

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rikonfirmoi të enjten në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Ilir Toska. Trupa gjyqësore e kryesuar nga Etleva Çifja deklaroi se nuk kishte konstatuar problematika gjatë hetimit administrativ për të tria kriteret e rivlerësimit për gjyqtarin Toska, të cilat kanë të bëjnë me pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Gjyqtari Toska u bë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultoi pa probleme me pasurinë e tij dhe kriterin e aftësive profesionale. Ndërkohë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dorëzoi një raport “papërshtatshmërie” për gjyqtarin Toska.
Trupa gjyqësore e hodhi poshtë raportin e DSIK-së, që sipas relatores së çështjes i është nënshtruar verifikimeve të thelluara.
“Raporti iu nënshtrua hetimit të thellë nga ana e trupës gjyqësore, me qëllim gjetjen e provave për marrjen e një vendimi sa më të drejtë në lidhje me subjektin e rivlerësimit,” tha në seancën dëgjimore relatorja Valbona Sanxhaktari.
“Në përfundim të këtij procesi ka rezultuar se informacionet e ardhura nga institucionet e sigurisë, mbi të cilat është mbështetur raporti i DISK-së nuk janë të mbështetura në fakte dhe prova,” shtoi ajo.
Sipas relatores Valbona Sanxhaktari, gjyqtari i Apelit të Tiranës zotëronte një apartament me sipërfaqe 83 m2 në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, i blerë për 50 292 euro në vitin 2005. Përveç raportit pozitiv nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, trupa gjyqësore ka kryer hetime të pavarura administrative në fund të së cilave ka rezultuar se gjyqtari nuk kishte pasuri të fshehura.
Hetimi ka përfshirë gjithashtu ankesat e gjashtë qytetarëve ndaj proceseve ku Toska ka qenë pjesë e trupës gjyqësore, por ato janë vlerësuar gjithashtu si pa probleme për gjyqtarin.