Gjyqtari Kastriot Gramshi | Foto: BIRN/ Edmond Hoxhaj
KP Lajme Veting

‘Supozime të gabuara’: ONM kundërshton vendimin e KPK për Kastriot Gramshin

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM i rekomandoi të hënën institucionit të Komisionerit Publik që të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Kastriot Gramshi.

Gramshi u konfirmua në detyrë më 25 mars nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Fredes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Gjatë dy seancave dëgjimore më 15 shkurt dhe 24 mars, ai dha shpjegime më së shumti për të ardhurat nga aktiviteti tregtar i babait në vitet 1992-1999 si dhe për të ardhurat nga puna e tij dhe e familjarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, ku ka jetuar për më shumë se një dekadë si azilant, duke përfituar dhe nënshtetësinë. Gramshi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.

Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është larguar nga detyra me kërkesën e tij. Përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014, ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA. Gramshi punon prej 7 vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Në rekomandimin e ONM-së thuhet vlerësimi korrekt i të gjitha çështjeve në kriterin e pasurisë do të çonte në shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Gramshi. ONM kërkon që të kryhet një analizë e plotë financiare për të gjithë vitet, prej 2003-shit kur subjekti ka mbërritur në SHBA dhe në vijim. Po ashtu, konstatohet se subjekti nuk ka deklaruar saktë një kredi për blerjen e një apartamenti në SHBA dhe këstin e dytë për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie.  

Përpara fillimit të detyrës, Gramshi ka deklaruar blerjen e një apartamenti në vlerën 290 mijë USD, për të cilin ka shpjeguar fillimisht se ka parapaguar shumën 29 mijë USD dhe se ka marrë kredi vlerën 261 mijë USD. Në deklaratën veting ai e ka deklaruar kredinë si burim, por pa e përcaktuar vlerën.

Gjatë dy pyetësorëve ka deklaruar se ka marrë kredi në shumën 261 mijë USD, ndërsa në pyetësorin e tretë ka deklaruar se kësti i parë në shumën 29 mijë USD është paguar prej tij dhe të vëllait, ndërsa kredia bankare ka qenë në shumën 217 mijë USD. Për të finalizuar kontratën e shitjes është nevojitur që diferenca e mbetur të mbulohej nga blerësit. Në vijim, ONM sjell në vëmendje se pagesa e këstit të dytë në shumën 46 mijë USD është deklaruar për herë të parë nga subjekti në tetor të vitit 2021.

KPK e ka çmuar bindës pretendimin e subjektit lidhur me mospërputhjet për vlerën e kredisë dhe të kësteve. Sipas Komisionit, deklarimi i kredisë si një nga burimet e krijimit të pasurisë objekt verifikimi në vlerën 261 mijë USD dhe jo në vlerën 217 mijë e 500 USD është bërë duke iu referuar përcaktimit të kontratës së shitjes të vitit 2012. Komisioni vëren se në në rubrikën detyrime financiare të DPV-së për vitin 2014, subjekti ka deklaruar saktësisht kredinë në vlerën 217 mijë e 500 USD.

Po ashtu, Komisioni ka konkluduar se mosdeklarimi në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2014, por edhe në vijim në pyetësorin standard i shumës prej 46 mijë e 638 USD e paguar nga vëllai i subjektit, nuk është bërë me qëllim fshehjen e kësaj pagese, por për të qenë në të njëjtën linjë me kontratën e shitjes. KPK sjell si argument për këtë konkluzion faktin se pagesa e kësaj shume është kryer me çek në rrugë bankare, që konsiderohet një fakt lehtësisht i evidentueshëm. Në përfundim, Komisioni ka konkluduar se subjekti dhe vëllai i tij kanë pasur të ardhura të ligjshme për të kryer pagesën e këstit të dytë brenda datës 21 maj 2012.

Ndryshe nga KPK, ONM konstaton se kontrata e shit-blerjes është nënshkruar në shkurt të vitit 2012; se kredia është disbursuar në maj të vitit 2012; ndërsa deklarimi i subjektit është bërë dy vjet më vonë, në vitin 2014.

“Subjekti i rivlerësimit mund të deklaronte shumën e saktë të kredisë bankare, duke shpjeguar se përse vlera në kontratën e shitjes ndryshonte nga vlera e kredisë. Në vend të kësaj, subjekti i rivlerësimit nuk i pasqyroi këto informacione, as në deklarime, deri në tetor të vitit 2021”, citohet në rekomandimin e ONM-së.

Po ashtu, cilësohet i pabazuar konkluzioni i KPK-së se subjekti ka deklaruar në vitin 2014 saktësisht kredinë në shumën 217 mijë e 500 USD.  “Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se kredia e marrë ka qenë në shumën 261 mijë USD dhe se vlera e mbetur ishte në shumën 217 mijë USD”, konstaton ONM.

Në rekomandim thuhet se subjekti dështoi të deklarojë saktë vlerën e kredisë në deklaratën veting dhe në dy pyetësorët e parë.

ONM ndan qëndrim ndryshe edhe lidhur me konkluzionin e KPK se mosdeklarimi i pagesës së këstit të dytë nuk ka pasur qëllim fshehjen. Megjithëse vëzhguesit ndërkombëtarë bien dakort me faktin se pagesa e kryer me çek nëpërmjet bankës është lehtësisht e verifikueshme, sjellin në vëmendje faktin se Komisioni në përgjithësi e ka të pamundur të sigurojë informacione nga institucionet në SHBA. Sipas ONM, e vetmja rrugë që KPK të marrë dijeni për këto transaksione është nëpërmjet deklarimeve dhe parashtresave të subjekteve të rivlerësimit.

Sipas ONM-së, nëse në analiza financiare do të shtrihet që prej vitit 2003 kur subjekti ka mbërritur në SHBA, atëherë do të gjendet në pamundësi financiare në vlerën rreth 16 mijë USD për pagesën e këstit të dytë.

Komisioni ka çmuar ta fillojë analizën finaniciare nga viti 2005, duke argumentuar se në vitet 2003 dhe 2004 subjekti nuk ka krijuar as pasuri dhe as likujditete të mbartura në deklaratën ‘veting’. Në këto kushte, KPK ka vlerësuar se nuk mund të ketë objekt hetimi periudhën gusht 2003 − dhjetor 2004.

Por ONM vëren se subjekti është transferuar në SHBA në vitin 2003 dhe se në vendimin e Komisionit evidentohet se të ardhurat e tij për vitet 2003 dhe 2004 në shumën 28 mijë e 880 USD janë përfshirë në analizën financiare. Po ashtu, janë përfshirë në analizë edhe të ardhurat e vëllait dhe të babait për atë periudhë, përkatësisht në shumat 12 mijë e 197 USD dhe 10 mijë e 300 USD.

Supozimi i Komisionit se subjekti ka mbëritur në SHBA me rreth 60 mijë USD dhe se gjysmat janë shpenzuar në vitet 2003 dhe 2004 cilësohet jo korrekt, pasi vetë subjekti ka deklaruar më vonë se vlera totale e transferuar nga Shqipëria ka qenë në shumën 20 mijë USD.

Duke konsideruar se Gramshi ka transferuar shumën 20 mijë USD; faktin se shpenzimet jetike për dy vitet kanë qenë më të larta se ajo e marrë me vete; fakti se subjekti asnjëherë nuk ka deklaruar se asetet e krijuara në SHBA janë investuar me të ardhura të krijuara gjatë periudhës 2005-2014, por ka deklaruar se janë krijuar me të ardhura para fillimit të detyrës në vitin 2014 që sipas ONM përfshihen edhe vitet 2003 dhe 2004; kërkohet që analiza financiare të kryhet prej vitit 2003, duke përfshirë dhe shumën 20 mijë USD.

Po ashtu, ONM kundërshton konkluzionin se gjatë viteve 2003-2004, subjekti nuk ka krijuar asnjë pasuri. Në rekomandim konstatohet se Gramshi ka hapur një llogari bankare në vitin 2004 që në momentin e deklarimit para fillimit të detyrës ka pasur të depozituar shumën 97 mijë e 614 USD dhe në deklaratën ‘veting’ balanca në llogari ka qenë 82 mijë e 685 USD.

Bazuar dhe në faktin se nuk ka të dhëna lidhur me balancën e kësaj llogarie kur është hapur, kërkohet që analiza financiare të shtrihet edhe në vitet 2003 dhe 2004.

Komisioni kundërshtohet nga ONM edhe për konkluzionin se subjekti ka qenë në pamundësi objektive të sigurojë dokumente për të vërtetuar të ardhurat e ligjshme për vitet 2003 dhe 2004, me argumentin e pretenduar prej Gramshit se ato ruhen prej institucioneve shtetërore në SHBA për një periudhë 10-vjeçare.

ONM vëren se në vitin 2014, në momentin e plotësimit të deklaratës para fillimit të detyrës, subjekti nuk ka qenë në pamundësi objektive për të siguruar dokumente lidhur me të ardhurat e viteve 2003 dhe 2004, ndërkohë që është bërë dhe rezident i ligjshëm prej vitit 2004.

Po ashtu, ONM e konsideron të diskutueshme mundësinë e sigurimit të të ardhurave të ligjshme nga subjekti për periudhën gusht 2003-qershor 2004, pasi ai nuk kishte leje të punonte. Në rekomandim thuhet se në të njëjtën situatë gjendeshin dhe babai dhe vëllai i tij. “Fakti se subjekti i rivlerësimit nuk ka siguruar dokumente për pagimin e taksave për periudhën e plotë 2003-2004, tregon se ai nuk ka pasur të ardhura me burime të ligjshme,” shprehet ONM.

Në rekomandim kundërshtohet analiza financiare e Komisionit sipas së cilës subjekti rezulton se ka pasur mundësi financiare për të paguar shumën 75 mijë e 638 USD në maj të vitit 2012 për blerjen e shtëpisë. Sipas ONM-së, konkluzionet e KPK-së janë të bazuara në supozime të gabuara ligjore dhe faktike.

Vendimi i Komisionit konsiderohet i mangët në pjesën e arsyetimit dhe rezultat i një procesi të papërshtatshëm e të pasaktë në kuadër të verifikimit të pasurive, si dhe i marrë në zbatim të gabuar të kuadrit ligjor.

Në përfundim, ONM konkludon se subjekti nuk ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe se në vlerësimin tërësor mund të afektohet edhe besimi i publikut tek drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *