Enkeleda Kapedani gjatë seancës së katërt dëgjimore në KPK. Foto: LSA
KPK Lajme Veting

KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren Enkeleda Kapedani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të mërkurën më 18 maj vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani. Kryesuesja e trupës së KPK-së, Genta Tafa Bungo deklaroi se vendimi për shkarkimin e Kapedanit është marrë me shumicë votash.

Kapedani nuk ishte e pranishme në seancë, por vendimi i shkarkimit u prit me revoltë nga bashkëjetuesi i saj.

“Ajo nuk është maloke, është nga Gramshi. Por ti e paske me subjektet,” tha ai me zë të lartë, ndërsa punonjësit e Gardës i kërkuan të dilte jashtë.

Në seancën e katërt dëgjimore më 16 maj, gjyqtarja Enkeleda Kapedani u përball me pikëpyetje për marrëdhëniet e bashkëjetuesit të saj me një shtetas që i kishte shitur një kamion dhe që cilësohej person i lidhur për shkak të një huaje 28 mijë euroshe, pasi kishte rezultuar se ishte i dënuar në Itali për krim të organizuar. Kapedani e mohoi njohjen e saj me këtë person si dhe dijeninë e bashkëjetuesit për dënimin e tij dhe kërkoi të mos konsiderohej në vlerësimin e saj.

Po ashtu, Kapedani kundërshtoi në seancën dëgjimore edhe konstatimin se bashkëjetuesi i saj L.Q. ishte shpallur në kërkim policor, pasi kishte qëlluar me armë në ajër gjatë një konflikti pronësie.

Po ashtu, ajo ka dhënë shpjegime gjatë seancave të mëparshme dëgjimore për shitjen kamionit disa herë më shtrenjtë nga çmimi që bashkëjetuesi e kishte blerë, si dhe për huanë 28 mijë euro dhënë shitësit pa kolateral. Kapedani i ka kundërshtuar gjithë gjetjet e Komisionit dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

Më 17 janar 2021, në bazë të një marrëveshje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ e pezulloi Kapedanin nga detyra për 6 muaj, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë të Drejtësisë, ILD pas publikimit në TikTok të disa videove të filmuara në zyrë dhe teksa drejtonte automjetin. Kapedani i ka cilësuar si gjë të gjykuar videot e Tik Tok.

Enkeleda Kapedani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit ku në vijim ushtroi edhe funksionin e nënkryetares.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *