Skeda e pasurisë së deklaruar – Arian Muçaj – Prokuroria e Tiranës
KPK Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar – Arian Muçaj – Prokuroria e Tiranës

Prokurori Arian Muçaj i Prokurorisë së Tiranës do të përballet të martën më 26 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Firdes Shuli, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.

Arian Muçaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore dhe në vitin 2015 u emërua si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër. Në qershor të vitit 2023, Muçaj u transferua në Prokurorinë e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes procedurës së lëvizjes paralele.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të prokurorit Arian Muçaj nga viti 2015 deri në fund të vitit 2019. [Kliko skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga prokurori Arian Muçaj.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2015, prokurori Arian Muçaj deklaronte pasuri me vlerë 11.7 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare kap vlerën e 13 milionë lekëve.

Ai zotëron familjarisht pasuri të patundshme me vlerë 10.8 milionë lekë, likujditete bankare prej 1.7 milionë lekëve, kursime në cash prej 250 mijë lekësh si dhe automjet me vlerë 137 mijë lekë.

Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 13.7 milionë lekë, nga të cilat 44% kanë si burim pagën e subjektit dhe gati 51% pagën e bashkëshortes së tij gjyqtare.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 5 vite, asnjëra prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” burimet financiare për blerjen e një apartamenti, ku pjesa më e madhe është paguar nga babai i subjektit.

Më konkretisht, në deklarimin Para Fillimit të Detyrës, subjekti Arian Muçaj deklaron një banesë me sipërfaqe 108.7 m2 të blerë në vitin 2009 në shumën 79,387 euro. Burimi i financimit është 50,000 Euro nga babai i deklaruesit dhe kredi bankare 3,500,000 lekë. Shuma prej 4,387 Euro është detyrim ndaj kompanisë sipërmarrëse, e cila rezulton e pashlyer deri në fund të vitit 2019.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Deklarata e pasurisë së vitit 2019

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *