Gjyqtarja Marinela Osmani në KPA | Foto: BIRN/ Vladimir Karaj
KPA Lajme Veting

KPA mbyll shqyrtimin gjyqësor në çeshtjen ndaj gjyqtares Marinela Osmani

Seanca e shkurtër gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në çështjen ndaj gjyqtares Marinela Osmani u fokusua mbi termin propocionalitet i aplikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vendimin për konfirmimin në detyrë të saj, përkundër vendimit të Kolegjit që çoi në shkarkimin e bashkëshortit ish-prokurorit Gentjan Osmani mbi të njëjtat prova.

Ish-prokurori Gentjan Osmani u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në fund të korrikut 2017, pasi më herët ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Bazë për shkarkimin e tij shërbeu, siç del në vendimin e zbardhur, pamundësia për të justifikuar gjendjen cash dhe shpenzimet në vitet 2011 dhe 2013 për rreth 1.7 milion lekë.

Në rastin e gjyqtares, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi hetoi çështjen, arriti në përfundimin se shkarkimin i subjektit mbi të njëjtat argumente dhe prova që shërbyen për largimin e bashkëshortit nga detyra do ishte jopropocional.

“Aplikimi i së njëjtës masë disiplinore ndaj subjektit të rivlerësimit me atë të bashkëshortit të saj, në vështrim të konstatimeve të renditura më sipër, nuk do të ishte as proporcional dhe as objektiv”, arsyetoi KPK.

Ndryshe nga KPK, ashtu si dhe për bashkëshortit, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i rekomandoi Komisioneri Publik ta ankoi çështjen e Osmanit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisioneri i kërkoi Kolegjit në seancë publike që të arsyetojë nëse ky vendim i KPK-së qëndron dhe të shohë rastin si mundësi për të udhëzuar Komisionin në situata të ngjashme.

Në parashtrim të çështjes para Kolegjit, Komisioneri Publik Florian Ballhysa i kërkoi Kolegjit që të interpretonte nëse propocionaliteti i aplikuar prej Komisionit qëndronte dhe po ashtu ta bënte këtë vendim një udhëzim për raste të ngjashme me subjekte rivlerësimi që janë persona të lidhur.  “Nga Kolegji të jepet arsyetimi i nevojshëm/i duhur, duke siguruar parime udhëzuese për raste të ngjashme për subjektet e rivlerësimit, të cilët janë persona të lidhur me subjekte të tjerë rivlerësimi”, tha Komisioneri.

Ballhysa iu referua vendimit të KPA për bashkëshortin e Osmanit, në të cilin Kolegji shprehet se

“Nuk paragjykon të drejtën e saj për një hetim të pavarur, të paanshëm dhe një rivlerësim në përputhje me ligjin nga organet e rivlerësimit”.

Por ai tha se kjo pjesë e arsyetimit ishte e pamjaftueshme për të shërbyer si direktive në raste të ngjashme.

Sipas Komisionerit arsyetimi i Komisionit në rastin konkret ishte i pamjaftueshëm dhe bazohej vetëm në një renditje të fakteve, por pa shpjeguar se si ishte arritur në përfundimin për të përcaktuar se çfarë ishte propocionale apo jo.

Osmani nga ana e saj iu referua vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut dhe i kërkoi Kolegjit të mbante parasysh ndëshkimi administrativ me shkarkim ishte masa më e rëndë që mund të jepej në këtë rast. Ajo tha se ndëshkimi i saj për të njëjtin problem do ishte sipas saj në shkelje të këtij parimi, vlerësimi i të cilit u ishte lënë nga Gjykata Kushtetuese në dorë institucioneve të vetingut.

Duke iu referuar vendimit të GJEDNJ-së në rastin e ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj, Osmani thotë se gjykata kishte arsyetuar se masa e shkarkimit “kërkon shqyrtimin e provave të qëndrueshme në lidhje me etikën, integritetin dhe aftësinë profesionale të individit në fjalë.”

Gjyqtarja këmbënguli se KPK e kishte marrë parasysh këtë vendim dhe se konfirmimi i saj ishte “në përputhje të plotë” me arsyetimin e dhënë nga GJEDNJ në çështjen Xhoxhaj Kundër Shqipërisë.

Gjyqtarja këmbënguli se problemet e gjetura në pasurinë e saj dhe bashkëshortit ishin për shkak të pasaktësisë në deklarimin e kursimeve, por se burimi i pasurisë ishte i ligjshëm. Ajo tha se Kolegji duhej të mbante parasysh se kjo pasaktësi nuk ishte korrigjuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit edhe pse ai e kishte shqyrtuar pasurinë e çiftit në këtë periudhë.

Gjyqtarja Marinela Osmani, e cila punon aktualisht si këshilltare ligjore në Këshillin e Lartë Gjyqësor u konfirmua në detyrë më 11 prill 2021 nga trupa gjyqësore e udhëhequr nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Në Kolegj çështja po shqyrtohet nga një trupë e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtar Sokol Çomo, Rezarta Schuetz dhe Ina Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *