Prokurorja Lindita Ziguri Male pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA
Analiza KPA Veting

KPA u nda në vlerësimin e pasurisë së prokurores Lindita Ziguri

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli më 6 dhjetor 2021 vendimin për lënin në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Lindita Ziguri Male, aktualisht inspektore pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Vendimi u mor me shumicë votash pasi shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa u konsideruan të pamjaftueshme për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Ndryshe nga kërkimet e ankimit, kur Ballhysa kërkoi ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të KPK-së, në seancën e konkluzioneve përfundimtare më 2 dhjetor 2021 ai kërkoi shkarkimin e prokurores Lindita Ziguri Male për ‘deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë’.

Komisioneri konstatoi se, megjithëse nga hetimi në KPA ishte provuar se bashkëshorti i subjektit apo shoqëria e tij nuk kishin kryer investime dhe nuk kishin pasur përfitime nga veprimtaria në fushën e ndërtimit për periudhën 2005-2007, nuk rezultonte të ishte plotësuar detyrimi për të deklaruar transaksionet.

Si shkak të pakundërshtuar nga subjekti gjatë shqyrtimit në Kolegj, Komisioneri evidentoi dhe mosdeklarimin e detyrimeve të marra përsipër nga bashkëshorti i subjektit në shumën totale 3.8 milionë lekë, nëpërmjet një vendimi të Gjykatës së Përmetit të vitit 2002. Sipas Ballhysës, pretendimi i subjektit se nuk ka qenë në dijeni bie në konflikt me faktin se më vonë bashkëshorti ka qenë anëtar i këshillit mbikqyrës të shoqërisë me administrator personin i cili i ka kaluar kredinë si detyrim.

Po ashtu, sipas Ballhysës nuk u provua mundësia e dajës së subjektit për dhënien një huaje 5000 euro në vitin 2008, si dhe për kursimet e saj në shumën 3000 euro që kanë shërbyer për pagesën e një kësti të një apartamenti në Tiranë.

Prokurorja Ziguri i kundërshtoi kërkimet e Komisionerit dhe u shpreh gjatë konkluzioneve përfundimtare se pavarësisht vendimit që do merrej, nuk mund ta humbiste kurr ndershmërinë profesionale të kultivuar gjatë tre dekadave që ushtronte funksionin e prokurores. Gjithashtu, ajo paraqiti argumentet e saj për të kundërshtuar shkaqet e ankimit.

Qëndrimet ndryshe

Shumica e trupit gjykues të Kolegjit e përbërë nga kryesuesja Ina Rama dhe anëtarët Albana Shtylla e Ardian Hajdari, e vlerësoi të besueshëm shpjegimin e subjektit lidhur me arsyen e mosdeklarimit të veprimtarisë së bashkëshortit në fushën e ndërtimit në periudhën 2005-2007, me pretendimin se nuk kishte një detyrim të tillë pasi nuk kishin pasur asnjë përfitim financiar nga transaksionet.

Gjyqtaret në pakicë, relatorja Rezarta Schuetz dhe anëtarja Natasha Mulaj argumentojnë se ligji nuk rezulton të ketë përjashtuar nga detyrimi për deklarim veprimet financiare apo ato juridike të kryera nga personat e lidhur në aktivitetet e tyre të biznesit.

Pakica konsideron se do të kishte devijim nga logjika e fakteve nëse pranohen të mirëqena pretendimet e subjektit se personi juridik i riaktivizuar në periudhën 2005-2018 nuk ka krijuar asnjë të ardhur dhe asnjë shpenzim dhe për rrjedhojë shoqëria shfaqet si një artific inekzistent.

Schuetz dhe Mulaj e kundërshtojnë vlerësimin të shumicës për ndarjen e detyrimit të deklarimit të personit juridik nga ai si person i lidhur me subjektin e rivlerësimit, si dhe e cilësojnë të dëmshëm.

“Nëse do të ndiqej logjika e ndarjes absolute mes detyrimeve si person juridik dhe atyre si person i lidhur me subjektin e rivlerësimit/deklarues, procesi i deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe njëkohësisht edhe ai i rivlerësimit kalimtar, do të ishte vulnerabël dhe krejtësisht i paaftë të konstatonte edhe pasuri të fshehura nga subjektet nëpërmjet veprimtarive të biznesit të personave të lidhur, për sa kohë këta të fundit, në mënyrë konsistente, kryejnë evazion fiskal total, duke deklaruar humbje apo asnjë fitim nga veprimtari ekonomike aktive, qoftë edhe për dekada të tëra”, argumenton pakica dhe vlerëson se kjo mënyrë e zbatimit të ligjit favorizon shkelje të rënda të kriterit të vlerësimit pasuror, ndërkohë që penalizon subjektet që në raport me ligjin dhe detyrimet fiskale janë më të sinqerta.

Pakica vëren se Kolegji ka jurisprudencë të konsoliduar, sipas së cilës subjektet janë gjetur në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për shkak se personat e lidhur kanë rezultuar të deklaronin pasuri dhe të ardhura të cilat nuk përkonin me çfarë deklarohej në administratën tatimore apo të sigurimeve shoqërore.

Bazuar në këto argumente, pakica vlerëson se Ziguri ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, ndërsa problemet e evidentuara në veprimtarinë private konsiderohen se duhej të ishin vlerësuar në drejtim të besimit të publikut tek drejtësia.

KPA e ka rrëzuar dhe shkakun tjetër të ankimit lidhur me mosdeklarimin e detyrimeve financiare të bashkëshortit të prokurores, të rrjedhura prej një procesi gjyqësor për zëvendësimin e debitorit të vitit 2002.

Shumica argumenton se mosdijenia e subjektit të rivlerësimit për detyrimin financiar të bashkëshortit vërtetohet për shkak se kreditori nuk ka kërkuar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit si dhe shprehet se është krijuar bindja se subjekti nuk ka pasur dijeni për vendimin gjyqësor as kur ka dorëzuar deklaratën veting.

Por pakica vlerëson se Ziguri dështoi të provojë të kundërtën e fakteve se personi i lidhur ka vijuar të jetë deri në vitin 2018 në aktivitet biznesi me debitorin të cilin ka zëvendësuar në vitin 2002 dhe për mosdijeninë e procesit gjyqësor.

Për të mbështetur këtë konkluzion, pakica vëren se bashkëshorti i subjektit ka lëshuar një prokurë për një avokat në vitin 2002 për ta përfaqësuar në Gjykatën e Përmetit, ndërkohë që ishte palë në dy procese civile aty. “Data e prokurës është pak javë përpara vendimit të marrë nga gjykata për zëvendësimin e debitorit, ‘kundër’ Agjencisë së Trajtimit të Kredive”, konstaton pakica.

“Sjellim në vëmendje që rezulton e pakuptimtë se si papritmas, në shtator 2021 – gjatë procesit të rivlerësimit – subjekti rivlerësimit tregon njohuri për ekzistencën e kallëzimit penal në ngarkim të z. I., të ushtruar në vitin 2010 nga ATK-ja, ashtu si është i pakuptimtë edhe argumentimi i tij që vendimi i gjykatës është i pavlefshëm apo që ATK-ja nuk e ka njohur atë”, vëren pakica dhe e konsideron të pakuptimtë dhe faktin se Ziguri nuk ka treguar asnjë interes për të qenë e mirëinformuar për detyrimet financiare të bashkëshortit, si gjatë periudhës kur ishte subjekt deklarues, ashtu edhe në funksion të procesit të vetingut.

Schuetz dhe Mulaj vlerësojnë se pakica se mungesa e deklarimit do të duhej të ishte shoqëruar me pasojë në procesin e rivlerësimit të Zigurit, e parë në këndvështrim të besimit të publikut.

Pakica konsideron se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe për blerjen e një apartamenti në vitin 2008.

Për pagesën e këstit të parë në vlerën 9000 euro në prill të 2008-ës subjekti ka deklaruar në KPK se kanë shërbyer kursimet nga paga në shumën 312 mijë lekë të tërhequra nga banka në vitin 2007 dhe të mbajtura në banesë e plotësuar dhe me kursime të vitit 2008, si dhe një hua 5000 euro marrë nga daja i saj.

Ashtu si Komisioneri, edhe shumica vlerëson se daja i subjektit nuk ka pasur mundësi financiare për të dhënë huanë në shumën 5000 euro në vitin 2008. Po ashtu, bazuar dhe në jursipudencën e mëparshme të Kolegjit, nuk është konsideruar si burim dhe shuma 4000 euro e pretenduar si kursime për shkak të mosdeklarimit në vite.

Por, megjithëse shumica konkludon se Ziguri gjendet në mungesë të burimeve të ligjshme për pagimin e këstit të parë të apartamentit në shumën 9000 euro, është çmuar se balanca negative nuk është e mjaftueshme për të sjellë penalizim të subjektit.

Pakica vlerëson se balanca negative në shumën 1 milion lekë është e konsiderueshme. Veç faktit se nuk është provuar mundësia e dajës për dhënien e vlerës 5000 euro, pakica konstaton se subjekti rezulton me bilanc negativ në vitin 2007 dhe për rrjedhojë nuk mund të krijonte kursime me burime të ligjshme të vlerës 312 mijë lekë të tërhequr nga llogaria e pagës në atë vit.

Sipas pakicës, mungesa financiare 1 milion lekë e tejkalon totalin e pagesës vjetore të subjektit dhe për rrjedhojë duhej të ishte vlerësuar si deklarim i pamjaftueshëm.

“Kjo mungesë përbën problem edhe më të spikatur për shkak të faktit që subjekti pretendon se të ardhurat e tij nga paga janë të vetmet të ardhura me të cilat është krijuar pasuria dhe janë përballuar gjithë shpenzimet familjare. Sjellim në vëmendje që, në një vështrim tërësor të mundësive financiare të subjektit të rivlerësimit për vitet 2003-2016, siç u parashtrua në rekomandimin mbi bazën e të cilit u ushtrua ankimi, do të rezultonte një diferencë negative më e thelluar”, argumenton pakica dhe në vlerësim të gjithë shkaqeve çmon se prokurorja Lindita Ziguri Male duhej të ishte shkarkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *