Trupa e KPK për çështjen ndaj prokurores Esmeralda Ndoci. Foto:Vladimir Karaj/BIRN.
KPK Veting

KPK dëgjon pretendimet e ish-prokurores Esmeralda Ndoci

Pavarësisht se ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga sistemi i drejtësisë në mars të këtij viti, prokurorja e Shkodrës Esmeralda Ndoci ngriti të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit një sërë pretendimesh për procesin e saj të rivlerësimit.

Relatorja e çështjes Brunilda Bekteshi, pjesë e trupës së kryesuar nga Pamela Qirko me anëtare Xhensila Pinen, paraqiti çështjen duke përmendur ndër të tjera se Ndoci fillimisht kishte pretenduar se nuk ishte subjekt rivlerësimi për shkak të fillimit të statusit të magjistratit pas miratimit të ligjit për rivlerësimin. Bekteshi tha se Komisioni kishte tashmë precedent në trajtimin e rasteve të ngjashme dhe vuri në dukje se Kushtetuta nuk i kishte ndarë subjektet në nënkategori, duke vënë në dukje se Ndoci ishte subjekt rivlerësimi.

Bekteshi po ashtu tha se Ndoci kishte plotësuar formularët njësoj si magjistratët e tjerë dhe se ishte konsideruar subjekt rivlerësimi. Ajo po ashtu vuri në dukje se pas kësaj Ndoci kishte shkëmbyer normalisht e-maile me trupën. Bekteshi tha se subjekti kishte kërkuar në një moment që procesi ndaj saj të përshpejtohej, duke paraqitur si arsye rrethanat familjare. Sipas Bekteshit kjo rrethanë ishte marrë parasysh nga KPK.

Megjithatë sipas relatores pas këtij letërkëmbimi KPK ishte vënë në dijeni të dorëheqjes nga Ndoci dhe kishte verifikuar se ajo nuk e kishte ankimuar vendimin që i përfundonte statusin e magjistratit. Bekteshi tha se KPK kishte thirrur seancën për të verifikuar vullnetin e pavesuar të ish-prokurores për tu larguar nga sistemi, që për pasojë kishte edhe aplikimin e ndalimit 15-vjeçar për tu kthyer në sistem.

Por avokatja Antoneta Sevdari që përfaqësoi Ndocin e cila nuk ishte në seancë dhe një version tjetër. Sevdari fillimisht këmbënguli se Ndoci nuk ishte subjekt rivlerësimi dhe se procedura ndaj saj duhej të përfundonte pa vendim. Ajo tha se prokurorja ishte vlerësuar nga Shkolla e Magjistraturës dhe Prokurori i Përgjithshëm dhe se pretendimi i KPK-së nënkuptonte që ajo dhe kolegët kishin qenë të paligjshëm. “Kjo cënon mijëra procese gjyqësore”, tha Sevdari.

Avokatja më tej pretendoi se procesi ndaj Ndocit ishte zvarritur nga KPK për një periudhë jo të arsyeshme. Sipas avokates Ndoci ishte lidhur në martesë me një shtetas francez dhe pas kësaj ajo ishte shpërngulur për të jetuar me bashkëshortin jashtë Shqipërisë. Sevdari tha se ajo kishte shfrytëzuar një leje 2 vjeçare pa pagesë për këtë dhe kishte shpresuar që procesi i rivlerësimit të përfundonte gjatë kësaj periudhe.

Ajo tha se plotësimi i formularëve dhe veprimet e tjera të subjektit tregonin gadishmërinë e saj për t’iu nënshtruar procesit pavarësisht kundërshtimit fillestar nëse ishte apo jo subjekt rivlerësimi. Sevdari tha se e mbrojtura prej saj kishte kërkuar përshpejtim të procesit pasi zgjatja e pengonte planet e saj për të krijuar familje.

Sevdari tha se KPK nuk i ishte përgjigjur që në fillim kërkesës dhe se pas përgjigjes nuk kishte ndërmarë asnjë masë për të përfunduar hetimet. Sipas avokates vonesat e KPK-së kishin cënuar të drejtat e njeriut të Ndocit, atë për një proces të rregullt dhe të shpejtë dhe të drejtën për të krijuar familje.

Bazuar në këtë parashtrime avokatja tha se subjekti i qëndronte pretendimit se nuk ishte subjekt rivlerësimi, por këmbënguli se në rast se do të konsiderohej si e tillë ajo nuk duhej të ndëshkohej me ndalim 15-vjeçar, pasi dorëheqja ishte pasojë e vonesave nga KPK.

Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs pyeti Sevdarin se çfarë nënkutonte me të drejtën për të krijuar familje. Jacobs tha se ai punonte në Shqipëri, por familjen e kishte në Belgjikë dhe ironizoi se kjo do të thoshte që Bashkimi Europian kishte shkelur të drejtat e tij të njeriut me kontratën e punës.

Sevdari këmbënguli se situata nuk ishte e njëjtë dhe se Ndoci përmes dorëheqjes humbiste më shumë se vendin e punës dhe se penalizimi ndaj saj ishte më i rëndë.

Anëtarët e trupës po ashtu këmbëngulën me pyetje. Bekteshi kërkoi të saktësonte qëndrimin e Sevdarit mbi qenien apo jo të Nodcit subjekt rivlerësimi. Pine pyeti se çfarë do të kishte ndryshuar nëse rasti i Ndocit do ishte proceduar më shpejt. Sevdari këmbënguli se kjo do i garantonte të drejtat dhe mundësinë të vijonte jetën.

Ndërkohë kryesuesja e trupës Pamela Qirko mori në mbrojtje KPK, ajo pretendoi se subjektet në Komisionin hetoheshin vetëm sipas shortit dhe jo bazuar mbi kërkesa, përveç rasteve që konsideroheshin prioritare.

Por avokatja tha se kishte 7 raste që ishin rivlerësuar para ish-prokurores edhe pse nuk kishin paraqitur kërkesa për këtë. Ajo tha se kërkonte që rasti të përfundohej pa vendim, ose në të kundërt të mos sanksionohej ndalimi 15-vjeçar që e cilësoi jo proporcional.  KPK njoftoi se do të jepte vendimin në 18 maj në orën 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *