Bevis Shehaj pas vendimit të KPK. Foto: BIRN.
Analiza KPK Veting

Vendimi i KPK: Argumentet për statusin dhe shkarkimin e Bevis Shehajt

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kreu procesin e vetingut për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Vlorës, Bevis Shehaj, është ndarë në vendimarrje lidhur me statusin e tij si subjekt rivlerësimi, por edhe për kriteret e pasurisë dhe profesionalizmit. Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme penalizuese në kriterin e pastërtisë së figurës.

Shumica e trupës e përbërë nga relatori Olsi Komici dhe anëtarja Xhensila Pine konkludojnë se Shehaj është subjekt rivlerësimi dhe kanë vendosur shkarkimin e tij për probleme në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit, duke çmuar se me qëndrimet dhe veprimet e tij ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Kryesuesja Valbona Sanxhaktari në pakicë, çmon se gjyqtari Shehaj nuk mund t’i nënshtrohej vetingut nga Komisioni. Po ashtu, ajo shprehet se dhe në rastin e kryerjes së procesit të rivlerësimit, Shehaj duhej të ishte konfirmuar në detyrë.

Konkluzionet e ndryshme për statusin

Më 22 janar 2020, gjyqtari Bevis Shehaj ka depozituar në Komision një kërkesë për mosfillimin e procedurës së rivlerësimit. Shehaj parashtronte se ishte emëruar në detyrë pas datës 22 korrik 2016, kur hyri në fuqi ligji për rivlerësimin kalimtar të magjistratëve dhe për rrjedhojë nuk ishte subjekt rivlerësimit. Po ashtu, Shehaj ka sqaruar se është verifikuar nga instituciont përkatëse, ashtu si të gjithë magjistratët e rinj.

Kjo kërkesë e subjektit është rrëzuar me shumicë votash nga Komisioni, vendimarrje që i është njoftuar subjektit më 29 tetor 2021.

Shumica vëren se në dokumentacionin e administruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor rezulton se subjekti ka pasur emërim të përkohshëm si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me dekret të Presidentit të Republikës të datës 20 nëntor 2015.

“Praktika/stazhi si gjyqtar me emërim të përkohshëm, e cila zhvillohet në vitin e tretë të Magjistraturës (vitet 2015-2016), e vendos subjektin në kushtet e ushtrimit të funksionit dhe të qenit në detyrën e gjyqtarit edhe pse me emërim të përkohshëm”, arsyetojnë Komici dhe Pine dhe vërejnë se Shehaj rezulton të jetë trajtuar me pagën e gjyqtarit dhe pas përfundimit të stazhit, si magjistrat në pritje të emërimit.

Në vijim shumica thekson se vetë gjyqtari Shehaj e ka konsideruar veten si subjekt rivlerësimi, pasi me vullnetin e tij të lirë ka plotësuar dhe depozituar në afatet ligjore deklaratat dhe dokumentacionin përkatës shoqërues, në lidhje me kriterin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Kryesuesja Valbona Sanxhaktari në pakicë vlerëson se Shehaj nuk është subjekt që duhet ti nënshtrohet rivlerësimit kalimtar dhe se Komisioni nuk ka kompetencë lëndore. Sipas saj, ky gjyqtar nuk përfshihej në asnjë nga kategoritë e përcaktuara lidhur me subjektet e rivlerësimit në kohën e hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingun e magjistratëve. Sanxhaktari sqaron se e bazon qëndrimin e saj edhe në jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

“Nga vlerësimi i rrethanave faktike, rezulton se në momentin e hyrjes në fuqi të nenit 179/b të Aneksit të Kushtetutës, miratuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.07.2016, z.Bevis Shehaj ishte student në vitin e tretë të shkollës së magistraturës. Ky status nuk përfshihet në kategorinë e subjekteve që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, sipas nenit 179/b të Aneksit”, argumenton pakica.

Sipas Sanxhaktarit, Shehaj e ka fituar statusin ligjor “gjyqtar” në momentin e emërimit të tij nga Presidenti i Republikës në datën 20 janar 2017, pasi ka përfunduar me sukses studimet tre vjeçare në Shkollën e Magjistraturës.

Ajo shton se gjyqtari Shehaj ka paraqitur argumenta të mjaftueshme se, në raste të ndryshme, kur studenti nuk ka kaluar me sukses vlerësimin nga Shkolla e Magjistraturës, ai nuk është dekretuar për ushtrimin e funksionit të tij.

Sipas pakicës, shumica ka gabuar duke vënë shenjën e barazisë midis “kandidatit për magjistrat” dhe magjistratit gjyqtar apo prokuror. “Fakti i të qënurit ‘kandidat magistrat’ deri në marrjen e titullit magistrat vjen me plotësimin e disa kushteve dhe kryerjen e disa vlerësimeve”, vëren Sanxhaktari dhe çmon se KPK nuk ka patur kompetencë për vlerësimin dhe rivlerësimin e gjyqtarit Bevis Shehaj.

Vlerësimi i pasurisë

Shumica konkludon se Shehaj nuk ka vërtetuar me dokumentacion ligjor të ardhurat dhe pasuritë e krijuara prej prindërve, përfshi edhe të një apartamenti dhe garazhi në emër të tij në vitin 2012, para se të ushtronte detyrën e gjyqtarit.

Lidhur me burimin e këtyre pasurive, Shehaj ka shënuar në deklaratën “veting” se deri në shtator të vitit 2016 ka qëndruar në një ekonomi familjare me prindërit e tij, duke ndarë së bashku çdo gjë. Ai ka shpjeguar se familja e tij ka paguar shkollimin në universitet dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka punuar.

Si provë për të vërtetuar shlyerjen e çmimit të apartamentit dhe garazhit nga prindërit, subjekti ka dorëzuar një deftesë bankare sipas të cilës pagesa është kryer nga një llogari në emër të babait të tij. Gjithashtu, ka shpjeguar se ka siguruar dhe vetë të ardhura nga disa punë, si brenda dhe jashtë vendit.

Shumica i ka konsideruar prindërit e subjektit si persona të lidhur dhe konstaton se prej analizës financiare rezulton mungesë burimesh të ligjshme për financimin e këtyre dy pasurive.

“Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë burimin e krijimit të këtyre pasurive me të ardhura të ligjshme (deklaruar si burim të ardhurat nga prindërit e tij), pasi nga analiza financiare, prindërit e tij kanë rezultuar me një balancë negative në shumën 46.763.434 lekë, për periudhën 1994 − 17.11.2011, e cila rritet në masën -63.544.081 deri më 20.11.2015, përfshirë edhe të ardhurat e subjektit,” konkludon shumica.

Sipas shumicës, ka rezultuar balancë negative edhe në analizën e kryer vetëm për burimet që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit dhe të garazhit të shënuar në deklaratën “veting”.

Në vijim, shumica arsyeton mbi shkëputjen e subjektit nga trungu familjar në shtator të vitit 2016, pas miratimit të ligjit për vetingun e magjistratëve. “Komisioni vlerëson se është kryer me qëllim mospërfshirjen e prindërve të tij në kategorinë e personave të lidhur dhe, për rrjedhojë, shmangien e tyre nga përgjegjësia ligjore për deklarimin e pasurive në deklaratën Vetting”, shprehet shumica dhe e konsideron këtë sjellje të Shehajt si shmangie e qëllimtë në përmbushjen e detyrimeve ligjore, e për rrjedhojë në cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Pavarësisht faktit se balanca negative rezulton e krijuar përpara ushtrimit të detyrës, shumica i konsideron ato si mëse të mjaftueshme për t’i kualifikuar si deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe veprime në cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Sanxhaktari paraqet arsyetim dhe vlerësim të ndryshëm për pasurinë. “Unë si anëtare e trupit gjykues nuk jam dakord me këtë konkluzion të shumicës, pasi ndarja e Z. Shehaj nga trungu familjar përkon me fillimin e ushtrimit të detyrës prej tij dhe nuk afekton në asnjë rast krijimin e të ardhurave të familjarëve të tij nëpërmjet ushtrimit të detyrës nga ai,” argumenton pakica dhe shprehet kundër edhe me analizën e kryer nga Komisioni duke bërë rivlerësimin dhe llogaritje të pasurive të krijuara nga familjarët e subjektit përgjatë periudhave të jetës së tyre, që nuk lidhen as me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit dhe as me jetën e tij.

“… ka qenë fillimisht fëmijë minoren e më tej student në Poloni, duke kapërcyer kompetencat lëndore që përcakton legjislacioni për rivlerësimin e subjekteve. Në vlerësimin tim, edhe nëse do të konsideronim zotin Shehaj subjekt rivlerësimi, analiza e pasurive të zotëruara prej tij duhej të kryhej deri në limitin e pasurisë së krijuar, duke vlerësuar mundësitë financiare të prindërve të tij për krijimin e kësaj pasurie (e jo duke përfshirë edhe të gjitha pasuritë e tjera të krijuara nga ata ndër vite)”, vlerëson Sanxhaktari dhe shton se duhet mbajtur në konsideratë edhe fakti se kjo pasuri është krijuar në vitin 2012, kur gjyqtari Shehaj ishte student.

Sanxhaktari i cilëson si jo objektive dhe jo proporcionale, hetimin dhe konkluzionet e nxjerra prej shumicës për pasuritë në emër të prindërve të subjektit të rivlerësimit, përfshi dhe ato të krijuara kur ai ishte i mitur. Sipas saj, kjo analizë e shumicës nuk mund të lidhet me procesin e vetingut të gjyqtarit Shehaj dhe se është jashtë kompetencës lëndore të KPK-së.

Sanxhaktari ka kundërshtuar si të parsyetuar dhe analizuar edhe konkluzionin për cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Profesionalizmi

Shumica vlerëson se Shehaj ka mungesë të vlerësimit të situatës së konfliktit në dukje të interesit, pasi ka shqyrtuar çështje ku palë ndërgjyqëse ka qenë Spitali Sajonal Vlorë ku ushtronte detyrën babai, si dhe faktin se ai vetë kishte pasur njohje me drejtoreshën e atij institucioni.

Po ashtu, konstatohet si problem kufizimi i të drejtës së palëve për të aksesuar në gjykatë, pasi subjekti i rivlerësimit në disa raste ka vendosur gjoba ndaj palëve, pa u përmbushur kriteret e parashikuara në legjislacionin përkatës.

Megjithëse shumica nuk e konsideron gjyqtarin Shehaj si të paaftë apo të papërshtatshëm profesionalisht, çmon se natyra dhe numri i problematikave të konstatuara gjatë analizimit të çështjeve në këtë kriter ngrenë pikëpyetje serioze për aftësitë profesionale të subjektit dhe mënyrën se si ka performuar. Komici dhe Pine arrijnë në përfundimin se rivlerësimi në këtë rast duhet të bëhet “me mangësi”. Po ashtu, në vendim evidentohet se një pjesë e denoncimeve nga publiku kanë qenë të drejta.

“Duke konsideruar edhe problematikat e konstatuara në kriterin e pasurisë, çmon se nuk është i aplikueshëm rekomandimi për ndjekjen e programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, por shihet i arsyeshëm një vlerësim i përgjithshëm i këtyre rezultateve në këndvështrim të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr. 84/2016”, arsyeton shumica dhe konkludon se plotësohen kushtet për shkarkimin e gjyqtarit Bevis Shehaj për cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Sanxhaktari në pakicë vlerëson se mangësitë e kontatuara dhe të analizuara në vendim nuk janë “përkufizues të një organizimi me të meta të punës apo angazhimit ndaj vlerave profesionale”.

Sanxhaktari çmon se gjetjet nuk meritojnë të ngrihen në nivelin e një sjelljeje të subjektit që cënon besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Ajo e vlerëson vendimarrjen e shumicës në kapërcim të dispozitave kushtetuese dhe në kundërshtim me kriteret ligjore lidhur me parimin e objektivitetit e të proporcionalitetit në vlerësimin e subjekteve, si dhe në kundërshtim me praktikën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ajo e cilëson qëndrimin e shumicës lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia si vlerësim sipërfaqësor dhe të paargumentuar.  Në përfundim, Sanxhaktari çmon se gjyqtari Shehaj nuk duhej të ishte vetuar, por sipas saj dhe në një rast të tillë, ai duhej konfirmohej në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *