Prokurori Artur Ismajlukaj pas seancës në KPA. Foto:BIRN
KPA Lajme Veting

Komisioneri Publik i qëndron kërkesës për shkarkimin e prokurorit Artur Ismajlukaj

Komisionerja Publike Irena Nino lexoi të hënën qëndrimet përfundimtare në çështjen ndaj prokurorit Artur Ismajlukaj dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të vendoste shkarkimin e tij, për cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Në krahun tjetër avokati Rezart Kthupi që lexoi mbrojtjen e prokurorit, tha se kërkesa nuk ishte e bazuar. Kthupi vuri në dukje se pretendimet e Komisionerit ishin të bazuara vetëm në sa pretendohej si kontakte të papërshtatshme, ai tha se prokurori kishte punuar me integritet.

Gjatë seancës Komisionerja Nino theksoi se u qëndronte të gjitha shkaqeve të ankimit, duke renditur sërish ato që konsiderohen si kontakte të papërshtatshme të prokurorit. “Bazuar në sa më sipër referuar, vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arriti nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, tha Nino në fjalën e saj.

Nga ana e tij Ismajlukaj, që ishte i pranishëm në seancë, u mbrojt nga avokati Rezart Kthupi. Ky i fundit i kundërshtoi pretendimet e Komisionerit Publik duke këmbëngulur se nuk provohej cënimi i besimit të publikut te drejtësia.

Ismajlukaj u konfirmua në detyrë më 7 korrik 2023 pasi u përball me dy seanca dëgjimore në të cilat kryesisht u diskutua mbi udhëtimet e tij në makina me persona me precedentë penalë, në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Për pasurinë dhe profesionalizmin nuk u evidentuan probleme domethënëse.

Ismajluakaj deklaroi se udhëtimet kishin qenë të rastësishme, me qëllim që të mbërrinte pranë familjes ose në vendin e punës. Subjekti i rivlerësimit mohoi të kishte pasur njohje me shtetasin e dënuar në Itali, duke shpjeguar se mjeti i tij përdorej nga një funksionar policie në momentin kur kishte udhëtuar.

Megjithatë pas vendimit për Ismajlukaj Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi ankimimin e tij në Kolegj. Komisioneri Publik po ashtu vendosi të bëjë ankim, bazuar kryesisht mbi të njëjtat problematika që u vunë në dukje gjatë shqyrtimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, trupa e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Sokol Çomo, Ina Rama, Mimoza Tasi, njoftoi se pas dëgjimit të palëve do të tërhiqej për vendim. Vendimi u caktua të shpallej në 2 prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *