Atalanta Zeqiraj (majtas) | Foto: BIRN/ Edmond Hoxhaj
Lajme Veting

KPA lë në fuqi konfirmimin e gjyqtares Atalanta Zeqiraj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të hënën më 16 maj vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Vlorës, Atalanta Zqeiraj.

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK në 30 qershor 2021. Nga hetimi administrativ rezultoi se ajo nuk kishte pasuri të paluajtshme, por përdorte pa kundërshpërblim një apartament të blerë nga babai i saj në Vlorë. Prej KPK-së u konkludua se babai i subjektit kishte pasur burime të mjaftueshme financiare për blerjen e apartamentit në Vlorë dhe të një tjetri në Tiranë – edhe kjo pasuri e përdorur nga gjyqtarja Zeqiraj gjatë kryerjes së stazhit, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës.

ONM rekomandoi që çështja të rishihej nga KPA, duke argumentuar se interpretimi i KPK bazuar mbi proporcionalitetin nuk ishte i qartë. Bazuar në këtë rekomandim, Komisioneri Darjel Sina konstatoi se në vendimin e Komisionit paraqiten rrethana të tilla ligjore që e bëjnë të cënueshëm në tërësinë e tij. Ai i kërkoi Kolegjit që të marrë në shqyrtim çështjen dhe të ribëjë vlerësimin e pasurive në përdorim dhe posedim të subjektit të rivlerësimit, me burim të deklaruar nga të ardhurat e babait të saj.

Në Kolegj u trajtua edhe konstatimi për gjendjen e konfliktit të interesit të subjektit për shkak se shoqëria e zotëruar nga babai kishte fituar tendera publikë. Megjithatë, Komisionerja Publike Irena Nino që zëvendësoi Sinën, gjatë konkluzioneve përfundimtare arsyetoi se konflikti i interesit nuk mund të penalizonte subjektin dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Gjyqtarja Zeqiraj parashtroi në Kolegj se kishte arritur të provonte se i ati kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamenteve të përdorura prej saj, si dhe theksoi se ato pasuri ishin krijuar para se të fillonte ushtrimin e detyrës. Lidhur me konfliktin e interesit ajo konstatoi faktin se shoqëria e administruar prej babait nuk kishte lidhur asnjë kontratë me institucionet publike në rrethin gjyqësor të Vlorës ku ajo ushtron detyrën, prej emërimit të saj e në vijim.

Kryesuesi i trupit gjykues të KPA, Sokol Çomo vërejti gjatë shpalljes së vendimit të përmbledhur se pas shqyrtimit të gjithë shkaqeve të ankimit, ka rezultuar se vendimi i Komisionit për kriterin e pasurisë është i mbështetur në një vlerësim të drejtë të fakteve të konkluduara nga hetimi administrativ.

Lidhur me konfliktin e interesit, Kolegji vlerëson se faktet e analizuara nuk mund të pasjellin papërshtatshmërinë të subjektit, apo të zbatimit të ndonjë mase disiplinore ndaj saj. Sipas KPA, konflikti i interesit ka pushuar se egzistuari, kur subjekti i rivlerësimit pas vënies në dijeni të këtij fakti, ka ndërmarrë menjëherë hapa për ta ndërperë atë situatë. Po ashtu, nuk janë gjetur të dhëna që Zeqiraj të ketë krijuar të ardhura, pasuri, apo përfitime të tjera si pasojë e situatës së konfliktit të interesit.

Trupi gjykues i Kolegjit e çmon vendimin e Komisionit të drejtë dhe të bazuar në ligj dhe e la në fuqi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *