Trupa e KPK gjatë shpalljes së vendimit për Ndocin. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Prokurorja Ndoci, jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vjet

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 18 maj vendimin për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-prokuroren e Shkodrës, Esmeralda Ndoci, si dhe të ndalimit të riemërimit të saj në institucionet e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi për Ndocin u mor nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Xhensila Pinen. Ndoci nuk ishte e pranishme në seancën e shpalljes së vendimit, por u përfaqësua nga avokatja Antoneta Sevdari.

Esmeralda Ndoci përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe u emërua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku e ushtroi detyrën deri në dhënien e dorëheqjes. Më herët, në janar të vitit 2020, ajo u shkëput nga detyra me leje të papaguar për dy vjet.

Gjatë seancës dëgjimore të hënën më 16 maj, Komisioni parashtroi se dorëheqja nga detyra e prokurores Ndoci passjell edhe zbatimin e përjashtimit 15-vjeçar nga sistemi. Përmes përfaqësueses së saj ligjore, avokates Antoneta Sevdari, ish-prokurorja pretendoi se kishin qenë vonesat e KPK-së në procesin e saj të rivlerësimit që e shtynë drejt dorëheqjes.

Fillimisht Sevdari këmbënguli se Ndoci nuk ishte subjekt rivlerësimi për shkak të fillimit të statusit të magjistratit pas miratimit të ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Lidhur me këtë pretendim, Komisioni konstatoi se tashmë kishte një praktikë për situata të ngjashme dhe u vërejt se Ndoci i kishte plotësuar formularët ashtu si të gjithë magjistratët e tjerë që i janë nënshtruar vetingut.

Sevdari kërkoi në seancën dëgjimore që nëse Ndoci do të konsiderohej si subjekt rivlerësimi, ajo nuk duhej të ndëshkohej me ndalimin 15-vjeçar, me pretendimin se dorëheqja ishte pasojë e vonesave nga KPK.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *