Prokurori Astrit Halilaj në seancë dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

Vendimi i KPK: Astrit Halilaj u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm

Prokurori i Shkodrës, Astrit Halilaj u shkarkua nga detyra më 30 qershor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK arriti në përfundimin se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë, si dhe rezultoi se nuk kishte pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e tyre. Ndërkohë, Halilaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin.

Problemet kryesore që evidentohen në vendimin e arsyetuar të KPK-së kanë të bëjnë me investimet e kryera në një banesë me dy katëshe plus papafingo dhe burimet e krijimit të kësaj pasurie; me burimet për blerjen e një apartamenti dhe një parkimi në Vlorë dhe për një makinë dhe dy njësi shërbimi të porositura nga vëllai në vitin 2000, të drejtat reale të të cilave i janë kaluar subjektit në 2014-ën, por pa dhënë gjë konkrete në këmbim.

Astrit Halilaj e ka filluar karrierën si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1993 dhe përgjatë dy dekadave ka mbajtur pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit. Prej vitit 2016, ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në vitin 2003, Halilaj ka deklaruar banesë private me sipërfaqe 120 m2, me përshkrimin “e ndërtuar vetë në vitin 1994, me vlerë 2 milionë lekë”. Në vitin 2009, subjekti ka deklaruar investim në ndërtim papafingo në banesën ekzistuese, karabina nënçati, me vlerë 300 mijë lekë, ndërsa në deklaratën “veting” ka deklaruar sipërfaqe trualli 420 m2, të ndërtuar vetë në vitin 1997 me vlerë përafërsisht 5 milionë lekë – por pa e pasqyruar burimin financiar që ka shërbyer për investimin në këtë pasuri.

Komisioni konstaton mospërputhje mes deklarimeve në vite dhe përgjigjeve të subjektit në pyetësorët fillestarë lidhur me kohën e ndërtimit dhe burimet që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie. Pas kërkesës së KPK për të dhënë detaje më të hollësishme, Halilaj ka shpjeguar se punimet kanë filluar në vitin 1995 dhe se në vitin 1997 kishte qenë i banueshëm vetëm kati i parë, ndërsa ishte përfunduar karabinaja e katit të dytë, atij të tretë dhe çatia.

Ai ka deklaruar se ndërtimi i katit të parë së bashku me arredimin ka kushtuar 2 milionë lekë. Halilaj është shprehur gjithashtu se, në vitin 2009 janë bërë investime në katin nënçati dhe në vitin 2014 janë kryer punime të tjera të brendshme dhe kati i dytë dhe papafingo janë bërë të banueshme pas këtyre investimeve.

Duke i konsideruar të papërcaktuara qartë periudhat kohore të ndërtimit të godinës, KPK ka kryer në mënyrë të pavarur një verifikim nëpërmjet pamjeve satelitore, nga ku ka rezultuar se gjurma e ndërtimit dhe çatia e godinës nuk kanë ndryshuar së paku prej vitit 2004.

Halilaj ka këmbëngulur se punimet për këtë banesë kanë vijuar deri në vitin 2014. Por, Komisioni vëren se është provuar se së paku dy katet e para të shtëpisë kanë qenë të përfunduara në vitin 1996, si dhe kati i tretë ka qenë në gjendje karabinaje deri në fund të ’97-ës.

“Trupi gjykues – përpos faktit që subjekti nëpërmjet formularit të vetëdeklarimit pranë ALUIZNI-t ka deklaruar se në vitin 2006 banesa trekatëshe ka qenë e përfunduar – vlerëson të theksojë faktin se, edhe nëse do të konsiderohej bindës pretendimi për shtrirjen e këtyre punimeve deri në vitin 2014, duke i ripërllogaritur shpenzimet përkatëse në harkun kohor deri në vitin 2014, sërish subjekti do të rezultonte me një pamjaftueshmëri financiare të ngjashme dhe të konsiderueshme, në masën 4.731.986 lekë, duke mos ndikuar kështu në rezultatin final”, arsyeton KPK dhe konkludon se Halilaj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në këtë rast.

Megjithëse kjo pasuri është krijuar para fillimit të detyrës, Komisioni vlerëson se subjekti ka pasur detyrimin të justifikonte burimin e ligjshëm, për sa kohë është një prej pasurive të deklaruara prej tij.

Në vitin 2010, Halilaj ka deklaruar porositjen e një apartamenti dhe vendparkimi në Vlorë, për vlerën totale 35 mijë euro. Po ashtu, ka deklaruar se kishte paguar vetëm dy këstet e para në shumën totale 20 mijë euro, me burim nga të ardhurat vjetore, një depozitë bankare dhe një hua nga kunati në shumën 10 mijë euro, të vërtetuar me kontratë noteriale të vitit 2010.

KPK konstaton se në deklaratën “veting” janë deklaruar si burim krijimi vetëm të ardhurat familjare, ndërkohë që nuk është vërtetuar mundësia e kunatit të subjektit për dhënien e shumës 10 mijë euro.

Në vendim thuhet se Halilaj nuk ka dhënë shpjegime lidhur me mospërputhjen e burimit të krijimit të apartamentit. Ndërsa lidhur me burimin e huasë, ka shpjeguar se kunati ka marrë në posedim një vlerë 30 mijë euro nga një person tjetër me qëllim prenotimin e një apartamenti në Shëngjin, prej nga i ka dhënë subjektit shumën 10 mijë euro për blerjen e apartamentit në Vlorë.

Komisioni vëren se pretendimi i subjektit se si burim i huasë së marrë nga kunati kanë shërbyer të ardhurat dhe kursimet e një personi tjetër, është përmendur për herë të parë në pyetësorin e katërt.

“Paraqitja e dokumentacionit të mësipërm, vetëm pas njohjes me rezultatet e hetimit, e bën deklarimin/qëndrimin e subjektit mbi burimin e kësaj huaje kontradiktor dhe jo bindës,” vlerëson KPK dhe nuk e ka përfshirë në analizë shumën 10 mijë euro.

Sipas KPK, subjekti nuk ka arritur të vërtetojë as krijimin e kursimeve në masën 27 mijë USD të depozituara në llogarinë e tij, prej nga ka përdorur 4252 USD për pagesën e apartamentit. Si burim të depozitës, Halilaj ka deklaruar të ardhurat e vëllezërve nga puna në emigracion.

“Komisioni vëren se nga ana e subjektit nuk u arrit të provohej, nëpërmjet ndonjë dokumentacioni ligjor, fakti kryesor që lidhet me gjenerimin e të ardhurave të vëllezërve të tij, për të cilat ka pretenduar se ato janë realizuar nga burime të ligjshme dhe se janë përmbushur detyrimet përkatëse tatimore në vendin e krijimit,” konstaton Komisioni dhe shton se Halilaj nuk ka provuar as ekzistencën e ndonjë marrëdhënieje pune të vëllezërve të tij në vendet dhe në periudhat e pretenduara.

Duke i konsideruar shpjegimet e subjektit si deklarative, Komisioni ka vendosur të mos e përllogarisë në analizë për apartamentin as shumën 4252 USD me burim depozitën e deklaruar si të krijuar me kursimet e vëllezërve në emigracion.

Megjithatë, bazuar dhe në jurispudencën e Kolegjit, trupa e KPK vlerëson se pamundësia financiare që rrjedh nga mungesa e provës mbi ligjshmërinë e burimit të remitancave të dërguara nga vëllezërit e subjektit, nuk është e mjaftueshme që të përbëjë shkak për masë disiplinore.

Këtë konkluzion, KPK e bazon edhe në faktet se në atë periudhë Halilaj nuk ka qenë subjekt deklarues; se ai e ka deklaruar depozitën që prej vitit 2003 duke shpjeguar se shumat u përkisnin vëllezërve të tij; si dhe për faktin se ato vlera nuk kanë qenë në gjendje si pasuri e disponuar në momentin e kryerjes së deklaratës “veting”.

Në analizën financiare për apartamentin nuk janë përfshirë dhe një pjesë të ardhurave të përfituara prej subjektit nga shitja e një automjeti, që e kishte blerë kundrejt çmimit 437 mijë lekë dhe e ka shitur për vlerën 1.2 milionë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se nuk janë paguar detyrimet tatimtore për fitimin e realizuar në shumën 762 mijë lekë, vlerë që nuk është konsideruar si burim për apartamentin.

Në përfundim, KPK konkludon balancë negative në vlerën 2.6 milionë lekë për blerjen e apartamentit dhe mungesë në shumën 134 mijë lekë për garazhin.

KPK konstaton se Halilaj nuk arriti të provojë as ligjshmërinë e burimeve financiare të dy njësive shërbimi në Tiranë, për të cilat ka deklaruar se janë blerë në vitin 2000 nga vëllai i tij F.H. për vlerën 32 mijë USD me të ardhurat e përfituara në emigracion.

Halilaj ka përfituar të drejtat reale të këtyre pasurive në vitin 2014, me anë të një akti noterial. Në deklaratën noteriale, vëllai F.H. ka deklaruar se hiqte dorë nga procedurat e legalizimit të njësive, duke i kaluar të drejtat e tyre në emër të prokurorit Halilaj dhe për rrjedhojë edhe të drejtën e kalimit të pronësisë së këtyre pasurive në emër të subjektit të rivlerësimit.

Vëllai i subjektit sqaronte në deklaratë se hiqte dorë për shkak të dakordësimit që të përfitonte pjesë nga ndarja e një pasurie të trashëguar dhe të fituar së bashku para vitit 2001.

Nga shqyrtimi i kontratës së sipërmarrjes për dy njësitë e shërbimit, Komisioni vëren se ka rezultuar se ato janë nënshkruar prej subjektit. Megjithëse për porositësin F.H. është shënuar “me prokurë”, nuk është përcaktuar apo bashkëlidhur prokura apo ekstremitetet e saj.

Sipas KPK, edhe në këtë rast Halilaj nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e të ardhurave të vëllait nga emigracioni.

“Nuk arriti të shpjegojë e provojë në mënyrë shteruese e bindëse dhe nuk paraqiti ndonjë dokumentacion ligjor, në mënyrë që të provonte ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të krijuara nga vëllezërit e tij për blerjen e pasurive njësi shërbimi, në shumën 32.000 USD, të deklaruara nga subjekti i rivlerësimit si pasuri në deklaratën Vetting”, konstaton KPK dhe arrin në përfundimin e Halilaj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për këto pasuri.

Nga analiza financiare përfundimtare ka rezultuar balancë negative në shumën 4.7 milionë lekë për periudhën para vitit 2003, ndërsa për vitet 2003-2016 ka rezultuar pamundësi në shumën 5 milionë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *