në apartamentin e vjehrrit dhe vjehrrës së tij në Tiranë, Komisioni ka ngritur fillimisht dyshime se mund të ishte pasuri e fshehur. Për rrjedhojë i është kaluar barra e provës për të vërtetuar burimin e ligjshëm të krijimit të kësaj pasurie, si dhe të provojë tej çdo dyshimi se nuk ndodhet në kushtet e fshehjes.

Duke iu referuar dokumenteve të administruara dhe prapësimeve të Nushit, shumica vlerëson se se apartamenti dhe shtesa janë pasuri të prindërve të bashkëshortes së subjektit.  Sipas shumicës, citimi nga vjehrri i një apartamenti me tjetër numër në disa akte noteriale, është provuar se është gabim i bërë fillimisht në një prokurë të posaçme. Ky gabim është konsideruar nga shumica i paqëllimshëm, duke argumentuar se vjehrri nuk ka jetuar tek ai apartament dhe se mundësia për të mbajtur mend numrin e saktë është pothuajse e pamundur.

Për një prokurorë të lëshuar nga vjehrri për të bijën për të arkëtuar në emër të babait të ardhurat nga qiraja e shtesës dhe papafingos, KPK konstaton se ajo nuk ka pasur tagra tjetërsimi të kësja pasurie dhe për rrjedhojë Nushi nuk gjendet në kushtet e fshehjes. 

“Subjekti i rivlerësimit e ka deklaruar apartamentin shtesë dhe papafingon që në pyetësorin standard, duke dhënë shpjegime e prova të tjera gjatë hetimit me qëllim pasqyrimin e vërtetë të rrethanave të krijimit dhe disponimit të kësaj pasurie, duke qenë transparent për çdo detaj dhe nuk ka tentuar të fshehë asnjë situatë në lidhje me këtë pasuri”, konstaton shumica dhe arrin në përfundimin se shtesa është në pronësi faktike dhe ligjore të vjehrrit dhe vjehrrës së subjektit të vlerësimit dhe është krijuar me burim nga të ardhura të ligjshme të tyre.

Nushi rezulton bashkëpronar me 1/3-at të një apartamenti me sipërfaqe 153 m2 në Tiranë, të përfituar me trashëgimi ligjore pasi babai ka ndërruar jetë. Në pyetësorin standard, Nushi ka deklaruar se në fillim të vitit 2004 deri në fund të vitit 2005 kanë jetuar në Tiranë, tek ky apartament i prenotuar nga i ati në 2002-in, kur janë paguar 50 mijë USD. 

Sipas shumicës, kjo pasuri është blerë nga prindërit e subjektit me të ardhurat nga puna e tyre dhe nuk u vërtetua që prokurori Nushi të ketë kontribuuar financiarisht në krijimin e saj. “[…]Pothuajse i gjithë çmimi i blerjes është paguar që në vitin e parë të subjektit në detyrë nga familja e origjinës së subjektit; kontrata e shitblerjes së apartamentit është lidhur nga nëna e tij, çka e bën atë pronare të vetme mbi këtë pasuri; subjekti ka banuar në apartament për shkak të marrëdhënies familjare vetëm në vitet 2004 – 2005 për një kohë të shkurtër, më pak se dy vjet, si pjesë e familjes së tij të origjinës dhe përpara se të lidhte martesë; subjekti që nga viti 2006 e në vazhdim ka jetuar me bashkëshorten dhe fëmijët e tij në apartamentin e blerë nga vjehrri i tij B. N.; në këtë apartament kanë banuar dhe vazhdojnë të banojnë pa ndërprerje nëna dhe motra e subjektit”, rendit shumica argumentet për të cilat përjashton subjektin nga investimi i kryer për këtë pasuri dhe nuk ka ngritur dyshime për pasuri të fshehur. 

Pine në pakicë vlerëson se deklarimet e subjektit gjatë hetimit administrativ për banesat në përdorim janë në kundërshtim me deklarimet periodike ndër vite. Ajo konstaton se në përgjigje të pyetësorit standard, Nushi ka deklaruar se nga fillimi i vitit 2004 deri në fund të vitit 2005 ka jetuar në Tiranë, tek apartamenti prindërve, i prenotuar prej tyre në 2002-in dhe se nga viti 2006 e në vijim, së bashku me bashkëshorten, përdorin shtëpinë në prinësi të vjehrrit të blerë në vitin 2001. 

Në vijim, Pine sjell në vëmendje se në deklarimet periodike, Nushi ka shënuar si adresë banimi për vitet 2003 – 2004 apartament me qira. Ajo shprehet se deklarimet e subjektit lidhur me përdorimin e apartamentit në pronësi të vjehrrit vijnë në kundërshtim me dokumentacionin dhe faktet e rezultuara gjatë hetimit administrativ, nga ka rezultuar se me prokurën e vitit 2014 babai i bashkëshortes i ka dhënë kësaj të fundit të drejtën për të disponuar një apartament me nr.25 për të cilin subjekti ka deklaruar se e ka përdorur pa ndërprerje prej 2006-ës dhe aktualisht, por që rezulton të jetë dhënë me qira në 2014-ën. 

“Citimi i numrit të kontratës së furnizimit me energji elektrike nr. ***, Tiranë, si numri në të cilin qiramarrësit do të paguanin energjinë elektrike, rrëzon pretendimet e subjektit se ky apartament u përdor ndër vite nga subjekti i rivlerësimit dhe se referimet e të dhënave ishin pasaktësi në hartimin e dokumentacionit ligjor në kontratën e qirasë”, vlerëson Pine dhe shton se këto deklarime kontradiktore mbi vendqëndrimin e tij krijojnë paqartësi dhe nuk provojnë se ku ka jetuar realisht.

Ajo çmon se, për sa kohë vetë subjekti ka dhënë shpjegime të pasakta dhe kontradiktore, është e pamundur të dallohet se cili deklarim është i vërtetë dhe cili ka qenë shkaku i vërtetë që e ka detyruar për të mos deklaruar saktësisht vendbanimet. 

Lidhur me apartamentin e porositur nga prindërit e Nushit në vitin 2002, Pine vëren se deklarimi i subjektit se kjo banesë përdorej prej familjarëve nga viti 2005, mbeti vetëm deklarativ dhe i paprovuar me dokumentacion ligjor.

Sipas Pines, babai dhe nëna e subjektit kanë nënshkruar dokumente të administruara gjatë hetimit, prej nga rezulton të kenë deklaruar adresa banimi të tjera. Po ashtu, ajo konstaton se nuk është provuar mundësia financiare e familjes së origjinës së subjektit për të paguar me burime të ligjshme shumën 50 mijë USD në vitin 2002. 

“Për sa rezulton se subjekti dhe familja e tij ishin në pamundësi financiare për ta justifikuar këtë apartament me burime të ligjshme që në momentin e krijimit të saj, arsyetimi se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është paguar në vitin e parë të subjektit në detyrë, nuk i shërben në mënyrë domethënëse situatës konkrete të subjektit të rivlerësimit, duke mbajtur në konsideratë se ndonëse jo në detyrën e prokurorit ai ka kryer funksionet e oficerit të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë, në periudhën 1998 – 2002”, konstaton Pine dhe shton se në këtë rast, përveç mungesës së koherencës në deklarime lidhur me vendbanimet, Nushi duhet të provonte burimin e ligjshëm të kësaj pasurie për të provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se nuk ndodhej në kushtet e fshehjes së pasurisë. 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *