Enkeleda Kapedani gjatë seancës së katërt dëgjimore në KPK. Foto: LSA
KPK Lajme Veting

Kapedani përballet me dyshimet e ONM-së për ‘kontakt të papërshtatshëm’

Në seancën e katërt dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani dha shpjegime për një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM për dënimin e një personi tjetër të lidhur në Itali për krim të organizuar. Gjatë seancës u bë gjithashtu me dije se bashkëjetuesi i saj ishte shpallur më parë në kërkim policor, pasi dyshohej se kishte qëlluar me armë në ajër pas një konflikti pronësie.

Kryesuesja e trupës së KPK-së, Genta Tafa Bungo sqaroi se pas seancës dëgjimore të zhvilluar më 19 janar ishte vendosur riçelja e hetimit administrativ për Kapedanin, bazuar në gjetjen e ONM-së, e formalizuar më pas si rekomandim.

Nga sa shpjegoi relatorja Brunilda Bekteshi, bazuar në gjetjen e vëzhguesit ndërkombëtar, Gerrit Sprenger, subjekti është pyetur nëse kishte dijeni për dënimin në Itali të personit tjetër të lidhur me inicialet L.L., që ka marrë nga bashkëjetuesi hua në shumën 28 mijë euro.

Sipas relatores, L.L. rezultonte të ishte proceduar në vitin 2004 në Itali për veprën penale të mbajtjes, transportit dhe shitjes së lëndëve narkotike, në vijimësi dhe në bashkëpunim dhe se është dënuar me vendim të formës së prerë 7 vjet burgim dhe me gjobë. Bekteshi sqaroi se dënimi bën pjesë në veprat e krimit të organizuar.

Bekteshi sqaroi më tej se L.L. rezulton si person tjetër i lidhur, pasi në vitin 2016 i ka shitur bashkëjetuesit të Kapedanit një kamion për vlerën 950 mijë lekë. Bashkëjetuesi i gjyqtares Kapedani e ka shitur kamionin disa muaj më vonë për çmimin 32 mijë euro dhe i ka dhënë hua shtetasit L.L. shumën 28 mijë euro, duke deklaruar si burim të kësaj vlere të ardhurat e përfituara nga shitja e mjetit.

Bekteshi solli në vëmendje shpjegimet e mëparshme të subjektit, ku ajo shprehet se bashkëjetuesi L.Q. dhe shtetasi L.L kanë qenë shokë që në fëmijëri, por se ajo mund të përgjigjet vetëm për veten e saj.

Sipas Bekteshit, Kapedani nuk ka përmbushur detyrimin për të shënuar në deklaratën e pastërtisë së figurës kontaktet e personit të lidhur, bashkëjetuesit, me shtetasin L.L. të përfshirë në krimin e organizuar.

Gjyqtarja Kapedani tha në seancë se dënimi dhe veprimet e shtetasit L.L nuk kanë lidhje me jetën e saj.

“Nuk e kam parë kurrë këtë person,” pohoi ajo dhe shpjegoi se ai kishte lindur në të njëjtën zonë me bashkëjetuesin, por se ata nuk kanë pasur shoqëri me njëri-tjetrin.

“Njohja për shkak të vendlindjes nuk do të thotë se kanë dijeni për të fshehtat e tyre,” shtoi Kapedani në seancë.

Gjyqtarja sqaroi se shtetasi L.L. ishte transferuar që prej vitit 2000 në Tiranë dhe se deri në vitin 2016 kur janë kryer transaksionet për shitblerjen e mjetit dhe huadhënien, nuk kanë pasur kontakte dhe miqësi me bashkëjetuesin.

Ajo kërkoi që të mos prezumohet dijenina e bashkëjetuesit për dënimin e shtetasit L.L.

“Nuk ka asnjë provë se midis tyre ka pasur marrëdhënie shoqërie nga procedimi i shtetasit L.L. në vitin 2004 e në vijim. Edhe mediat nuk e kanë pasqyruar një gjë të tillë,” pohoi Kapedani.

Ajo deklaroi se ndaj L.L. ishte caktuar masa për shërbim prove për tre vjet dhe se nuk kishte qenë ndonjëherë i arrestuar që të mungonte në Shqipëri për një periudhë të gjatë dhe të mund të ngriheshin dyshime. Sipas subjektit, L.L. është marrë gjatë gjithë kohës me tregtim të mjeteve dhe se ka udhëtuar lirshëm jashtë shtetit.

“Në rastin konkret di qe bashkëjetuesi ka lidhur dy kontrata me këtë shtetas, por nuk e di që ka qenë i proceduar në 2004. Ai ka disa hyrje dalje dhe pas procedimit. Dhe në vitin 2012 kur është dënuar nuk ka dalje,” deklaroi Kapedani dhe shtoi se sipas dokumenteve rezulton se shteti italian ia ka falur dënimin shtetasit L.L.

Kapedani theksoi se ishte vërtetuar se shteti shqiptar nuk ka pasur asnjë informacion për procedimin dhe dënimin e L.L. në Itali. Ajo vërejti se nuk rezultonte që ajo dhe bashkëjetuesi të kishin udhëtuar ndonjëherë jashtë shtetit me L.L.

“Pra nuk ka asnjë provë për lidhje miqësore me këtë shtetas gjatë periudhës kur ai u procedura deri në lidhjen e kontratave. Unë zotohem se nuk kam pasur kurrë kontakt me këtë person. Marrëdhënia e tyre ka qenë marrdhënie meshkujsh,” pretendoi Kapedani dhe shtoi se e kishte sjellë me vullnet të lirë si provë deklaratën e L.L. lidhur me huamarrjen. Ajo i konsideroi si pabesi pyetjet e Komisionit dhe të ONM-së lidhur me raportin që ajo dhe bashkëjetuesi kishin pasur me shtetasin L.L.

Kryesuesja Genta Tafa Bungo ndërhyri në fund të seancës lidhur me këtë pretendim të subjektit. Bungo sqaroi se pyetjet e saj për raportin mes shtetasit L.L. dhe bashkëjetuesit të Kapedanit nuk kishin pasur të bënin me dënimin në Itali, pasi kishte qenë një fakt i panjohur për Komisionin.

“Insistimi ka pasur të bëjë me atë që ju e konsideronit si miqësi fëmijërie. Nisur nga fakti që L.L. i shet një kamion 950 mijë lekë bashkëjetuesit, i cili e shet 32 mijë euro dhe i jep L.L. një hua 28 mijë euro pa kolateral. Duhet një marrëdhënie shumë e ngushtë besimi që të jepet një hua e tillë pa kolateral,” vërejti Bungo dhe sqaroi se pyetjet kishin të bënin me këto transaksione dhe se nuk kishte asnjë lloj pabesie.

Bungo solli në vëmendje edhe një deklaratë noteriale të L.L. lidhur me huamarrjen, ku ai shprehet se ka marrëdhënie të ngushtë miqësie e familjare me bashkëjetuesin e subjektit, që konfirmohet edhe nga ky i fundit. Kryesuesja tha se e shqetësonte tentativa e subjektit për të mbajtur larg këtë marrëdhënie miqësore.

“Si e shpjegoni që, kur nuk ka marrëdhënie miqësore, bashkëjetuesi jep një hua 28 mijë euro dhe bëhet një kontratë dhe pastaj hiqet interesi, por pa kolateral. Si e keni garancinë se ai do ti kthente paratë kur ishte keq nga gjendja ekonomike kur ua shiti për një kafshatë bukë kamionin? Shuma 28 mijë euro nuk ka qenë e rëndësishme për familjen tuaj,” pyeti Bungo.

Sipas Kapedanit, bashkëjetuesi duket se nuk ka pasur frikë se nuk do t’i kthehej shuma e dhënë hua. Subjekti shtoi se ekzistonte një kontratë dhe bashkëjetuesi mund t’i drejtohej gjykatës, megjithëse ai kishte pasur bindjen se nuk do të arrinin në këtë fazë. Lidhur me pyetjen nëse e konsideronte të rëndësishme vlerën e dhënë hua për familjen, Kapedani deklaroi se ato nuk ishte të ardhurat e saj pasi e kanë të ndarë regjimin pasuror.

Për një konstatim të Komisionit se L.L. ka qenë i proceduar dhe për trafikim të mjeteve motorike, subjekti deklaroi se kjo vepër penale nuk bënë pjesë në ato të krimit të organizuar.

Kapedani solli në vëmendje se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe institucionet e tjera ligjzbatuese nuk kanë konstatuar asnjë dyshim ndaj saj dhe se është vlerësuar e përshtatshme në kriterin e pastërtisë së figurës. Ajo konstatoi se nuk kishte shqyrtuar asnjëherë çështje ku palë të kishte qenë shtetasi L.L. dhe se nuk kishte pasur asnjë lloj marrëdhënie familjare me atë person. Në përfundim, Kapedani deklaroi se shpjegimet e saj për mungesën e dijenisë për procedimin dhe dënimin e shtetatit L.L. në Itali, janë bindëse.

Nga verifikimet e sistemit TIMS ka rezultuar se bashkëjetuesi i subjektit, L.Q. ka qenë i shpallur në kërkim policor për veprën penale prodhim dhe shitje e armëve luftarake, lidhur me një ngjarje të ndodhur në rrugën “Bardhyl” në Tiranë për një konflikt pronësie. Po ashtu, Komisioni ka konstatuar se ky rast është trajtuar në media.

Një prej dëshmitarëve ka ndryshuar deklarim, ku në të parin nuk e ka përmendur bashkëjetuesin e subjektit, ndërsa në të dytin të dhënë disa muaj më vonë ka pohuar se shtetasi L.Q. ka qenë i përfshirë.

Por sipas akteve të hetimit ka rezultuar se nuk është identifikuar dot personi që ka shtënë me armë zjarri në ajër dhe çështja është pezulluar.

Bekteshi pohoi se subjekti ka deklaruar se në atë periudhë kur ka ndodhur ngjarja, ka lindur një prej fëmijëve dhe se ka qenë në terapi intensive, ku i është gjendur pranë dhe bashkëjetuesi. Subjekti ka pretenduar para Komisionit se vendosja e emrit të bashkëshortit në kërkim policor është kryer nga një punonjës policie për hakmarrje.

Edhe gjatë seancës, Kapedani theksoi se në atë periudhë kishte pasur probleme shëndetësore dhe se bashkëjetuesi i kishte qëndruar pranë. “Nuk e mendoj se mund të ketë qenë në atë ngjarje,” pohoi ajo dhe e cilësoi abuziv shpalljen e bashkëjetuesit në kërkim policor.

Subjektoi këmbënguli se nuk kishte asnjë provë kundër bashkëjetuesit. “Fakti se nuk është pyetur si person që ka dijeni, si person që i atribuohet vepra penale apo si i pandehur tregon se nuk ka asnjë lidhje,” pohoi Kapedani dhe sqaroi se pezullimi i procedimit penal bëhet atëherë kur nuk dihet autori i mundshëm, duke përjashtuar të gjithë ata që janë verifikuar deri në momentin e pezullimit.

Subjekti u pyet nga Bungo lidhur me faktin se në media ishte përmendur prania e bashkëjetuesit në ngjarjen e ndodhur në rrugën “Bardhyl”. Kapedani deklaroi se nuk dinte të thoshte përse emri i tij ishte përmendur në media.

Në vijim, Kapedani u ndal në konstatimet për një çështje të pushuar prej saj si gjë e gjykuar, që megjithëse është lënë në fuqi nga apeli, është rrëzuar nga Gjykata e Lartë. Subjekti e cilësoi të pabazuar vendimarrjen e Gjykatës së Lartë. Ajo sqaroi se një prej rasteve kur gjyqtari i seancës paraprake kishte të drejtën dhe detyrën për të pushuar çështjen, ishte kur rezultonte se fakti ishte gjykuar më parë. Ajo deklaroi se aktet e dorëzuara prej prokurorisë ishin të njëjta me ato të një çështje të gjykuar.

Më 17 janar 2021, në bazë të një marrëveshje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ e pezulloi Kapedanin nga detyra për 6 muaj, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë të Drejtësisë, ILD pas publikimit në TIK TOK të disa videove të filmuara në zyrë dhe teksa drejtonte automjetin.

Subjekti deklaroi në seancë se para dy javësh ishte njohur me vendimin e arsyetuar të KLGJ-së, ku sipas saj thuhet se rrethanat për të cilat u pezullua nuk e bëjnë të padenjë apo të papërshtatshme për të vazhduar detyrën. Në përfundim, Kapedani kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 18 maj, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *