Gjatë njofimit të vendimit për prokurorin Shpëtim Garunja. Foto:KPK
Analiza KPK Veting

Vendimi i KPK: Argumentet e konfirmimit të prokurorit Shpëtim Garunja

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 26 korrik 2022 të konfirmojë në detyrë prokurorin e Tiranës, Shpëtim Garunja, pasi u vlerësua se kishte vërtetuar të kundërtën e barrës së provës për burimet financiare që kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti në kryeqytet. Ndërkohë, konstatimet për mangësitë në aspektin e njohurive ligjore nuk u gjetën penalizuese.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Garunja u krye nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon.

Shpëtim Garunja e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1988 dhe punoi si prokuror në Lezhë dhe në Kurbin. Prej vitit 2010, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.

Në deklaratën “veting”, subjekti ka pasqyruar një apartament me sipërfaqe 86.5 m2 në Tiranë, me vlerë 4 milionë lekë, nga të cilat 1.5 milionë se kanë shërbyer për blerjen dhe 2.5 milionë si të investuara deri në momentin e parë të deklarimit në 2003-in. Si burim krijimi të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar të ardhurat nga pagat e tij dhe të bashkëshortes, si dhe një kredi të marrë nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB.

Lidhur me ndryshimin midis vlerës së deklaruar të çmimit të blerjes së apartamentit, shumës 4 milion lekë, me atë të pasqyruar në kontratën e shitblerjes 1.5 milionë lekë, subjekti ka shpjeguar në ILDKPKi se vlera 4 milionë lekë është vendosur pasi ka dashur të shprehë vlerën e apartamentit pas blerjes dhe investimit të kryer.

Por pas verifikimit të të dhënave për tregun e lirë të apartamenteve për vitin 2001, ka rezultuar se atëherë çmohej në shumën rreth 4.8 milionë lekë. Bazuar në këtë konstatim, Garunjës i është kaluar barrë prove.

Subjekti ka theksuar se ka deklaruar gjithmonë vlerën e apartamentit pas blerjes dhe investimit. Ndërkohë, ka shtuar se banesa është ndërtuar në vitet 1997-1999, kur sipas tij nuk ka pasur çmime reference. Ai ka pretenduar se pas kërkimeve për ofertën më të mirë në tregun e lirë është përcaktuar çmimi i blerjes me marrëveshjen e të dy palëve.

Pas analizimit të shpjegimeve dhe përcaktimeve për çmimet e tregut të lirë, Komisioni vlerëson se është pa logjikë ekonomike për shitësin e apartamentit vendosja e çmimit 1.5 milionë lekë në kontratën e shitblerjes, por me interes për subjektin e rivlerësimit. Megjithatë, KPK ka konkluduar se kjo situatë nuk mund të përbëjë shkak për penalizimin e Garunjës, duke qenë se ai vetë në deklaratën e vitit 2003 e në vijim ka shënuar se për apartamentin ka shpenzuar gjithsej shumën 4 milionë lekë. Në këtë vlerësim, KPK ka konsideruar edhe faktin se nuk ka rezultuar që subjekti të gjendej në kushtet e konfliktit të interesit me shoqërinë ndërtuese.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj gjetjeje, Komisioni vlerëson se subjekti ka bërë deklarimin sipas dokumentacionit që ai dispononte, duke pasqyruar çmimin e paguar për blerjen e apartamentit në shumën 1.5 milion lekë dhe atë të investuar në vlerën 2.5 milionë lekë. Për rrjedhojë, në analizën financiare është konsideruar si shpenzim për këtë pasuri vlera 4 milionë lekë.

Lidhur me burimet e krijimit të kësaj pasurie, subjekti ka shpjeguar se prej kredisë së marrë nga Enti Kombëtar i Banesave në vlerën rreth 2.2 milionë lekë, ka paguar shumën 1.5 milion lekë për blerjen e apartamentit, ndërsa pjesën e mbetur e ka përdorur për mobilimin e saj. Sipas Garunjës, pjesa e mbetur rreth 1.7 milionë lekë, është mbuluar nga të ardhurat prej pagës së tij e të bashkëshortes së ndjerë.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti e ka përfituar kredinë nga Drejtoria Rajonale e EKB-së Lezhë pasi ka hequr dorë nga blerja me këste e një apartamenti si i pastrehë, pasuri për të cilën ka lidhur edhe një kontratë shitblerje.

Nisur nga fakti se kredia e marrë prej EKB-së në Lezhë, është përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë, KPK i ka kërkuar sqarime subjektit. Ai ka deklaruar se kontrata me rezervë për blerjen e banesës në Lezhë ka qenë formale dhe se vjen si rrjedhojë e trajtimit të familjes së tij si e pastrehë.

Garunja ka sqaruar në vijim se për shkak të transferimeve të shumta, ndërkohë që familja jetonte në Shkodër dhe vetë punonte në Lezhë, ka hequr dorë nga apartamenti në atë qytet, duke u dakordësuar edhe me përfaqësuesit e EKB-së. Sipas tij, kur ka kryer një pagesë në shumë 90 mijë lekë për llogari të EKB-së, kjo e fundit i ka kaluar vlerën 2 milion e 257 mijë lekë.

Komisioni konstaton se EKB ka sqaruar se kontrata e lidhur me Garunjën vijon të jetë aktive dhe se ai paguar këstet e apartamentit duke qenë zotërues, por jo pronar i ligjshëm i asaj pasurie. Ndërkohë, nga verifikimi në ASHK ka rezultuar se apartamenti në Lezhë figuron ende i regjistruar në emër të personave që e kanë privatizuar në vitin 1993.

Bazuar në këto të dhëna, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për mosmbështetjen me prova justifikuese të pretendimit se kredia nga EKB ka shërbyer për pagesën e çmimit të apartamentit në Tiranë dhe një pjese të investimit, pasi kontrata për blerjen e banesës në Lezhë ka rezultuar të jetë ende në fuqi.

Garunja ka këmbëngulur se apartamenti në Lezhë nuk është në pronësinë e tij dhe se nuk e ka përdorur asnjëherë, si dhe ka theksuar se kontrata ka qenë formale. Ai ka rikthesuar se nga ky apartament ka hequr dorë me dakordësinë e përfaqësuesit të EKB-së Lezhë dhe se vlera 2 milion e 257 mijë lekë i është dorëzuar personalisht në gusht të vitit 2001.

Komisioni analizon përmbajtjen e kontratës së shitjes me rezervë të apartamentit në Lezhë, duke e konsideruar si një veprim juridik me natyrë të dyfishtë. “Nga njëra anë është veprim juridik detyrimi, por nga ana tjetër ka edhe një natyrë juridike pronësie”, vlerëson KPK.

Lidhur me transaksionet e kryera në vitin 2001 për apartamentin në Lezhë, Komisioni vëren se kjo pasuri është blerë me fonde shtetërore dhe se blerësi, në këtë rast subjekti, duhej të shlyente pagesën e kryer. Ndërkohë, janë përcaktuar këstet për pagesën e çmimit të kësaj banese në shumën 2 milonë e 258 mijë lekë, që rezulton se Garuja i ka shlyer në pjesën më të madhe dhe se i kanë mbetur për të paguar 281 mijë lekë deri në përfundimin e kontratës.

“Evidentohet qartësisht dhe provohet se ndërmjet EKB-së Lezhë dhe subjektit të rivlerësimit ekziston një marrëdhënie detyrimi që ka lindur nga kontrata e shitjes me këste, me kusht, nr. ***, datë 1.8.2001, ku subjekti i rivlerësimit detyrohet t’i kthejë EKB-së shumën 2.258.000 lekë, si dhe ekzekutimi i detyrimit, i vërtetuar me deklarimet e subjektit në deklarata periodike vjetore dhe transfertat bankare nga llogaria e tij në llogarinë e EKB-së”, argumenton Komisioni.

“Subjekti i rivlerësimit nga kjo marrëveshje ka përfituar vetëm shumën prej 2.257.000 lekësh, me të cilën ka paguar këstin e apartamentit të blerë në Tiranë”, konstaton KPK dhe ka konsideruar se subjekti ka kryer dekarim të saktë lidhur me përdorimin e kredisë së marrë nga EKB në Lezhë për pagesën e çmimit të apartamentit në Tiranë. Për rrjedhojë shuma e kredisë afro 2.3 milionë lekë është vlerësuar si burim i ligjshëm në analizën financiare

Po ashtu, KPK ka konkluduar se subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë pasur mundësi që nga kursimet prej pagave të tyre të kursejnë shumën tjetër 1.7 milionë lekë, që ka shërbyer për investimet e kryera për banesën në kryeqytet.

Shpjegimet dhe provat e Garunjës janë gjetur bindëse edhe lidhur me një kontratë porosie të vitit 2006 për një apartament në Durrës, kundrejt çmimit 25 mijë e 200 euro, nga të cilat ka shlyer 21 mijë e 200 euro.

Komisioni i ka kërkuar subjektit të shpjegonte se kur e ka marrë në përdorim apartamentin, por ai ka deklaruar se nuk e ka marrë në përdorim dhe as e gëzon këtë apartament, pasi nuk është kryer akti i shitblerjes dhe as pagesa e plotë – për shkak të mos përfundimit dhe kolaudimit të pallatit.

Sipas tij, apartamenti aktualisht figuron në pronësi të subjektit ndërtues. Gjithashtu, ka deklaruar se nuk disponon kontrata të furnizimit me energji elektrike dhe ujë për këtë apartament për shkak të mosposedimit fizikisht. Komisioni shprehet se subjekti ka dorëzuar dokumentacion provues për të vërtetuar deklarimin e tij.

Nga analiza financiare për pagesën e kësteve për këtë pasuri, është konstatuar se subjekti dhe familjarët e tij kanë pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për të shlyer pagesën e vlerës 21 mijë e 200 euro.

Po ashtu, KPK vlerëson se Garunja ka pasur mundësi financiare për blerjen e një automjeti në vlerën 7000 euro në vitin 2013; për një gjendje cash në shumën 980 mijë lekë të pasqyruar në deklaratën ‘veting”; krijimin e një llogarie rrjedhëse në shumën 3.2 milionë lekë; si dhe për  mbulimin e shpenzimeve për kurimin e bashkëshortes së ndjerë.

Gjatë hetimit në kriterin profesional lidhur me disa çështje të hetuara nga prokurori Garunja, Komisioni konstaton mangësi të subjektit në aspektin e njohurive ligjore. Megjithatë, Komisioni vlerëson se në raport me gjithë çështjet e analizuara dhe ngarkesës së Garunjës në punë, nuk është vlerësuar se gjenden gabime thelbësore. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, Komisioni vlerëson se Garunja është “i aftë”, pasi ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve dhe është eficient në masë të pranueshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *