Prokurori Florian Bonjaku pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

Prokurori Florian Bonjaku përballet me barrë prove për pasurinë dhe figurën

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të mërkurën seancën dëgjimore në procesin e rivlerësimit të prokurorit të Prokurorisë së Krujës, Florian Bonjaku.

Bonjaku iu nënshtrua rivlerësimit në të tri kriteret nga një trupë e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sabxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte Steven Kessler.

Komici tha gjatë relatimit se Bonjakut i ishte kaluar barrë prove për “cënimin e besimit të publikut te drejtësia” në lidhje me një kontratë shit-blerjeje me vjehrrin dhe vjehrrën që prokurori pranoi se ishte bërë vetëm formalisht me qëllim marrjen e një kredie. Komici tha se Bonjakut i ishin kërkuar shpjegime në transaksionet e bëra cash për shitjen e një apartamenti 9.6 milionë lekë dhe blerjen e një apartamenti për  8.9 milionë lekë.

Bonjakut po ashtu iu kërkuan shpjegime në lidhje me zbutjen e akuzës ndaj një personi të arrestuar për kultivim narkotikësh, por të dërguar në gjykim për “moskallëzim krimi”.

Gjatë fjalës së tij, prokurori Bonjaku këmbënguli se kontrata me familjen e bashkëshortes nuk kishte dëmtuar askënd dhe se kishte qenë e vetmja formë që ai dhe familja të bëheshin me shtëpi. Ai po ashtu tha se marrëdhëniet e tij me të tretë ishin të provueshme bazuar në kontratat noteriale të kohës dhe këmbënguli në vërtetësinë e deklarimeve të bëra. Ai tha se akuza e ngritur prej tij në rastin e kultivimit të narkotikëve ishte e vetmja që mund të qëndronte në gjykatë. Bonjaku kërkoi konfirmimin në detyrë.

Seanca ndaj prokurorit të Krujës pati më shumë vëmendje se seancat e zakonshme të KPK-së. Tre herë gjatë seancës, të pranishmëve, kryesisht familjarë të Bonjakut, iu bënë me dije rregullat, përfshi kërkesën specifike për të mos fotografuar apo filmuar gjatë seancës. Ndërkohë i pranishëm në sallë në pjesën e publikut ishte edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.

Edhe pse Bonjaku u paraqit vetëm para trupës, kryesuesja Xhensila Pine e pyeti atë nëse kishte përfaqësues ligjor në sallë. Bonjaku tha se nuk kishte.

Kontrata fiktive

Relatori Olsi Komici vuri në dukje që në fillim të relatimit të tij se një kontratë mbi një apartament në Durrës që rezultonte në emër të Bonjakut edhe gjatë procesit të rivlerësimit ishte gjetur nga Komisioni me probleme.

Hetimi i KPK-së kishte zbuluar se Bonjaku kishte lidhur një kontratë kredie me kolateral apartamentin, por se në deklarimet vjetore dhe në atë veting kishte pranuar se paratë ishin përdorur për një banesë në Tiranë, që i kishte kushtuar 20 mijë dollarë.

Sipas Komicit, vetë subjekti kishte pranuar në shpjegime se kontrata për apartamentin në Durrës ishte lidhur me prindërit e bashkëshortes, për t’i mundësuar atij pasjen e një kolaterali për kredinë.

Në seancë vetë Bonjaku sqaroi me detaje arsyet e kontratës. Ai tha se ajo ishte bërë pasi atij dhe bashkëshortes u mungonin në fillimin e martesës 30 për qind e shumës që u kërkohej për të blerë shtëpinë në Tiranë dhe se kontrata fiktive me vjehrrin ishte bërë për të mundësuar rimbursim të plotë nga kredia për shtëpinë.

Pasi KPK i kishte kaluar barrë prove për kontratën fiktive, Bonjaku tha se asnjë nga palët e përfshira nuk ishte dëmtuar dhe se kishte qenë banka që e kishte sugjeruar. Ai tha se në kohën e marrjes së kësaj kredie nuk kishte pasur mundësi të tjera dhe se KPK nuk duhej ta cilësonte këtë si cënim të besimit apo të figurës së prokurorit. Sipas tij, sapo apartamenti në Tiranë ishte formalizuar, kontrata e kredisë ishte ndryshuar dhe ky i fundit ishte vendosur kolateral.

KPK ngriti dyshime edhe për mosdeklarimin e shtëpisë në Tiranë për disa vite në deklarimet vjetore. Bonjaku këmbënguli se ajo ishte deklaruar si adresë dhe po ashtu kredia për blerjen e saj ishte deklaruar, duke lënë të kuptohej se bëhej fjalë për një pakujdesi.

Pagesat cash

Siç doli nga relatimi, apartamentin e blerë në vitin 2003 për 20 mijë dollarë përmes kredisë, Bonjaku e kishte shitur për një shumë prej rreth 9.6 milionë lekësh në vitin 2011. Po të njëjtin apartament, blerësi e kishte shitur tre vjet më vonë për një shumë prej rreth 6 milion lekësh.

Komici tha se diferenca në çmimin e shitjes së parë dhe asaj të dytë si dhe fakti që transaksionet ishin bërë cash, kishin ngritur dyshime për një çmim fiktiv. Komici tha se dyshimet ishin bazuar edhe në çmimet e referencës së zonës, që po ashtu ishin disa herë më të ulëta se çmimi me të cilin e kishte shitur prokurori apartamentin.

Sipas KPK-së, një akt rivlerësimi që e kishte çmuar apartamentn në shumën me të cilën ishte shitur ishte regjistruar në hipotekë, por për të nuk gjendej fatura e paguar dhe as akti në tërësi. Zyra e ASHK-së kishte pretenduar në një përgjigje se nuk e gjente dot dokumentin për shkak të ndryshimit fizik të arkivës së saj.

Komici gjithashtu tha se personi që e kishte blerë apartamentin nga prokurori ishte hetuar disa vite më vonë për trafik qeniesh njerëzore, ndërsa hetimi ishte pushuar.

Prokurori Bonjaku këmbënguli në seancë se personin në fjalë nuk e kishte njohur përtej marrëdhënies tregtare dhe as kishte mbajtur kontakte me të. Ai këmbënguli se çmimi i shitjes, bazuar në aktin e rivlerësimit ishte real dhe solli si prova një ekspertizë të bërë me kërkesë të tij që e vlerësonte apartamentin edhe më shtrenjtë nga sa ai e kishte shitur.

Ai solli po ashtu si provë njoftime në gazetën “Çelësi” të kohës, në të cilën sipas tij apartamente të ngjashme kishin një çmim të përafërt. Ai ripërsëriti përgjigjen e ASHK-së për pamundësinë e gjetjes së aktit të rivlerësimit. Ndërkohë, pretendoi se personi i tretë që kishte blerë apartamentin për rreth 44 mijë euro, i kishte thënë se shitësi kërkonte të kryente një transaksion të shpejtë.

Vëzhguesi i ONM-së, Kesser këmbënguli në fund të seancës në një sërë pyetjesh në lidhje me veprimet mbi apartamentin dhe kontaktet e Bonjakut me blerësin, përfshi dyshimet mbi vlerën e aktit të rivlerësimit. Kesser pyeti se si ishte lidhur me blerësin.

Bonjaku shpjegoi se blerësi ishte prezantuar vetë pasi ishte vënë në dijeni për apartamentin e nxjerrë në shitje, por shtoi se nuk e mbante mend se si ai e kishte mësuar këtë.

Bonjaku sqaroi se ai kishte kërkuar një çmim më të lartë, por kishte rënë dakord të shiste apartamentin për rreth 70 euro për metër katrorë më pak. Kesser shprehu habinë për mënyrën se si ishin në cash 9.6 milionë lekë, por Bonjaku shpjegoi se transferimi i parave ishte bërë në shtëpinë e tij dhe paratë ishin numëruar aty.

KPK i kërkoi shpjegime Bonjakut edhe në lidhje me apartamentin e blerë për 8.9 milionë lekë në lagjen “Don Bosko”. Sipas Komisionit, pagesat për kompaninë e ndërtimit ishin bërë nga një person tjetër dhe në to ishte deklaruar se bëheshin për llogari të subjektit.

Bonjaku dha si shpjegim se e kishte blerë apartamentin nga një person që e kishte marrë atë prej kompanisë me “klering” dhe format se si ishte shprehur kjo në kontratë e shpjegonin marrëdhënien në fjalë. Ai tha se në fund, pagesat ishin deklaruar për kompaninë edhe pse pronësinë atij ia kishte transferuar shitësi në një kontratë të posaçme noteriale.

Dosja për kultivuesit

Prokurori Bonjaku u vlerësua pozitivisht sa i përket profesionalizmit, por Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar kishte bërë një raport të dyzuar, ku reflektohej edhe një denoncim mbi një prej çështjeve që ai kishte hetuar. Sipas Komicit, DSIK ia kishte lënë në dorë KPK-së të vlerësonte mbi rastin.

Gjatë relatimit u tha se Bonjaku kishte hetuar një grup të dyshuar për kultivim të kanabisit në Krujë. Hetimet dhe më pas arrestimet ishin ngritur bazuar mbi përgjime dhe ndaj një prej personave kishte pasur një mesazh që e implikonte në veprimtarinë e kultivimit të kanabisit.

Por Komici tha se ky mesazh i paraqitur në mënyrë të detajuar në kërkesën për masë sigurie, ishte ndryshuar dhe ishte paraqitur i shkurtuar dhe i pakuptimtë në kërkesën për gjykim të përpiluar po nga prokurori.

Komici tha se nga hetimi rezultoi se prokurori po ashtu kishte ndryshuar akuzën për personin në fjalë nga kultivim në moskallëzim krimi. Gjykata e Krujës kishte rrëzuar pjesërisht kërkesën e prokurorit për gjykim dhe i kishte kërkuar atij të bënte hetime shtesë sa i përket rastit në fjalë. Pasi Bonjaku e kishte apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit në Tiranë, prokurori i Apelit që duhej të ndiqte çështjen ishte tërhequr nga ankimi, duke bërë me dije se e gjente të drejtë vendimin e Gjykatës së Krujës dhe se hetimet ishin të mangëta.

E kthyer për rihetim, kjo dosje nuk kishte pasur ndonjë fat të ndryshëm. Komici tha se dukej sikur prokurori kishte favorizuar të pandehurin B.D në rastin konkret dhe vetëm për këtë të fundit kishte kërkuar edhe aplikim të nenin 59 për pezullim të dënimit.

Prokurori mohoi të kishte trajtuar në mënyrë të favorizuar B.D. Ai dha shpjegime mbi detajet të hetimit dhe mënyrën se si mesazhi në fjalë kishte qenë një indicie, por që nuk provonte që B.D të kishte kultivuar kanabis. Prokurori tha se mesazhi në fjalë nuk ishte shoqëruar me prova të tjera dhe as me komunikime të tjera nga B.D. Ai po ashtu la të kuptohej se B.D ishte ngatërruar me një prej të akuzuarve të tjerë.

Prokurori pretendoi se vendimi i tij për të ndryshuar akuzën në moskallëzim krimi ishte marrë pas një takimi konsultues me oficerët e Policisë Gjyqësore që ishin pjesë e hetimit dhe drejtuesin e policisë kriminale dhe drejtuesin e prokurorisë. Bonjaku tha se i kishte dhënë KPK-së procesverbalin e takimit.

Sipas prokurorit, ai e kishte kundërshtuar vendimin e gjykatës, pasi kjo e fundit nuk duhej të ndante çështjen sepse në atë mënyrë dëmtonte hetimet, por duhej të kishte kërkuar ndryshim të akuzës nëse e shihte të arsyeshme. Sipas prokurorit, çështja shkoi në gjykatë me akuzën e përcaktuar prej tij dhe tashmë kishte vendim gjykate që e kishte konfirmuar këtë vendimmarrje. Ai po ashtu shtoi se në rastin në fjalë nuk kishte kontakt të papërshtatshëm, pasi personat e akuzuar për kultivim narkotikësh, neni 184 i Kodit Penal, nuk ishin në listën e atyre që konsideroheshin kontakte të papërshtatshme.

Bonjaku po ashtu kundërshtoi gjetjet mbi mosnjoftimin e kallëzuesve në dy vendime mosfillimi e pushimi që ai kishte marrë. Në fund të seancës, ai tha se vlerësonte hetimin e Komisionit dhe kërkoi të konfirmohej, duke thënë në seancë se kishte mbajtur lart figurën e prokurorit dhe kishte ruajtur veten nga ndikimi. “Nuk kam marrë asnjëherë hua dhe kam ruajtur distancën me të tretët,” tha Bonjaku.  Seanca për shpalljen e vendimit u caktua më 27 prill në orën 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *