Prokurori Dritan Gripshi pas seances degjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Dritan Gripshi jep shpjegime për problemet e pasurisë dhe profesionalizmit

Prokurori i Beratit, Dritan Gripshi u përball të hënën më 25 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati për rreth katër orë dha shpjegime për barrën e provës në kriterin e pasurisë lidhur me mungesën e burimeve dhe dyshimeve për veprime fiktive me qëllim justifikimin e burimeve të shpenzimeve të mëvonshme, si dhe për gjetjet në kriterin profesional për moskryerje dhe zvarritje hetimesh.

Përmes një  denoncimi  janë ngritur pretendime se me një kërkesë të tij në ASHK-në e Beratit për mosregjistrimin e një prone, ka ndikuar duke përdorur pozicionin e prokurorit. Gripshi pretendoi se me shpjegimet e tij kishte përmbysur barrat e provës dhe kërkoi konfirimin në detyë. Ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për prokurorin Gripishi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Dritan Gripshi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si prokuror në Elbasan dhe Durrës, përpara se të emërohej në Prokurorinë e Beratit në vitin 2008. Gripshi u shkarkua nga detyra në vitin 2010 me dekret të Presidentit të kohës me motivacionin e “sjelljeve që diskretitojnë figurën e prokurorit”, por ai fitoi më pas një proces gjyqësor kundër vendimit të shkarkimit dhe u rikthye në detyrë në vitin 2015.

Problemet për pasurinë

Gripishi ka deklaruar blerjen e një njësie me sipërfaqe 48.7 m2 në dhjetor të vitit 2007 në Elbasan kundrejt çmimit 2 milionë e 650 mijë lekë, me burime krijimi kursimet nga pagat e tij e të bashkëshortes, si dhe të ardhurat e krijuara nga shitja e një apartamenti në atë qytet në vitin 2007 për vlerën 5.9 milionë lekë. Megjithëse KPK konstaton se subjekti ka pasur mundësi për blerjen e kësaj pasurie, ngre dyshime për veprime fiktive me qëllim krijimin e burimeve.

Zhegu sqaroi se nga hetimi i KPK ka rezultuar se apartamenti i shitur në 2007-ën, është përdorur nga subjekti për 5 vjet pa kundërshpërblim prej vitit 1997 dhe është blerë në vitin 2003 për çmimin 500 mijë lekë, që konsiderohet dukshëm me i ulët se çmimi i referencës. Kjo pasuri rezulton që të jetë shitur nga subjekti 4 vjet më vonë për vlerën 5.9 milionë lekë.

Sipas relatores, subjekti nuk ka dhënë shpjegime të veçanta mbi çmimet e blerjes dhe të shitjes së apartamentit dhe të njësisë dhe duke i konsideruar si veprime të përsëritura. KPK ngre dyshime për veprime fiktive me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme që Gripshi i ka përdorur në vijim për investime në pasuri të paluajtshme.

Në situatën kur subjekti nuk ka dhënë një shpjegim specifik mbi çmimet e blerjes dhe të shitjes së apartamentit dhe të njësisë, në kushtet kur këto veprime janë të përsërituara, ngrihen dyshime për veprime fiktive me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme, të cilat subjekti i përdor në vijim për investime në pasuri të paluajtshme.

Subjekti deklaroi se çmimi për blerjen e apartamentit ishte dakordësuar në vitin 1997 me zotëruesin e kësaj pasurie, për të cilin tha se e kishte mik. Sipas Gripshit, formalizimi është kryer në vitin 2003 duke i qëndruar çmimit të dakordësuar në ‘97-ën. Ai solli në vëmendje të Komisionit një deklaratë noteriale të shitësit, që thekson se shitja de facto është kryer në vitin 1997. Subjekti argumentoi se provohet që ka jetuar në atë banesë edhe nga fakti se ka lidhur në emrin e tij kontratën e furnizimit me energji elektrike që prej vitit 1998.

Gripshi iu përgjigj pyetjeve të Komisionit dhe vëzhguesit ndërkombëtar lidhur me këtë pasuri, duke pretenduar se çmimi i shitjes në vitin 2007 ishte disafishuar pasi apartamenti ndodhet në një zonë të mirë të qytetit të Elbasanit, por që në vitin 1997 kur ishte koha e trazirave nuk kishte pasur të njëjtën vlerë. Po ashtu, ai tha se kishte kryer rreth 900 mijë lekë investime ndër vite në këtë banesë, si dhe e kishte shitur me gjithë mobilimin, ndërsa në ’97-ën e kishte blerë pa asnjë moblije.

Lidhur me çmimin e blerjes së njësisë, Gripshi theksoi se kishte depozituar kontrata të ngjashme, nga rezultonte se njësitë ishin shitur me çmim më të ulët nga sa e kishte përfituar ai. Subjekti këmbënguli se me provat dhe shpjegimet e tij vëtretonte se nuk mund të ngrihen dyshime për veprime fiktive.

Komisioni konstaton bilanc negativ të subjektit në vlerën 2.3 milionë lekë për blerjen e një ngastre toke me sipërfaqe 450 m2 në Sauk të Tiranës në vitin 2005, kundrejt çmimit 1 milion e 950 mijë lekë. Sipas KPK, Gripshi nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të krijuar kursimet e deklaruara nga pagat si burim për blerjen e kësaj pasurie. Po ashtu, ka rezultuar se nuk është justifikuar me burime të ligjshme dhe një hua në shumën 1.2 milionë lekë që subjekti e ka marrë për blerjen e tokës.

Gripishi deklaroi se huadhënësi kishte pasur mundësi financiare për dhënien e huasë, pasi kishte qenë i regjistruar si person fizik. Sipas subjektit, huadhënësi kishte pasur qarkullim vjetor në masën 1 milion lekë në vit vetëm me kompaninë Kurum. Ai pretendoi se huadhënësi kishte pasur mundësi të kursente të paktën 600 mijë lekë në vit, duke plotësuar shumën e dhënë hua vetëm në dy vjet.

Lidhur me kursimet, ai kërkoi që të ulen shpenzimet në Turqi, duke pretenduar se kishte qëndruar tek një kushëri i tij. Po ashtu, pretendoi se kishte marrë një shpërblim në vitin 2005, por tha se nuk kishte arritur të gjente dokumentacion për këtë të ardhur.  Subjekti theksoi se deklairmet e tij vjetor dhe ai “veting”, ishin në harmoni.

KPK i ka kaluar Gripshit barrë prove dhe për një shtëpi banimi me dy kate + garazh, të ndërtuar në mënyrë informale në Sauk të Tiranës, në tokën e blerë në 2005-ën, objekt për të cilin ka applikuar për legalizim në vitin 2006. Subjekti ka deklaruar se sipas përllogaritjeve të tij, ndërtimi i shtëpisë dhe i garazhit kanë pasur kosto totale në vlerën 5 milionë lekë dhe se si burim kanë shërbyer kursimet nga pagat dhe të ardhurat nga shitja e apartamentit në Elbasan.

Sipas KPK, subjekti ka rezultuar me pamundësi financiare në shumën rreth 2.8 milionë lekë për ndërtimin e kësaj pasurie, pasi janë konstatuar bilance negative për dy depozita të krijuara në vitet 2001 dhe 2003, të deklaruara si burime, si dhe për kursimet e subjektit e të bashkëshortes të vitit 2006 të cilat janë investuar në ndërtimin e shtëpisë.

Prokurori Gripshi solli në vëmendje se ndërtimi është informal dhe se nuk mund të ketë kosto të njëjtë me atë të referencës së Entit Kombëtar të Banesave, EKB. Ai kërkoi që të hiqen disa zëra shpenzimesh nga analiza e kësaj pasurie dhe i qëndroi versionit të tij se shpenzimet toale kanë qenë në masën 5 milionë lekë.

Po ashtu, subjekti evidentoi se nuk ishin konsideruar të ardhurat para vitit 1995, interesat nga ish-firmat piramidale.

Ai pretendoi se një kushëri i tij kishte pasur mundësi për dhurimin e një shume 3000 euro me rastin e ndërtimit të shtëpisë, duke argumentuar se i afërmi kishte një aktivitet privat dhe në të njëjtën kohë kishte krijuar dhe ekonomi bujqësore prej nga siguronte të ardhura . Gjithashtu, subjekti pretendoi se se kishin pasur burime të mjaftueshme për depozitat. Sipas tij, diferencat ishin konstatuar për shkak se kostoja e ndërtimit ishte hipotetike për shkak të ndërtimit në mënyrë informale.

Subjekti deklaroi se pas vitit 2008 të gjitha bilancet rezultonin pozitive dhe kërkoi që kjo rrethanë të merrej parasysh nga KPK.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit dhe babai i saj kanë zotëruar një depozitë në vlerën 4 milionë lekë në vitet 2003-2004. Sipas Zhegut, subjekti dhe bashkëshortja nuk e kanë deklaruar këtë depozitë dhe se është çelur nga bashkëshortja së bashku me babain e saj, me të drejtë veprimi. Nga analiza financiare ka rezultuar se nuk kanë pasur mundësi për çeljen e kësaj depozite, as bashkëshortja e subjektit dhe as prindërit e saj. Megjithatë, Zhegu shpjegoi se kjo vlerë nuk është deklaruar si burim për krijimin e ndonjë pasurie.

Gripshi pretendoi se as ai dhe as bashkëshortja nuk kishin lidhje me këtë depozitë. Ai pohoi se ajo vlerë ishte depozituar nga vjehrri dhe se depozita ishte çelur dhe në emër të bashkëshortes me kërkesë të bankës, pasi babai i saj ishte i moshuar.

Por Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar evidentoi ndër të tjera se në dokumentacionin e çeljes së depozitës përshkruhej se vlera 4 milionë lekë ishte depozituar cash nga bashkëshortja e Gripshit, si dhe se vjehrri kishte çelur më vonë me këto para një tjetër depozitë, por vetëm në emrin e tij, megjithëse kishte qenë më i moshuar.

Gripshi këmbënguli se ajo vlerë ishte zotëruar gjithmonë nga vjehrri, i cili sipas tij dhe e kishte tërhequr. Po ashtu, subjekti pretendoi se familja e vjehrrit kishte pasur mundësi për të krijuar këtë shumë, me argumentin se djali dhe një vajzë e tij që ishin larguar dekada më parë për të jetuar e punuar jashtë shtetit, e mbulonin këtë shumë me burime të ligjshme.

Komisioni i ka kërkuar subjektit të japë shpjegime për çmimin e blerjes së nja automjeti që i ka dhuruar bashkëshortes një shoqja e saj. Sipas Zhegut, makina e dhuruar është shitur për pjesë këmbimi në vitin 2017 në vlerën 1 milion lekë. Gripshi deklaroi se bashkëshortja i kishte humbur kontaktet me shoqen e saj dhe prandaj e kishin pasur të pamundur për të siguruar dokumentacionin e kërkuar.

Subjekti e kundërshtoi analizën financiare të Komisionit, duke petenduar se bazuar në provat dhe shpjegimet e tij bilancet negative që mbeteshin ishin në vlera të vogla, të cilat, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit nuk mund të sillnin penalizime.

Gjetjet për profesionalizmin

Prokurori Dritan Gripshi kundërshtoi në seancë gjetjet e Komisionit për disa çështje penale. Lidhur me konstatimin për moskryerjen e veprimeve hetimore të nevojshme konkretisht të pyttjes së personit që mund të kishte dijeni mbi ngjarjen, subjekti shpjegoi se ai person gjendej jashtë shtetit. Gripshi pretendoi se kishte kryer veprime të tjera hetimore. Sipas tij, ky person ishte i vendosur edhe nën masën e sigurisë “arrest në burg” dhe se nuk mund të pyetej prej tij, para se të procedonte gjykata. Subjekti shtoi se nëna e këtij personi kishte deklaruar se ai nuk mund të paraqitej. Sipas tij, gjyqtarët që kishin trajtuar çështjen kishin evidentuar se prokuroria kishte vepruar për të zbardhur rrethanat e hetimit. Kur u pyet nga Ciardi se përse nuk i kishte kërkuar Interopl-it të verifikonte nëse ky person gjendej në shtetin ku kishte informacione e më pas t’u kërkohej atoriteteve të atij vendi që të merrnin deklarimin, Gripshi tha se nuk e kishin një praktikë të tillë.

Subjekti dha shpjegime edhe lidhur me një denoncim ku pretendohet se subjekti ka ndikuar në ASHK-në e Beratit për mosregjistrimin e një prone të tyren, duke përdorur funksionin dhe autoritetin e prokurorit, pasi i ka dërguar kadastrës vendore një shkresë ku kërkon të mosregjistrimin e kësaj prone.

Gripshi pohoi se kishte lidhur një kontratë për blerjen e një shtëpie në Goricë të Beratit për çmimin 4 milionë lekë dhe se ishte e drejta e tij ligjore që të kërkonte mosregjistrimin e pronës derisa palët që ishin në konflikt civil mes tyre të zgjidhnin përfundimisht problemin që kishin.

Për një konstatim të KPK për shtyrje të hetimeve pa kryer veprime hetimore, subjekti shpjegoi se shtyrjet ishin bërë me qëllim që të zgjeroheshin hetimet dhe të arrihej të provohej kryerja e veprës penale nga të dyshuarit. Ai solli në vëmendje edhe ngarkesën e lartë në punë, duke pohuar se në atë kohë trajtonte më shumë se 600 çështje në vit.

Në përfundim, prokurori Gripshi kërkoi që të mbetet në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më 27 mars, në orën 09:50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *