Konfirmimi i Elfrida Bregovës ankimohet për pasurinë dhe figurën

Lajme
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa vendosi të martën më 24 maj që të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Elfrida Bregova, duke çmuar se kjo vendimarrje është e cënueshme në lidhje me kriterin e pasurisë dhe të figurës. Ballhysa vlerëson se prej gjetjeve të hetimit administrativ në shkallën e parë, evidentohen shkaqe të mjaftueshme ligjore që vendimi i KPK-së për Bregovën t’i paraqitet juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit, duke i kërkuar këtij të fundit që në përfundim të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin ose lënien në fuqi të konfirmimit të këtij subjekti rivlerësimi. Prokurorja Elfrida Bregova u konfirmua në detyrë më 8 prill, pasi bindi Komisionin për ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurive, si për rrethanat e një transferte bankare në emër të bashkëshortit për pagesën e çmimit të një apartamenti, që subjekti pretendoi se ishte kryer nëpërmjet falsifikimit të nënshkrimit dhe e kishte kallëzuar në prokurori. Sipas vendimit të arsyetuar, trupa e KPK-së e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitajn është dakordësuar për konfirmimin e Bregovës, por ka pasur qëndrime të ndara sa i përket vlerësimit për një pjesë të burimeve financiare dhe për transfertën 21 mijë e 493 euro për shlyrjen e apartamentit. Hamitaj në pakicë vlerëson se procesi i vetingut për Bregovën duhej të ishte pezulluar deri në përfundimin e hetimeve për kallëzimin e kryer prej saj lidhur me falsifikimin e dokumentacionit të transfertës. Ai vlerëson se kjo shumë duhet të përfshihet në analizën financiare, por balancën negative të konstatuar e vlerëson të pamjaftueshme për të penalizuar subjektin. Në kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik vlerëson si të pambështetur në prova përfundimin e Komisionit lidhur me pagesën në shumën 21 mijë e 493 euro të kryer për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 97.3 m2 dhe verandë 73.5 m2 në Tiranë, kundrejt çmimit 104 mijë euro. Nga analiza e burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e kësaj pasurie, Komisioni ka konstatuar edhe mandat pagesën në shumën 21 mijë e 493 euro të kryer në rrugë bankare dhe që mban nënshkrimin e bashkëshortit të subjektit. Në vendimin e KPK-së thuhet se prokurorja Bregova ka deklaruar se kjo transfertë nuk është kryer prej bashkëshortit të saj dhe se nënshkrimi është i falsifikuar. Sipas Komisionit, ajo ka depozituar dokumente që vërtetojnë se në ditën dhe në momentin kur rezulton të jetë kryer transferta, bashkëshorti i saj nuk ndodhej në Tiranë, por në Shkodër, ku ka marrë pjesë në seanca gjyqësore në cilësinë e prokurorit. Bregova ka dorëzuar si prova edhe mandat arkëtime për shlyerjen e çmimit të apartamentit, të kryera cash pranë shoqërisë ndërtuese dhe ka theksuar se nuk kanë kryer pagesa të tjera. Bazuar në dokumentet e administruara, Komisioni konkludon se shuma 21 mijë e 493 euro nuk mund të jetë depozituar prej bashkëshortit të saj dhe për rrjedhojë nuk është konsideruar si e paguar prej tyre, si dhe nuk është përfshirë në analizën financiare. Sipas komisionerit Ballhysa, KPK i jep vëmendje provave me burim nga firma ndërtuese, ndërkohë që nga tërësia e akteve të administruara nga kjo shoqëri gjatë hetimit administrativ, rezultojnë përgjigje kontradiktore si me mënyrën e pagesës së çmimit, ashtu dhe për periudhën e pagesave dhe subjektet që i realizojnë ato. Në vijim, komisioneri rendit faktet kontradiktore për këtë rrethanë. Duke iu referuar kontratës së shitblerjes, Ballhysa vëren se palët janë dakortësuar se vlera e apartamentit prej 104 mijë euro është likuiduar totalisht. “Gjatë hetimit administrativ, në përgjigje të shkresave të dërguara nga ana e Komisionit, shoqëria fillimisht konfirmon se pagesat janë kryer në llogarinë bankare të shoqërisë nga bashkëshorti i subjektit, edhe pas korrikut të vitit 2012, ndërsa në përgjigjen drejtuar subjektit të rivlerësimit, e cila është më pas në kohë nga përgjigjet drejtuar Komisionit, informon se vlera e arkëtuar cash nga bashkëshorti i subjektit, në korrik 2012, është depozituar në bankë pjesë-pjesë nga përfaqësues të shoqërisë, deri në fund të vitit 2012, përfshirë dhe pagesën e kryer pranë ***-së, në shumën 21.493,55 euro, në emër të personit të lidhur,” konstaton Ballhysa. Komisioneri e vlerëson të paqartë shkakun dhe qëllimin e depozitimit të vlerës 21 mijë e 493 euro në dhjetor të vitit 2012 për llogari të shoqërisë ndërtuese për shlyerjen e vlerës së apartamentit, ndërkohë që subjekti ka deklaruar se çmimi i kësaj pasurie është likujduar prej korrikut të atij viti. Bazuar në këto rrethana kontradiktore, Ballhysa vlerëson se është i nevojshëm një hetim i mëtejshëm nga ana e Kolegjit, që do të lejonte administrimin në cilësinë e provës të të gjitha veprimeve të kryera nga ana e shoqërisë në lidhje me apartamentin në Tiranë. Lidhur me kontrollin e pastërtisë së figurës, komisioneri vëren se në Komision nuk është administruar informacioni i Shërbimit Informativ Shtetëror lidhur me subjektin e rivlerësimit. Ai vlerëson se është e nevojshme që kjo mangësi të riparohet gjatë gjykimit të ankimit në Kolegj. Në përfundim, Ballhysa kërkon ndryshimin ose lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurores Elfrida Bregova.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa vendosi të martën më 24 maj që të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Elfrida Bregova, duke çmuar se kjo vendimarrje është e cënueshme në lidhje me kriterin e pasurisë dhe të figurës.

Ballhysa vlerëson se prej gjetjeve të hetimit administrativ në shkallën e parë, evidentohen shkaqe të mjaftueshme ligjore që vendimi i KPK-së për Bregovën t’i paraqitet juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit, duke i kërkuar këtij të fundit që në përfundim të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin ose lënien në fuqi të konfirmimit të këtij subjekti rivlerësimi.

Prokurorja Elfrida Bregova u konfirmua në detyrë më 8 prill, pasi bindi Komisionin për ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurive, si për rrethanat e një transferte bankare në emër të bashkëshortit për pagesën e çmimit të një apartamenti, që subjekti pretendoi se ishte kryer nëpërmjet falsifikimit të nënshkrimit dhe e kishte kallëzuar në prokurori.

Sipas vendimit të arsyetuar, trupa e KPK-së e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitajn është dakordësuar për konfirmimin e Bregovës, por ka pasur qëndrime të ndara sa i përket vlerësimit për një pjesë të burimeve financiare dhe për transfertën 21 mijë e 493 euro për shlyrjen e apartamentit.

Hamitaj në pakicë vlerëson se procesi i vetingut për Bregovën duhej të ishte pezulluar deri në përfundimin e hetimeve për kallëzimin e kryer prej saj lidhur me falsifikimin e dokumentacionit të transfertës. Ai vlerëson se kjo shumë duhet të përfshihet në analizën financiare, por balancën negative të konstatuar e vlerëson të pamjaftueshme për të penalizuar subjektin.

Në kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik vlerëson si të pambështetur në prova përfundimin e Komisionit lidhur me pagesën në shumën 21 mijë e 493 euro të kryer për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 97.3 m2 dhe verandë 73.5 m2 në Tiranë, kundrejt çmimit 104 mijë euro.

Nga analiza e burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e kësaj pasurie, Komisioni ka konstatuar edhe mandat pagesën në shumën 21 mijë e 493 euro të kryer në rrugë bankare dhe që mban nënshkrimin e bashkëshortit të subjektit. Në vendimin e KPK-së thuhet se prokurorja Bregova ka deklaruar se kjo transfertë nuk është kryer prej bashkëshortit të saj dhe se nënshkrimi është i falsifikuar.

Sipas Komisionit, ajo ka depozituar dokumente që vërtetojnë se në ditën dhe në momentin kur rezulton të jetë kryer transferta, bashkëshorti i saj nuk ndodhej në Tiranë, por në Shkodër, ku ka marrë pjesë në seanca gjyqësore në cilësinë e prokurorit.

Bregova ka dorëzuar si prova edhe mandat arkëtime për shlyerjen e çmimit të apartamentit, të kryera cash pranë shoqërisë ndërtuese dhe ka theksuar se nuk kanë kryer pagesa të tjera.

Bazuar në dokumentet e administruara, Komisioni konkludon se shuma 21 mijë e 493 euro nuk mund të jetë depozituar prej bashkëshortit të saj dhe për rrjedhojë nuk është konsideruar si e paguar prej tyre, si dhe nuk është përfshirë në analizën financiare.

Sipas komisionerit Ballhysa, KPK i jep vëmendje provave me burim nga firma ndërtuese, ndërkohë që nga tërësia e akteve të administruara nga kjo shoqëri gjatë hetimit administrativ, rezultojnë përgjigje kontradiktore si me mënyrën e pagesës së çmimit, ashtu dhe për periudhën e pagesave dhe subjektet që i realizojnë ato.

Në vijim, komisioneri rendit faktet kontradiktore për këtë rrethanë. Duke iu referuar kontratës së shitblerjes, Ballhysa vëren se palët janë dakortësuar se vlera e apartamentit prej 104 mijë euro është likuiduar totalisht.

“Gjatë hetimit administrativ, në përgjigje të shkresave të dërguara nga ana e Komisionit, shoqëria fillimisht konfirmon se pagesat janë kryer në llogarinë bankare të shoqërisë nga bashkëshorti i subjektit, edhe pas korrikut të vitit 2012, ndërsa në përgjigjen drejtuar subjektit të rivlerësimit, e cila është më pas në kohë nga përgjigjet drejtuar Komisionit, informon se vlera e arkëtuar cash nga bashkëshorti i subjektit, në korrik 2012, është depozituar në bankë pjesë-pjesë nga përfaqësues të shoqërisë, deri në fund të vitit 2012, përfshirë dhe pagesën e kryer pranë ***-së, në shumën 21.493,55 euro, në emër të personit të lidhur,” konstaton Ballhysa.

Komisioneri e vlerëson të paqartë shkakun dhe qëllimin e depozitimit të vlerës 21 mijë e 493 euro në dhjetor të vitit 2012 për llogari të shoqërisë ndërtuese për shlyerjen e vlerës së apartamentit, ndërkohë që subjekti ka deklaruar se çmimi i kësaj pasurie është likujduar prej korrikut të atij viti.

Bazuar në këto rrethana kontradiktore, Ballhysa vlerëson se është i nevojshëm një hetim i mëtejshëm nga ana e Kolegjit, që do të lejonte administrimin në cilësinë e provës të të gjitha veprimeve të kryera nga ana e shoqërisë në lidhje me apartamentin në Tiranë.

Lidhur me kontrollin e pastërtisë së figurës, komisioneri vëren se në Komision nuk është administruar informacioni i Shërbimit Informativ Shtetëror lidhur me subjektin e rivlerësimit. Ai vlerëson se është e nevojshme që kjo mangësi të riparohet gjatë gjykimit të ankimit në Kolegj.

Në përfundim, Ballhysa kërkon ndryshimin ose lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurores Elfrida Bregova.