Gjyqtari Selim Kryeziu pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Vladimir Karaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Selim Kryeziu përballet me probleme të pasurisë dhe raport negativ për figurën

Tre raste të dyshuara mitmarrje të përshira në një raport negativ të DSIK-së dhe problemet me pasurinë iu bënë me dije gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Selim Kryeziu nga KPK, ndërsa iu vu në dukje edhe mungesa e burimeve për pasurinë dhe disa mosdeklarime.

Gjyqtari Selim Kryeziu pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Vladimir Karaj

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Selim Kryeziu u vu përpara dy raporteve negative nga institucionet ndihmëse të procesit të vetingut, ndërsa në seancën e së enjtes Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se kishte konfirmuar disa nga shkeljet e gjetura prej ILDKPKI-së dhe DSIK-së.

Seanca ndaj Kryeziut u kryesua nga Valbona Sanxhaktari, ndërsa relatore ishte Etleda Çiftja dhe anëtare e trupës, Xhensila Pine. Nw cilwsinw e vëzhguesit ndwrkombwtar ishte i pranishwm Theo Jacobs.

Selim Kryeziu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si gjyqtar në Gjykatën e Librazhdit. Në vitin 2006, ai është emëruar inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në vitin 2012 u promovua si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Problemet e pasurisë

Çiftja vuri në dukje se Kryeziut i ishin gjetur disa probleme të pasurisë, përfshi mosjustifikimi i të ardhurave të disa personave të lidhur në shumë 20 mijë euro, të cilat i kishte marrë hua. Ajo vuri në dukje se disa dokumente justifikuese për personat që kishin dhënë huatë i përkisnin një kohe më të vonë se sa vetë huatë.

Çiftja tha se analiza fianciare për disa vite e nxirrte gjyqtarin me bilanc negativ prej rreth 5.6 milion lekësh. Ndërsa vuri në dukje se kishte një sërë mosdeklarimesh në vite dhe disa deklarime të pasakta përfshi deklarimin e një cmimi më të shtrejtë për një apartament të marrë nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 2000. Sipas relatores apartamenti, 40 metra katrorë në Librazhd ishte deklaruar 600 mijë lekë, ndërsa ishte blerë për 437 mijë lekë dhe gjyqtari e kishte shitur pas tre ditësh për 1.4 milion lekë, ndërsa vuri në dyshim nëse kërkesa për strehim kishte qenë legjitime duke iu referuar faktit që gjyqtari ishte bashkëpronar në apartamentin e prindërve.

Kryeziu që bëri një rezyme të gjatë të punës së tij dhe shkollimit tha se ishte i pastër dhe kishte qenë i paanshëm e i drejtë në punë. Ai pretendoi se të gjithë të afërmit prej të cilëve kishte marrë hua i kishin justifikuar pasuritë, ndërsa tha se në apartamentin e prindërve jetonte ai vëllezërit e martuar dhe se vendimi për t’i dhënë shtëpi ishte marrë nga institucionet dhe kishte qenë i drejtë.

I pyetur nga vëzhguesi Theo Jacobs për etikën e veprimeve me apartamentin e parë, Kryeziu këmbënguli se nuk kishte shkelje ndërsa tha se apartamentin ua kishte shitur zaptuesve me çmimin që ata e kishin kërkuar sepse nuk donte që t’i nxirrte jashtë. Ai tha se nuk e dinte që apartamenti kishte qenë i zaptuar.

Por Jacobs e ironizoi veprimin e Kryeziut duke i thënë se nuk mund të pretendonte se kishte bërë humanizëm ndërsa e kishte shitur apartamentin tre herë më shumë se sa e kishte blerë.

Kryeziu ndërkohë kundërshtoi analizën financiare dhe i kërkoi KPK të merrte në konsideratë një raport nga kontabilisti i punësuar prej tij. Ai tha se shpezimet e llogaritura nga ILDKPKI ishin më të larta dhe se kishte bërë jetë modeste. “Të vetmin rast pushimi jashtë vendit i kam bërë në Turqi pasi fitova një llotari nga kompania Eagle Mobile”, tha Kryeziu.

Çiftja që replikoi me të në këtë pjesë tha se shpezimet e llogaritura ishin minimale rreth 544 mijë lekë në vit për një familje me katër anëtarë dhe se burimi i llogarisë ishte INSTAT.

Raporti i DSIK

Relatorja ndërkohë lexoi një raport negativ nga DSIK. Raporti e akuzonte gjyqtarin për tre raste mitmarrje dhe për përfshirje aktive në korrupsion, ndërsa vlerësonte se ai nuk ishte i përshtatshëm për të vijuar detyrën.

Çiftja tha se akuzat e ngritura në raport dhe nga leximi i materialeve të klasifikuara, trupa ishte bindur se raporti qëndronte dhe i kishte kaluar gjyqtarit barrën e provës për këto akuza.

Kryeziu i mohoi akuzat. Ai akuzoi një çift prokurorësh se kishin sajuar çdo gjë kundër tij. Sipas tij një prokuror i cili u dërgua nga KPK për rikualifikim për shkak të problemeve të aftësive profesionale, kishte interesa personale, ndërsa tha se një nga akuzueset ishte kushurira e prokurorit.

Ai u mbrojt po ashtu me faktin që çështja ndaj tij ishte pushuar nga Gjykata e Posaçme me argumentin se “fakti nuk ekziston”. I pyetur nga Jacobs mbi vendimarrjen në një prej çështjeve të dyshuara Kryeziu tha se ai dhe kolegët kishin zbatuar ligjin dhe Kodin Penal.

Ndërkohë Çiftja vuri në dukje se probleme ishin gjetur edhe në vendimet e tij si gjyqtar, në të cilat nuk ishte shënuar në fund e drejta e palëve për ankim dhe koha kur duhej të bëhej ankimi.

Kryeziu tha se kjo kishte qenë procedurë normale në Gjykatën e Apelit, ndërsa tha se vendimet e tij ishin të mirë arsyetuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *