Prokurorja Mirela Kapo pas seancës dëgjimore në KPK.
KPK Veting

Prokurorja Mirela Kapo përballet pa probleme me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën seancën dëgjimore ndaj prokurores Mirela Kapo, e cila aktualisht shërben si këshilltare pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Xhensila Pinen, nuk vuri në dukje barrë prove për prokuroren.

Gjatë seancës së shkurtër, Faskaj relatoi të njëjtat gjetje mbi pasurinë, të cila ishin verifikuar edhe në rastin e bashkëshortit të subjektit, prokurorit të Tiranës Etien Kapo, i konfirmuar në detyrë nga KPK në maj të këtij viti. Faskaj shpjegoi sërish se KPK kishte hetuar të ardhurat e babait subjektit në dhënien e një huaje për blerje apartamenti dhe ato i kishin rezultuar të mjaftueshme.

Pa probleme u gjetën edhe transaksionet e tjera, përfshi një kredi, blerja dhe shitja e tre automjeteve e të ngjashme.

Njëlloj KPK nuk vuri në dukje asnjë problem në kriterin e profesionalizmit dhe atë të figurës. Komisioni tha se denoncimet ndaj prokurores nuk ishin të natyrës që mund të hetoheshin nga Komisioni dhe kishin marrë përgjigje në rrugë gjyqësore.

Kapo nuk bëri mbrojtje. Ajo i tha KPK-së se vlerësonte maksimalisht objektivitetin e hetimit dhe po ashtu edhe relatimin në seancë dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Mirela Kapo është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Barit në Itali dhe mban titullin Doktor i Shkencave Juridike.

Në sistemin e drejtësisë, Kapo ka punuar fillimisht si oficere e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe në vitin 2015 u emërua prokurore në Prokurorinë e Krujës. Ajo ka punuar gjithashtu si magjistrate e komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa sëfundmi punon pranë ILD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *