Inspektorja Brunilda Çarçiu pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

KPK u nda për statusin e Brunilda Çarçiut, ndërsa vendimi i shkarkimit ishte unanim

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që kreu procesin e vetingut për inspektoren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Brunilda Çarçiu, u nda lidhur me statusin e saj si subjekt rivlerësimi, ndërkohë që është dakordësuar se mungesat financiare gjatë ushtrimit të detyrës ishin të mjaftueshme për ta shkarkuar. Ndërkohë, nuk u gjetën probleme në kriterin e pastërtisë së figurës dhe në atë profesional.

Shumica e trupës së KPK e përbërë nga kryesuesja Brunilda Bekteshi dhe anëtari Lulzim Hamitaj, vlerësuan se Çarçiu duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar në cilësinë e inspektores dhe si ish-gjyqtare, megjithëse nuk e kishte dorëzuar në kohë kërkesën për t’u vetuar si e tillë. Relatorja e çështjes, Firdes Shuli doli me mendim paralel duke çmuar se nuk është subjekt rivlerësimi dhe se vetingu ndaj saj duhej të ndërpritej pa një vendim përfundimtar.

Brunilda Çarçiu ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në vitet akademike 1987 – 1991. Pas përfundimit të studimeve është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh, funksion që e ka mbajtur deri më 13 maj të vitit 2000, kur me kërkesën e saj, është liruar nga detyra si gjyqtare dhe është emëruar si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë. Këtë detyrë,  Çarçiu e ka ushtruar deri më 1 mars të vitit 2011, kur me urdhërin ish-KLD-së është emëruar si specialiste pranë inspektoriatit të këtij institucioni dhe në vitin 2016 është caktuar si inspektore, por pasi kishin hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese për legjislacionin e vetingut ku përcaktohej se rivlerësoheshin ata që e gëzonin në atë kohë statusin e magjistratit.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka arritur në përfundimin se inspektorja Brunilda Çarçiu e ka ruajtur statusin e magjistratit.

Debati për statusin e subjektit

Subjekti ka plotësuar deklaratën “veting” në vitin 2017 dhe i ka kërkuar Komisionit një vit më vonë që të kryhet procesi i vetingut ndaj saj në cilësinë e ish-gjyqtares. Por, kjo kërkesë ka rezultuar se është kryer jashtë afatit të përcaktuar ligjor.

Megjithëse subjekti ka qenë specialiste në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese për vetingun e magjistratëve, ajo ka paraqitur gjithashtu si argument për pasjen e statusit të subjektit të rivlerësimit, faktin se ka ushtruar më parë detyrën e gjyqtares dhe të inspektores, si dhe për faktin se Shkolla e Magjistraturës i ka kërkuar të kryejë testimin profesional.

Shumica vëren se ndryshimet ligjore hynë në fuqi në tetor të vitit 2016, kur Çarçiu punonte si specialiste, por shton se ato u pezulluan po atë muaj nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për rrjedhojë, efektet e zbatimit nisën me publikimin e vendimit të kësaj gjykate, më 19 janar 2017.

Bekteshi dhe Hamitaj shtojnë se situata ligjore duhet të shihet e lidhur dhe me faktin se KLGJ-ja në vitin 2019 ka disponuar me “deklarimin e pasjes së statusit ‘magjistrat’” për Çarçiun.

Trupi gjykues çmon se ruajtja e statusit për Çarçiun nga institucioni kushtetues i KLGJ-së, si dhe qënia e saj në detyrën e inspektores, janë arsye dhe rrethana ligjore që e vendosin në kushtet e kryerjes së vetingut e saj.

Sipas shumicës, vendimi i KLGJ-së nuk mund të nënshtrohet një vlerësimi ndryshe nga ana e KPK. “Në rastin konkret, kuadri ligjor që përbën procesin e rivlerësimit, është kompetencë e Komisionit dhe e Kolegjit. Po ashtu, kuadri ligjor që rregullon statusin e magjistratëve, është kompetencë e KLGJ-së apo KLP-së, sipas rastit”, arsyeton shumica dhe e cilëson qëndrimin e saj në përputhje me jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Në vijim, shumica vëren se Çarçiu është sjellë në mënyrë kosistente si subjekt rivlerësimi, megjithëse nuk ka paraqitur një kërkesë benda afatit ligjor për t’u vetuar si ish-gjyqtare apo si ish-këshilltare.

Shumica shkon më tej në arsyetimin e saj, duke e shprehur se ndërprerja e procesit me një vendim jo përfundimtar do të ishte totalisht e pambështetur në ligj dhe në prova, si dhe me mangësi të ‘argumenteve analitikojuridike bindëse’.

Sipas shumicës, ndërprerja e vetingut për Çarçiun dhe përjashtimi i saj për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë, nuk do të ishte në përputhje me parimin e objektivitetit dhe të proporcionalitetit. “Midis mosveprimit (në kohë), pa pasoja administrative lidhur me procesin e rivlerësimit (që ka nisur pas paraqitjes së deklaratës nga znj. Brunilda Çarçiu), si dhe masës penalizuese, të përjashtimit nga sistemi për 15 vjet, Komisioni vlerësoi se zgjidhja më e përshtatshme dhe në përputhje me vullnetin e shprehur nga subjekti, me frymën e ligjit dhe me interesin publik, do të ishte kryerja e rivlerësimit për këtë subjekt”, ka çmuar shumica.

Relatorja e çështjes, Firdes Shuli, ndan opinion të ndryshëm nga dy anëtarët e trupës, duke vlerësuar se Çarçiu nuk është subjekt rivlerësimi.

Pakica vëren se në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese lidhur me legjislacionin e vetingut të magjistratëve, Çarçiu ka qenë specialiste në Drejtorinë Juridike pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me status të nëpunësit civil. “Si e tillë, nuk e ka marrë cilësinë e subjektit të rivlerësimit ex officio, siç do ta merrte nëse do të kishte qenë inspektore pranë KLD-së”, argumenton Shuli dhe vlerësoj se e vemtja mënyrë që Çarçiu t’i nënshtrohej vetingut ishte në cilësinë e ish-gjyqtares ose ish-këshilltares në Gjykatën e Lartë, por me kushtin që kërkesa prej saj duhej të ishte paraqitur me shkrim në Komision brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Ndryshe nga shumica, Shuli vlerëson se vendimi i KLGJ-së “për deklarimin e statusit”, si dhe ndërmarrja e subjektit, nuk mund të zëvendësojnë kërkesën që Çarçiu duhet të bënte brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Ajo kundërshton edhe qëndrimin tjetër të shumicës, se ndryshimet ligjore kanë hyrë në fuqi pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Është Kushtetuta ajo që ka përcaktuar kuptimin dhe kategoritë e subjekteve të rivlerësimit, ndërkohë që në ligjin nr. 84/2016 është përcaktuar procedura e detajuar e procesit të rivlerësimit për secilën kategori”, vlerëson Shuli.

Në vijim ajo argumenton se vullneti i Çarçiut për t’iu nënshtruar vetingut, pa përmbushur kushtet e tjera ligjore që lidhen detyrimisht me pasjen e një funksioni të caktuar, është i pamjaftueshëm për ta kualifikuar atë si subjekt rivlerësimi.

Shuli shprehet kundër arsyetimit të shumicës se kuadri ligjor duhej analizuar bazuar në situatën faktike ku gjendej Çarçiu, “me një vlerësim pragmatik dhe jo strikt formal”.

“Unë si anëtare në pakicë, mendoj se shumica ka anashkaluar vlerësimin e përmbushjes së kritereve ligjore të vendosura në Kushtetutë për ta kualifikuar znj.Brunilda Çarçiu si subjekt rivlerësimi”, vlerëson Shuli.

Pakica vlerëson ndryshe edhe lidhur me sanksionin 15-vjeçar që sipas shumicës duhej vendosur në rast të ndërprerjes së vetingut. “Jam e mendimit që kjo ndërprerje nuk duhet të shoqërohet me masën e largimit për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë, sipas nenit G, pika 2, e Aneksit të Kushtetutës, pasi për një vendimmarrje të tillë do të ishte më parë i nevojshëm kualifikimi i subjektit si subjekt rivlerësimi, sipas kritereve kushtetuese”, arsyeton Shuli.

Por Shuli shprehet se pas hetimit në të tre kriteret, ka propozuar shkarkimin nga detyra të Çarçiut për shkak të konkluzionee në kriterin pasuror.

Balancat negative

Subjekti është gjetur në pamundësi financiare për blerjen e tre pasurive të paluajtshme në vitin 2007, konkretisht të dy dyqaneve me sipërfaqe totale 52.32 m2 në Tiranë kundrejt çmimit 35 mijë euro dhe të një apartamenti me sipërfaqe 56 m2 në Durrës, në vlerën 2 milionë lekë.

Si burime krijimi të këtyre pasurive, Çarçiu ka deklaruar kursimet nga të ardhurat nga pagat ndër vite dhe shitja e një banese 2+1 në Gramsh në vitin 2003 në shumën 1.7 milionë lekë.

Nga analiza financiare e kryer nga Komisioni ka rezultuar pamundësi për kursimin e shumës 5.7 milionë lekë të deklaruar në vitin 2003. Megjithëse në analizë janë konsideruar të ardhurat nga shitja e apartamentit në Gramsh dhe ka rezultuar mundësi kursimi në vitin 2006 të shumës 450 mijë lekë, këto vlera janë konsideruar të pamjaftueshme për krijimin e pasurive në 2007-ën, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 2.3 milionë lekë.

Komisioni konstaton pamundësi edhe në investimin të familjes së subjektit në ¼-ën pjesë takuese të një banese 2- katëshe në Laprakë të Tiranës, pasuri për të cilën është deklaruar se është vetëndërtuar që prej vitit 1996-2000. Bazuar në dokumentet e administruara gjatë hetimit administrativ, KPK ka konsideruar se objekti është ndërtuar gjatë periudhës 1997-2000 dhe si vlerë e kostos së ndërtimit është përfshirë shuma 3 milionë lekë që është deklaruar nga vetë Çarçiu, megjithëse sipas çmimeve të Entit Kombëtar të Banesave, vlera ka qenë më e ulët.

Subjekti ka kundërshtuar një pjesë të konkluzioneve të analizës financiare për burimet e krijimit të kësaj pasurie, por sërish balanca ka rezultuar negative në masën 206 mijë lekë.

Sipas KPK, Çarçiu nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e burimeve për blerjen e një automjti tip “Renault”, me vlerë 270 mijë lekë në vitin 2010, si dhe krijimin e disa depozitave.

Nga analiza përfundimtare e Komisionit e shtrirë gjatë gjithë periudhës që subjekti ka ushtruar detyrën e gjyqtares, këshilltares në Gjykatën e Lartë, por dhe në atë të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve ku për disa vite Çarçiu nuk e ka gëzuar statusin e magjistratit, është konstatuar balancë negative totale në vlerën 4.8 milionë lekë. Në vendimin e arsyetuar të Komisionit sqarohet se mungesa financiare në vlerën rreth 3.6 milionë lekë janë konstatuar gjatë periudhës kur subjekti e ka gëzuar statusin e magjistratit, ndërsa balanca negative 1 milion e 155 mijë lekë i përket periudhës jashtë ushtrimit të detyrës.

Komisioni çmon se balanca negative e konstatuar në periudhën jashtë ushtrimit të detyrës e vlerësuar në parimin e proporcionalitetit, nuk mund të jetë penalizuese. Kjo dhe për faktin se një pjesë e mungesave janë konstatuar në disa pasuri në formë likujditetesh të bashkëshortit, për të cilat u vërtetua se nuk janë investuar në krijimin e ndonjë pasurie gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës.

Në përfundim, shkarkimi i Çarçiut është bazuar në balancën negative 3.6 milionë lekë të konstatuar në vitet kur ajo ka gëzuar statusin e magjistratit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *