Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

KPA dëgjon konkluzionet përfundimtare për Elizabeta Imerajn

Në një seancë 6 orëshe të mërkurën, Kolegji i Posaçëm i Apelimit u njoh me konkluzionet përfundimtare në çështjen e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe renditi në mënyrë të detajuar gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, mbi të cilat e bazoi kërkesën për shkarkimin e Imerajt.

Ballhysa tha në seancë se Imeraj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë; se nuk ka deklaruar dënimet e ish-bashkëshortit dhe vëllait të tij në kriterin e figurës si dhe i kërkoi Kolegjit shqyrtimin e disa çështjeve të hetuara nga subjekti.

Ankimi i tij u bazua gjithashtu në çështjet etike, ku përfshihen dyshimet për ndikim të paligjshëm të një vëzhgues ndërkombëtar dhe një anëtareje të trupës së KPK-së, dyshimet se zgjidhja e martesës në vitin 2019 mund të jetë kryer në funksion të procesit të vetingut si dhe te sjellja e Imerajt gjatë seancës dëgjimore në KPK.

Gjatë konkluzioneve të saj, prokurorja Imeraj i konsideroi shkaqet e ankimit të komisionerit të pabazuara në prova, të paarsyetuara dhe tendencioze.

Ashtu si në seancat parardhëse, Imeraj renditi arritjet e saj profesionale, duke theksuar se kishte hetuar krimin e organizuar, politikanë dhe terroristë. Ajo theksoi se ka kërkuar jo vetëm hetim të thelluar administrativ, por edhe penal, me qëllim zbardhjen e të vërtetës.

“I kam bërë pyetje vetes se përse është kjo situatë në procesin tim. Por nuk mund të bëhemi vasalë të denoncimeve anonime dhe të personave që nuk e duan Elizabeta Imerajn në sistemin e drejtësisë, se ka hetuar krimin e organizuar,” tha ajo.

Imeraj pretendoi gjithashtu se procesi i saj ishte ndërtuar mbi letra anonime, se kishte hasur intimidim për shkak të origjinës së saj krahinore dhe se denoncimet mund të bëheshin edhe për shkak se “në Shqipëri është e vështirë të pranohet që një femër të jetë e suksesshme në karrierën e saj’.

Përfaqësuesi ligjor i Imerajt, Gregory Thuan e bazoi mbrojtjen e tij te legjislacioni i vetingut si dhe i konsideroi gjetjet e ONM-së të pabazuara dhe të pashoqëruara me prova.

Pasi KPA u njoh me konkluzionet e palëve, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 27 prill, në orën 15:00.

Debati për pasurinë

Gjatë hetimit administrativ në KPK, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj depozitoi një kontratë të regjimit pasuror përmes së cilës ajo pretendon se të gjitha pasuritë e paluajtshme janë krijuar nga ish-bashkëshorti, por Komisioneri Publik e konsideroi atë të paprovuar.

Ballhysa tha se kjo rrethanë nuk ishte pasqyruar në deklaratat periodike dhe as në deklaratën “veting” nga Imeraj, ndërsa shtoi se subjekti ka deklaruar në vite si dhe në deklaratën “veting” pasuri të paluajtshme në bashkëpronësi.

Ballhysa solli në vëmendje edhe faktin se hetimi administrativ ndaj Imerajt kishte filluar në tetor të vitit 2018, por subjeki nuk e kishte deklaruar apo pretenduar ekzistencën e regjimit të pasurive të ndara, deri kur ishte pyetur nga Komisioni.

Prokurorja Imeraj e kundërshtoi Ballhysën, duke theksuar se nuk ka një element të parashtruar në konkluzionet e tij lidhur me sjelljen e saj në raport me deklarimet në vite dhe me veprimet juridike që të mund ta lidhin me pasuritë e ish-bashkëshortit, si dhe pretendoi se ai ka pasur mjaftueshmëri financiare për krijimin e tyre.

Imeraj theksoi se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë pasuri në pronësi apo në bashkëpronësi. Ajo u shpreh se nuk arrinte të kuptonte se si Komisioneri Publik nuk i konsideron si provë dokumentet e institucioneve shtetërore, ndërsa merrte sipas saj ‘copy paste’ gjetjet e ONM-së. Subjekti kërkoi që Komisioneri të argumentonte se përse nuk ishin pranuar provat e saj.

Ajo shpjegoi se kontrata e regjimit pasuror ishte nënshkruar shumë kohë përpara se të fillonte vetingu dhe se aty gjenden të listuara të gjitha pasuritë e krijuara prej ish-bashkëshortit dhe familjarët e tij para martese.

Gjatë konkluzioneve, Imeraj solli në vëmendje vendime të KPK-së në të cilat pasuritë paramartesore nuk janë vlerësuar penalizuese për subjektet e rivlerësimit dhe që Komisioneri nuk i ka ankimuar.

Për një sipërfaqe trualli prej 2500 m2 në vendin e quajtur “Fusha e Aviacionit” në Tiranë, të përfituar nëpërmjet shkëmbimit me tre parcela tokë-arë në Mullet, Ballhysa konstatoi se gjatë hetimit administrativ janë administruar kontrata noteriale që provojnë titullin e pronësisë.

“Aktet noteriale si tituj pronësie dhe deklarimi i tyre në bashkëpronësi të subjektit të rivlerësimit në deklaratat periodike vjetore dorëzuar pranë ILDKPKI përbëjnë provë në kuptim të legjislacionit përkatës,” argumentoi Ballhysa.

Ai vërejti se në vitin 2012 dhe në deklaratën “veting”, Imeraj pasqyron si burim krijimi të truallit shkëmbimin me parcelat tokë-arë, ndërsa gjatë hetimit administrativ ka pretenduar se si kompensim për shkëmbimin ka shërbyer dhe shuma prej 80 mijë euro nga shërbimet e avokatisë të ofruara nga ish-bashkëshorti. Sipas Ballhyës, mbeten të paprovuara pretendimet e subjektit për shumën 80 mijë euro.

Ballhysa u ndal edhe në një prej parcelave tokë-arë që kanë shërbyer si burim për truallin në Tiranë dhe e konsideroi të paprovuar mbulimin me burime të ligjshme blerjen e kësaj pasurie në vitin 2007. Bazuar në këto konstatime, Komisioneri vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për truallin me sipërfaqe 2500 m2.

Imeraj tha se Komisioneri përpiqet të tregojë të kundërtën e akteve të institucioneve shtetërore lidhur me këtë pasuri. Ajo teksoi se provohej se parcelat e tokës që janë shkëmbyer me truallin janë blerë nga ish-bashkëshorti para martesës dhe se kishte kryer deklarim të saktë.

Lidhur me parcelën 400 m2, ajo shpjegoi se është pritur që të mundësohej formalizimi, ndërsa këmbënguli se pagesa ishte kryer para martesës. Ajo evidentoi si provë një deklarim në prani të avokatit lidhur me blerjen e parcelës 400 m2 në 2006-ën dhe shtoi se ai dokument ishte bërë pjesë e kontratës noteriale të vitit 2007 e për rrjedhojë përbën provë. Sipas Imerajt, në momentin e nënshkrimit të regjimit pasuror, të tre parcelat tokë-arë zotëroheshin prej ish-bashkëshortit dhe se një fakt i tillë ka qenë i pasqyruar në kontratë.

Lidhur me nënshkrimin e saj në kontratën e shkëmbimit dhe deklarimin e bashkëpronësisë në 2012-ën, kur është kryer shkëmbimi, Imeraj pretendoi se nuk mund të nxirrej konkluzion bazuar në një deklarim. Ajo pretendoi se nënshkrimi në kontratën e shkëmbimit nuk sillte pasoja.

Për një kartelë pasurie të lëshuar në emrin e saj, Imeraj sqaroi se kadastra kishte kthyer përgjigje se nuk e kishte lëshuar këtë akt. Ajo ritheksoi se kartela është e falsifikuar dhe se ka kryer kallëzim penal për këtë situatë.

“Komisioneri bazohet në një kartelë të falsifikuar,” tha ajo.

Komisioneri Ballhysa konstatoi deklarim të pamjaftueshëm edhe për një apartament me sipërfaqe 66 m2 dhe një shtesë prej 70.4 m2 në Tiranë. Sipas tij, subjekti gjatë shqyrtimit në Kolegj nuk provoi dot të kundërtën për mospërputhjet e deklarimeve për pjesët takuese në bashkëpronësinë në këtë pasuri, pasi në deklaratën “veting” ka deklaruar bashkëpronësi, ndërsa në vitin 2008 ka shënuar bashkëpronësi dhe pjesë takuese në masën 25%.

Sipas tij, mospërputhje ka edhe lidhur me vlerën e pasurisë, pasi në deklaratën “veting” ka shënuar si vlerë të apartamentit shumën 4 milionë lekë, ndërsa në deklarimin periodik shumën 45 mijë euro, ndryshe nga sa provohet prej transfertës së kryer në favor të palës shitëse në vlerën 90 mijë euro.

Mospërputhje sipas Komisionerit ka edhe në deklarimin e burimit, ku në deklaratën “veting” shënohet si burim kredia e marrë në vitin 2008, ndërsa në deklaratën periodike të atij viti pasqyrohet se çmimi është paguar bashkërisht me vëllanë e ish-bashkëshortit.

Po ashtu, Ballhysa vlerëson se Imeraj nuk arriti të provojë mundësinë financiare për pagesën e legalizimit të shtesës në vitin 2015, si dhe shlyerjen e kësteve të kredisë, pasi nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e të ardhurave të ish-bashkëshortit nga dhënia me qira e një pasurie.

Sipas Komisionerit, dy hua të pretenduara nga subjekti i rivlerësimit gjatë hetimit administrativ se janë marrë nga ish-bashkëshorti dhe vëllai i tij në shumat 55 mijë euro dhe 45 mijë euro, nuk rezultojnë të jenë pasqyruar në deklaratat periodike dhe në atë “veting”.

Ai i cilësoi si kontradiktore deklarimet e subjektit për destinacionin e kredisë 100 mijë euro, pasi në vitin 2008 është deklaruar për blerjen e një apartamenti, ndërsa gjatë hetimit deklarohet se kredia dhe shuma 45 mijë euro ka shërbyer për shlyerjen e huasë së marrë nga ish-kunati.

Ballhysa solli në vëmendje gjetjen e ONM-së, sipas të cilës lidhjet financiare dhe personale të subjektit, ish-bashkëshortit dhe ish-kunatit të saj përputhen me faktin se ish-bashkëshorti në vitin 2008 ka marrë kredi në shumën 100 mijë euro, ku garantore ka qenë prokuorja Imeraj. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e kësaj kredie në shumën 45 mijë euro është shpenzuar për një detyrim të ish-kunatit.

Në përfundim, lidhur me apartamentin 66 m2 dhe shtesën 70.4 m2, Komisioneri vlerëson se deklarimet e ndryshme të subjektit të rivlerësimit krijojnë pamundësinë për të verifikuar se cilat ndër to pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike lidhur me krijimin e këtyre pasurive dhe për rrjedhojë, çojnë në pamundësi objektive për të kontrolluar ligjshmërinë e burimeve të krijimit të tyre.

Në kundërshtim të kësaj gjetjeje, Imeraj tha se ishte e provuar që ish-bashkëshorti kishte kryer kontratë parablerje të apartamentit para martesës. Ajo theksoi se në kontratën e regjimit pasuror pasqyrohej e drejta reale për pasurinë në proces legalizimi. Lidhur me kredinë 100 mijë euro, subjekti theksoi se të qënit dorëzanës nuk e bënte pronare.

Ajo pretendoi se Komisioneri, ndryshe nga rasti i një prej parcelave të tokës në Mullet ku kontratën e shitblerjes e cilëson si provë, në rastin e shitblerjes së apartamentit nuk e quan si të tillë. Duke iu referuar parimit të proporcionalitetit, Imeraj e cilësoi apartamentin 66 m2 dhe shtesën si pasuri të ish-bashkëshortit dhe shtoi se KPK e kishte nxjerrë me balancë pozitive.

Komisioneri konstatoi gjithashtu pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 73 m2 në janar të vitit 2008 në Tiranë kundrejt vlerës 500 mijë lekë, me çmim sipas tij më të ulët nga ai i blerjes 12 vite më parë në shumën 1 milion e 750 mijë lekë apo me vlerën 146 mijë euro, sipas vlerësimit në dosjen e bankës. Sipas Ballhysës, edhe referuar çmimit të kontratës ka rezultuar pamundësi financiare, pasi subjekti dhe ish-bashkëshorti i saj nuk kanë shënuar kursime cash në deklarimet paraardhëse.

Ndërsa kredia e vitit 2008 e deklaruar si burim krijimi për këtë pasuri, rezulton të jetë marrë pasi është blerë apartamenti. Edhe në këtë rast, Ballhysa konstaton se deklarimi i Imerajt është i pamjaftueshëm.

Prokurorja Imeraj tha se nuk kishte asnjë lloj lidhje me apartamentin me sipërfaqe 73 m2. Ajo sqaroi se kjo pasuri ishte blerë në vitin 1996 prej familjarëve të ish-bashkëshortit dhe se transaksioni i vitit 2008 ishte kryer pasi nevojitej për t’u vendosur si kolateral për marrjen e kredisë.

Pamjaftueshmëri financiare u konstatua prej Komisionerit edhe për shlyerjen e një kredie në shumën 2 milionë lekë të marrë prej subjektit në vitin 2006. Ballhysa argumentoi se Imeraj nuk ka deklaruar posedim likujditetesh cash në vitin 2006 dhe për rrjedhojë, nuk ka pasur mundësi për shlyerjen e kredisë në maj të 2007-ës.

Ndryshe nga komisioneri, Imeraj tha se në vitin 2006 kishte marrë kredi për të investuar tek shtëpia e prindërve ku jetonte, por pasi kishte vendosur të lidhte martesë, e kishte përdorur në vitin 2007 për të shlyer kredinë e marrë. Ajo shpjegoi se vlerën e kredisë nuk e kishte kuptuar si të ardhur, por si detyrim.

Sipas Ballhysës, Imeraj nuk arriti të provojë as pretendimin se një godinë me 5 katëshe banimi në Tiranë, është në pronësi të ish-bashkëshortit dhe familjarëve të tij dhe që ata kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e asaj pasurie.

Duke iu referuar kontratës së shitjes së truallit në vitin 2006; si dhe lejes së legalizimit të vitit 2011 për ndërtimin, Komisioneri konstatoi se deri në momentin e plotësimit të deklaratës “veting” mbajtës i titullit të pronësisë ka qenë ish-bashkëshorti i Imerajt.

Ai shtoi se trualli ku është ngritur objekti me 5 kate ka shërbyer si garanci pasurore për marrjen e kredisë nga prokurorja Imeraj në vitin 2006, ku ish-bashkëshorti ka dalë si dorëzanës dhe hipotekues me pasuritë në pronësi të tij.

Sipas Komisionerit, edhe duke mbajtur në konsideratë pretendimet e Imerajt se ish-bashkëshorti ka financuar vetëm katin e tretë të banesës, nuk janë provuar burimet e ligjshme të krijimit të kësaj pasurie.

Lidhur me pretendimin e subjektit për të përfshirë në analizën financiare shumën 5.3 milionë lekë të dërguar nga ish-kunati, Komisioneri kërkoi që të mbahet në konsideratë shpenzimi i   vëllait të ish-bashkëshortit për dy katet e tjera të banimit në të njëjtën godinë që aktualisht rezultojnë në pronësi të tij.

“Do të rezultonte në pamjaftueshmëri të burimeve financiare, pasi vlera e investimit është më e lartë se vlera e dërgesave,” tha Ballhysa.

Imeraj tha në seancë se kur kishte nisur bashkëjetesën, objekti ishte ndërtuar. Ajo përmendi si provë kërkesën për legalizim të vitit 2006, si dhe kontratat e energjisë dhe të ujit.

“Provohet ndërtimi para martesës dhe pronësia e vëllezërve,” theksoi ajo dhe pretendoi se ish-bashkëshorti kishte pasur burime të ligjshme për ndërtimin e katit të tij, si dhe ishin provuar transfertat e kryera.

Për pretendimin e subjektit për përfshirjen e të ardhurave nga qiraja e një ambjenti në Tiranë për periudhën 2005-2007, Ballhysa vërejti se kjo pasuri ka qenë në atë kohë në pronësi të ish-kunatit, ndërkohë që deklarimi i këtyre të ardhurave në organet tatimore është kryer pas plotësimit të deklaratës “veting”.

Imeraj solli në vëmendje se ish-bashkëshorti kishte fituar të ardhura nga qiradhënia dhe sipas saj kishte qenë detyrim i qiramarrësve të paguanin tatimet. Sipas subjektit, ata i kishin shlyer ato.

Në vlerësimin pasuror, Ballhysa tha gjithashtu se dënimi i ish-kunatit të Imerajt në Itali është sipas tij i rëndësishëm jo vetëm për vlerësimin e pastërtisë së figurës, por edhe në kriterin e pasurisë.

“Nisur nga fakti se ish-kunati i Imerajt ka qenë i dënuar…, të ardhurat që ka fituar në mënyrë të paligjshme i ka investuar në ndërtimin e shtëpisë në të cilën jeton edhe subjekti i rivlerësimit,” tha Ballhysa. “Ky konkluzion është më bindës nisur nga fakti se KPK-ja e ka pranuar të besueshëm shpjegimin se edhe ish-kunati ka investuar në ndërtimin e banesës familjare,” shtoi ai.

Imeraj deklaroi se nuk është e lehtë t’i thuash dikujt se është i dënuar dhe i përfshirë në krimin e organizuar. Ajo theksoi se ligji e ka të qartë përcaktimin e personave të dënuar dhe ngriti dyshime mbi ONM-në për mosparaqitjen e vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Romë që i ka dhënë ish-bashkëshortit të saj pafajësi.

Në përfundim për kriterin e pasurisë, Imeraj e konsideroi shteruese analizën financiare të KPK-së dhe i kërkoi Komisionerit të heqë dorë nga shkaku për pamundësitë financiare. Sipas saj, Ballhysa nuk ka evidentuar balanca negative konkrete, duke i hequr të drejtën për të dhënë shpjegime dhe prova për pamundësitë e pretenduara.

Pastërtia e figurës

Komisioneri Publik u qëndroi edhe shkaqeve të paraqitura për pastërtinë e figurës, lidhur me gjetjet e ONM-së për dënimin e ish-bashkëshortit dhe të ish-kunatit në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik të qënieve njerëzore.

Ballhysa konstatoi gjetjen e ONM-së, sipas së cilës ish-bashkëshorti i prokurores Imeraj dhe ish-kunati i saj, janë persona të cilët nën identitete false janë dënuar me vendim të shkallës së parë të Gjykatës së Romës. Ndërkohë, Gjykata e Apelit Romë ka shpallur të pafajshëm ish-bashkëshportin e Imerajt, ndërsa ish-kunati është dënuar përfundimisht me 7 vjet burgim dhe gjobë 54 mijë euro, që më pas janë reduktuar në 4 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Imeraj e kundërshtoi këtë gjetje duke argumentuar se legjislacioni nuk i konsideron persona të përfshirë në krimin e organizuar ata individë që janë shpallur të pafajshëm me vendim të formës së prerë. Po ashtu, ajo ritheksoi faktin se asnjë prej institucioneve ligjzbatuese nuk kishin asnjë informacion që ish-bashkëshorti dhe ish-kunati të kenë qenë të proceduar apo dënuar për ndonjë vepër penale.

Subjekti solli në vëmendje vendime të KPK-së për raste të ngjashme sipas saj, ku subjektet e rivlerësimit nuk ishin penalizuar dhe nuk ishin ankimuar nga Komisioneri.

“Do doja të njëjtin standart për të gjithë,” tha Imeraj dhe e cilësoi këtë gjetje si tendencioze për të ngarkuar procesin me negativitet.

Profesionalizimi

Në kriterin profesional, Ballhysa kërkoi që të shqyrtohen nga Kolegji edhe gjetjet e ONM-së, konkretisht dy procedime penale ku subjekti ka qenë në cilësinë e prokurores së çështjes, si dhe një çështje që ka përfaqësuar në gjykatë në vitin 2016.

Lidhur me shkaqet e ankimit për çështje të etikës, Komisioneri kërkoi që të vlerësohen prej Kolegjit gjetjet e ONM-së lidhur me ndikimin tek ish-vëzhguesi ndërkombëtar, Hans Klijstra; për procedurat gjyqësore të divorcit; për dorëheqjen e anëtares së trupës së KPK-së, Etleda Çiftja; si dhe të mbajë në konsideratë sjelljen e Imerajt gjatë seancës dëgjimore në Komision. Në përfundim, Ballhysa kërkoi shkarkimin e prokurores Elizabeta Imeraj nga detyra.

Imeraj i kundërshtoi gjetjet për profesionalizmin. Ajo solli në vëmendje se kishte marrë vetëm tre pafajësi nga qindra kërkesa për dënime të të pandehurve.

Çështjet për etikën që lidhen me vëzhguesin ndërkombëtar, komisioneren Çiftja dhe zgjidhjen e martesës, Imeraj i cilësoi të lidhura me denoncimet anonime.

“Po të mos ishin letrat e Rrahim Shehut, Komisioneri Publik do vlerësonte si në çështjet e tjera,” vërejti ajo.

“Jam e hapur për hetim administrativ dhe penal në qoftë se personi im ka të bëjë. Kur nuk ka dijeni asnjë institucion shtetëror, si ka mundësi që i dika Rrahim Shehu,” tha Imeraj, ndërsa i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin e saj në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *